Zemaj për projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave: Të mbrojë interesin e përgjithshëm, të mos jetë selektiv

Aktuale

Zemaj për projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave: Të mbrojë interesin e përgjithshëm, të mos jetë selektiv

Më: 8 mars 2023 Në ora: 18:53
Armend Zemaj

Qeveria e Kosovës sot i ka dhënë dritën jeshile projektligjit që rregullon çmimin e produkteve medicinale.

Por, ky rregullim i çmimeve mund të fillojë vetëm kur një veprim të njëjtë do ta merr edhe Kuvendi i Kosovës.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se është hera e parë që nga paslufta që në Kosovë po bëhet një rregullim i tillë.

Sipas tij, vetëm Kosova dhe Bjellorusia nuk kanë pasur një ligj të tillë.

Lidhur, me këtë vendim të Qeverisë, ka folur ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

Zemaj, ka deklaruar se ky është një hap pozitiv, por nuk ka lënë pa përmendur që po i njëjti projektligj ishte refuzuar vitin e kaluar kur ishte propozuar nga opozita.

“Është një hap pozitiv edhe pse i vonuar, ka tri vite të kësaj Qeverie. Ishte refuzuar po i njëjti projektligj vitin e kaluar që kishte propozuar opozita, por sido që të jetë është një ligj i nevojshëm që të rregullojë këtë fushë e cila nuk ka qenë e rregulluar në aspektin ligjor, përpos rregulloreve dhe disa udhëzimeve administrative në kundërshtim me shumë ligje të tjera”, është shprehur Zemaj.

Por, ka thënë se shpreson se me këtë do të mbrohet interesi i qytetarëve e jo siç ka ndodhur deri më tash për favorizimeve të ndryshme.

“Do të shohim dhe po shpresojmë që do të mbrojnë interesin e përgjithshëm dhe jo ndoshta selektiv ashtu siç jemi mësuar me pa deri më tash sepse kemi parë një favorizim subjektiv të institucioneve private shëndetësore por si fushë e rregullimit të çmimit të barnave është tepër e nevojshme dhe e domosdoshme  duke pas parasysh se ekziston një lloj katrahurë nëpër farmacitë por edhe me tregtinë me barna në Kosovë”, ka thënë ai.

I, pyetur se a do të merr votat e deputetëve në momentin kur të vihet në Kuvend, Zemaj ka thënë se beson që po.

“Patjetër, besoj që është në interes të pacientëve dhe në interes të qytetarëve harmonizimi i çmimeve të barnave sepse ka qenë një far lloj tregtie e lirë por që ka pas edhe aspekte abuzive në fusha të caktuara dhe situata të caktuara dhe gjërave të tjera ku ka pas keqpërdorim në kurriz të qytetarëve”, ka shtuar Zemaj.

Ndërsa, ka treguar edhe të mirat e këtij projektligji.

“Kjo, është e mirë sepse vendos edhe tavanin edhe në blerjen e nga institucionet publike psh., Ministria e Shëndetësisë  nga QKUK –ja dhe spitalet rajonale e po ashtu edhe komunat që kanë një pjesë të kompetencës për të përmbushur listën esenciale të barnave”, është shprehur ndër të tjera Zemaj.

Për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji MSH-ja do të punësojë edhe 42 inspektorë shëndetësorë, të cilët janë paraparë edhe në buxhetin për vitin 2023.

Projektligji ka për qëllim rregullimin e kostos të barnave që ajo të jetë e përballueshme dhe edhe më lirë sesa në vendet e rajonit.

Përmes këtij projektligji mundësohet që çmimi i një bari të jetë njësoj në çdo barnatore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat