Gratë dhe të rinjtë e LVV-së ndezin qirinj në kujtim të 66 viktimave të femicidit në Kosovë

Aktuale

Gratë dhe të rinjtë e LVV-së ndezin qirinj në kujtim të 66 viktimave të femicidit në Kosovë

Më: 8 mars 2023 Në ora: 23:10
Gratë dhe të rinjtë e LVV-së ndezin qirinj në kujtim të 66 viktimave të femicidit në Kosovë

Gratë dhe Të Rinjtë e Vetëvendosjes ndezën qirinj pranë Teatrit Kombëtar të Prishtinës në kujtim të 66 grave të vrara si pasojë e krimit të femicidit gjatë periudhës 2000-2022 në Kosovë.

Kryetarja e Grave të LVV-së (RVV) në Gjilan, deputetja Arijeta Rexhepi tha se me ndezjen e 66 qirinjve, kujtohet vrasja e 66 grave e vajzave që nga paslufta e deri më sot.

“Për ne nuk janë vetëm numra, janë jetë grash të shuara dhunshëm e padrejtësisht. Të gjitha u vranë për të vetmen arsye sepse ishin gra”, tha Rexhepi.

Ajo tha se deputetët dhe qeverisja po punojnë për luftimin e dhunës në familje përmes miratimit të ligjeve, ndryshimit të tyre dhe ndarjes së buxhetit për strehimoret që ofrojnë shërbime strehimi për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.

Ndërsa Dea Lala, aktiviste në RVV, foli për rëndësinë që duhet t’i kushtohet femicidit në vendin tonë duke u angazhuar njëherësh në luftimin e normave patriarkale në shoqëri.

“Ne, solidarizohem me gjithsecilën vajzë dhe grua të prekur nga cilado formë e dhunës. Ne angazhohemi në luftimin e dhunës në bazë gjinore. Si në këtë 8 mars, që shënon ditën ndërkombëtare të gruas ashtu edhe cilëndo ditë tjetër, mbarë shoqëria, përfshirë të rinjtë e të rejat le të përpiqemi bashkërisht të angazhohemi në luftimin e femicidit, pushtetit patriarkal në vend, dhe t’i hapim rrugë të ardhmes pa dhunë e me një jetë ku ka siguri dhe dinjitet”, tha Lala.

“Drejtësi për vajzat dhe gratë e vrara. Barazi dhe siguri për të gjitha, kudo”, përfundoi ajo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat