SBASHK-u thirrje deputetëve dhe sindikatave: Të bëhemi bashkë ta ndryshojmë vlerën e koeficientit

Aktuale

SBASHK-u thirrje deputetëve dhe sindikatave: Të bëhemi bashkë ta ndryshojmë vlerën e koeficientit

Më: 8 mars 2023 Në ora: 23:40
Ilustrim

Janë bërë më shumë se një muaj që kur Qeveria e Kosovës ka miratuar vlerën e koeficientit me Ligjin e Pagave për vitin 2023.

Vlera e koeficientit për këtë vit do të jetë 105 euro.

Paga e mësimdhënësve që japin mësim në shkolla fillore e të mesme të ulët pagën e kanë 588 euro, ata në shkollat e mesme të larta paguhen me nga 609 euro, ndërsa profesorët e rregullt universitarë me nga 1302 euro.

Pakënaqësitë për pagat kanë shprehur nga Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se asnjë punëtor i arsimit që nga çerdhet e deri në arsimin e lartë, nuk janë të kënaqur me vlerën e koeficientit për pagat.

“Vlera e koeficientit prej 105 euro nuk është ajo vlerë që ne e kemi pritur, jemi angazhuar të jetë 120 euro. Vlera prej 105 euro ka sjellë një ngritje të vogël të pagave tek çerdhet dhe punëtorët teknik. Kemi shumë pakënaqësi tek arsimi i mesëm se rritja e pagave është shumë më e vogël krahasuar pritjeve që kanë pasur. E keqja më e madhe ka ndodhur tek administrata e universiteteve se koeficienti pa fajin tonë ka mbet i ulët, asnjë punëtor nuk është i kënaqur me pagat e reja”, tha Jasharaj.

Kreu i SBASHK-ut u ka bërë thirrje deputetëve dhe sindikatave të bashkohen për ta ndryshuar vlerën e koeficientit.

Jasharaj tregoi edhe arsyen se pse SBASHK-u nuk e ka dërguar Ligjin e Pagave tek Kushtetuesja.

“Ne nuk e kemi zgjedhur rrugën që t’i drejtohemi Avokatit të Popullit jo pse kemi qenë të kënaqur por kemi konsideruar që më mirë të kemi një ligj kësisoj me një ngritje të ulët të pagave. Duhet të bëhemi bashkë edhe  sindikatat edhe deputetët të angazhohemi ta ndryshojmë vlerën e koeficientit sesa ta dërgojmë tek Kushtetuesja që ta kthej në pikën zero sepse Qeveria Kurti që dy vite është duke e zvarritur këtë ligj”, u deklarua ai.

Sipas Jasharajt, Sindikata e Arsimit nuk është aspak e lumtur me këtë ligj.

“Po të ishte vlera e koeficientit prej 120 euro do të thonim se ka lëvizja pozitive tek pagat dhe do të reflektonte edhe në gjendjen ekonomike tek punëtorët e arsimit, por atyre që ju është ngritur paga do të kenë pak më të lehtë betejën kundër rritjes së vazhdueshme të çmimeve. SBASHK-u nuk është aspak i lumtur me Ligjin e Pagave”, u shpreh Jasharaj. 

Më poshtë e gjeni vlerën e pagave për punonjësit e arsimit:

Rektori 1491 euro

Dekani 1344 euro

Profesori i rregullt 1302 euro

Drejtor i Shkollës së Mesme të Lartë 661.5 euro

Drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët 651 euro

Mësimdhënësit në shkollë të mesme të lartë 609 euro

Mësimdhënësit në fillore dhe të mesme të ulët 588 euro

Edukator 535.5 euro

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat