“Të qortova, sepse e teprove”, “mos ofendo” - debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës – “nxehet” edhe Vitia

Aktuale

“Të qortova, sepse e teprove”, “mos ofendo” - debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës – “nxehet” edhe Vitia

Nga: Bota sot Më: 9 mars 2023 Në ora: 06:45 Përditësuar në ora: 11:54 më 09.03.2023
Kuvendi i Kosovës

Reshitaj pret nga Konjufca të tërhiqet nga deklarata e tij: S’jam deputete e mëditjeve, mos ofendo

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj, ka reaguar sërish në seancën e sotme, pasi dje kryekuvendari Glauk Konjufca, i tha asaj se nuk do të ketë mëditje pasi pretendoi se ajo qëndroi vetëm 10 sekonda dhe pastaj ka dalë nga salla e Kuvendit.

Ajo i tha Konjufcës se nuk ka të drejtë ta ofendojë publikisht, teksa u shpreh se shpreson që kryetari i Kuvendit të tërhiqet nga këto deklarata.

“Dje emri im u lakua nga shumë media nga një deklaratë emocionale e aspak e hijshme dhe publike nga ana e kryesuesit të Kuvendit, duke mbyllur seancën me një të pavërtetë se unë kinse kam qëndruar për pak sekonda në Kuvend”, tha Reshitaj, në seancën e sotme të Kuvendit.

Mes tjerash, Reshitaj theksoi se nuk punon për mëditje dhe nuk është deputete e mëditjeve.

“Zoti Konjufca, për disa deputetë që qëndruan aq sa unë e ndoshta edhe më pak kohë në Kuvend, sikur nuk iu paskan munguar ose gjithë mllefin që kishte nga pamundësia për të koordinuar dhe bërë funksional seancës, filloi ta derdhte mbi emrin tim dhe mbi mua dhe pikërisht në ditën e grave”, shtoi ajo.

Ajo tregoi se është deputete që dy legjislatura dhe shtoi se vendos vetë nëse do të qëndrojë apo jo në seancë.

Reshitaj, përmendi se kur ka qëndruar në seancë dhe ka votuar për disa projektligje të rëndësishme në Parlament, nuk i ka penguar pushtetit.

“Kur kam qëndruar dikur, kur minutat kanë qenë aq të rëndësishëm, nuk ju kam penguar e as kur kam votuar projektligjet që kanë qenë të rëndësishme për qytetarët. S’e kuptoj lidhshmërisë mes prezencës së deputetit në seancë dhe mëditjes”.

Më pas, kryekuvendari Konjufca tha se rrallëherë bën qortime publike por vetëm kur deputetët e teprojnë në raste të caktuara.

E sipas tij, njëjtë veproi edhe Reshitaj të mërkurën.

“Znj.Reshitaj, ju me njihni mirë dhe e dini që shumë rrallë bëj qortime publike të deputetëve, por ato i bëj zakonisht vetëm kur ia teprojnë sikur që bëtë ju dje”, tha Konjufca.

Tahiri për Ligjin e Pagave: Vetëm 10 mijë qytetarë janë gëzuar, 70 mijë të tjerë janë të dëshpëruar

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se nëse Qeveria nuk reflekton sa i përket zhvillimit ekonomik dhe kryeministri e ministrat flasin vetëm rreth politikës, atëherë, ky do të jetë vit i kapitullimit ekonomik.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka rënë në kurthin e diskutimit politik dhe dialogut dhe në neglizhencën totale të jetës, të ekonomisë, të mirëqenies dhe të jetës sociale.

“Shumë politikë, pak ekonomi. Pak jetë e shumë politikë. Është e papranueshme që i gjithë diskursi politik dhe vendimet në Qeveri të lidhen me politikën e larta dhe asnjë veprim serioz të mos jetë në dobi të qytetarëve. Është e pakuptimtë që politika dhe temat e larta të kthehen në qëllim në vete të Qeverisë”, ka theksuar Tahiri.

Sipas tij inflacioni në gjithë botën ka rënë e në Kosovës është rritur.

“Kjo vjen si rrjedhojë e neglizhencës totale dhe injorimit të ekonomisë dhe politikave që e injorojnë shtetin në këtë aspekt … Njerëzit që janë në punë janë bërë njësoj raste sociale për shkak që nuk ka as ngritje të pagave e as një veprim a subvencionim që e forcon ekonominë”, ka theksuar Tahiri.

“Po ju jap vetëm një shembull çka ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut. Rruga Tetovë-Strugë-Qafëthanë dhe rruga Prilep-Manastir, është nënshkruar me kompaninë ‘Becht Elenka’ për 1. 3 miliardë euro, Qeveria e ka bërë një rrugë 3 metra në Istog, kthjelluni”, është shprehur Tahiri.

Ai ka folur edhe për tri lajme që ka thënë se janë dëshpëruese.

“E para ka të bëjë me paralajmërimin e rritjes se rrymës për 14 për qind. E dyta ka të bëjë me rritjen e tatimit në pronë dhe e treta lidhet me sektorin publik dhe më Ligjin e pagave, 10 mijë njerëz janë gëzuar e 70 mijë të tjerë janë të dëshpëruar”, është shprehur Tahiri.

Vitia: Qeveria e PAN-it nuk e ka proceduar asnjë ligj për ministrinë e Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se të gjithë duhet të gëzohen për ligjin për çmimin e barnave.

Sipas tij, ky ligj është dashur të bëhet shumë më herët sepse sipas tij, kështu kursehen me mijëra para nga xhepat e qytetarëve.

Ai ka thënë se Qeveria PAN nuk e ka miratuar asnjë ligj për ministrinë e Shëndetësisë.

“Dje ishte një lajm i mirë për Kosovën. U bë më në fund ligji për çmimin e barnave. Këtij ligji duhet t’i gëzohet secili qytetar. Kisha pas qejf që ky ligj të bëhet më herët, por fatkeqësisht nuk është bërë”.

“Nuk është bërë me herët sepse në Qeverinë e PAN-it asnjë ligj për ministrinë e Shëndetësisë nuk është proceduar. Unë edhe atëherë kam thënë me udhëzim administrativ nuk zgjidhjet kjo çështje. Zgjidhet vetëm me ligj”.

Shala: PDK është kundër ngritjes së tarifave për 14% nga ZRrE

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka ngritur shqetësimet e tij në lidhje me ngritjen e tarifave për 14 për qind nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Sipas tij, kjo do të ishte e papërballueshme për qytetarët.

“Ngrehim shqetësimet tona për ngritjen e tarifave për 14 për qind nga ZRrE”.

“Ne si PDK jemi kundër kësaj për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike të vendit. Për shkak të rënies së fuqisë punëtore. Kjo është e papërballueshme dhe nuk duhet të ndodh”.

​Plotësohet rendi i ditës me projektligjin anti-doping

Rendi i ditës së seancës së sotme është plotësuar edhe me një pikë.

Ajo ka të bëjë me shqyrtimin e projektligjit për anti-doping.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola propozoi si mocion procedural që ky projektligj të përfshihet si pikë e 8 e rendit të ditës së kësaj seance.

Ky mocion u miratua me 67 vota derisa në sallë ishin 74 deputetë.

​Nis seanca e Kuvendit të Kosovës

Nis seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku përveç deklarimit jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare janë paraparë edhe një sërë projektligjesh.

Gjatë kësaj seance parashihet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pyjet, pastaj shqyrtimi i dytë i Projektligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve, shqyrtimi i parë i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,
Po ashtu, në këtë seancë do të pritet të bëhet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021,shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra”, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”.

Në këtë seancë po ashtu është planifikuar edhe emërimi i drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës si dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

Kuvendi shqyrton raportin e performancës së ndërmarrjeve publike

Sot Kuvendi i Kosovës, mban seancë plenare, në të cilën në rend dite janë disa pika.

Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës të deputetëve.

Në rend dite janë:

Pyetjet parlamentare, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pyjet, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për sigurinë e përgjithshme të produkteve, shqyrtimi i parë i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për minierat dhe mineralet, shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2021, shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Sistemi i licencimit të hidrocentraleve dhe monitorimi i tyre mbi ndikimin në mjedis dhe ujëra’ dhe shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP “Trepça Sh.A”.

Po ashtu Kuvendi do të vendos për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, si dhe shqyrtimi i Projekt-Deklaratës në mbështetje të Fondit Kosovaro-Amerikan për Arsim (KAEF).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat