Sot fillon afati për aplikim për certifikim në zgjedhjet në komunat në veri

Aktuale

Sot fillon afati për aplikim për certifikim në zgjedhjet në komunat në veri

Më: 9 mars 2023 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Sot fillon afati për aplikim për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet në katër komunat në veri.

Komisionin Qendror i Zgjedhjeve po bënë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave në katër komunat në veri të vendit dhe për dy kuvendet komunale. Këto pritet të mbahen më 23 prill.

Ndërkohë, afatet e aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme fillojnë nga sot.

Katër komunat në veri të vendit; Zveçani, Zubin Potoku, Leposaviq dhe Mitrovica e Veriut, vazhdojnë të jenë pa kryetarë, që nga 5 nëntori kur dhanë dorëheqje. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të caktuara fillimisht për 18 dhjetor 2022, si pasojë e situatës së krijuar në veri, ishin shty nga presidentja Vjosa Osmani, e cila datë të re caktoi 23 prillin e këtij viti.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, po bëhen përgatitjet për mbajtjen e tyre.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë për Radio Kosovën se nga sot fillojnë të rrjedhin afatet e organizimit të procesit zgjedhor.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka caktuar afatet e aktiviteteve dhe ka miratuar planin operacional për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, që do të mbahen më 23 prill 2023. Të gjitha afatet e aktiviteteve zgjedhore i referohen afatit prej 45 ditësh dhe zbatimi i tyre do të fillojë nga data 9 mars 2023”, tha ai.

Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme fillon sot. Tërheqja e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve në fletëvotim do bëhet më 3 prill. Një ditë më pas fillon fushata zgjedhore që do të zgjasë 18 ditë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tutje tregon për interesimin për pjesëmarrje në zgjedhjet e parapara të mbaheshin dhjetorin e kaluar.

“Gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 11 kandidatë të katër subjekteve politike për të garuar në zgjedhjet për kryetar në ndonjërën nga katër komunat dhe 63 kandidatë të tri subjekteve politike në zgjedhjet për dy kuvendet komunale. Sipas vendimit të KQZ-së, ky proces do të vlejë, pra subjektet politike do të munden që nga 9 deri më 13 mars t’i konfirmojnë kandidatët tashmë të certifikuar, pa pasur nevojë për aplikim nga fillimi”, tha Elezi.  

Përveç procesit të konfirmimit të kandidaturave të certifikuara, KQZ-ja do të pranojë edhe aplikimet e reja nga partitë politike, kandidatët e pavarur, iniciativat qytetare a koalicionet, tha tutje zëdhënësi i KQZ-së.

Dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave në veri ishin paralajmëruar dhe nxitur nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, si kundërpërgjigje ndaj suspendimit të ish-drejtorit Rajonal të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, dhe ndalimit të përdorimit të targave ilegale.   

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat