LDK e quan të dështuar Strategjinë për Energji, Azemi: Është bërë për të mbuluar dështimin

Aktuale

LDK e quan të dështuar Strategjinë për Energji, Azemi: Është bërë për të mbuluar dështimin

Më: 9 mars 2023 Në ora: 10:56
Visar Azemi

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka adresuar kritika në adresë të mazhorancës për votimin e Strategjisë së Energjisë për periudhën 2022-2031. Këtë strategji, LDK-ja e quajti të dështuar.

Sipas LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje e votoi këtë strategji me urgjencë, vetëm për të mbuluar dështimin e këtij dokumenti strategjik.

Në një konferencë për media, kryetari i degës së LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, ka thënë se si pasojë e mungesës së një strategjie të mirëfilltë, shpesh herë ka pasur rritje të çmimit të energjisë.

“Strategjia e Energjisë 2022-2031, dokumenti më me rëndësi për zhvillim të vendit është hartuar në kuadër të një procesi krejtësisht jo transparent dhe jo gjithëpërfshirës. Kosova në të gjitha krizat energjetike gjatë dy viteve të fundit është futur pa pasur strategji të aprovuar dhe ide se si t’i menaxhojë këto kriza të cilat rezultuan me rritje të çmimit të energjisë elektrike. Kjo strategji u vonua me muaj të tërë dhe u harrua tërësisht, ndërsa dje u kalua me urgjencë në Kuvend. Kjo qartazi po bëhet për të mbuluar dështimin e këtij dokumenti strategjik dhe ballafaqimit me problemin kryesor, atë të uljes së konsumit të energjisë elektrike që përdoret për ngrohje gjatë muajve të dimrit”, ka thënë ai.

“Edhe pse në dokument konstaton saktë që sektori i ngrohjes konsumon më shumë energji se çdo sektor tjetër i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, fatkeqësisht, kjo strategji nuk e adreson këtë si çështje dhe kjo nuk reflekton në programet e propozuara nga kjo qeveri. Në këtë dokument thuhet se ngrohja do të trajtohet në kuadër të strategjisë për ngrohje. Paramendojeni, strategji e energjisë që nuk trajton problemin kryesor të konstatuar në vet dokumentin. Kjo është njëjtë sikurse kur një mjek diagnostikon sëmundjen, por terapinë e ofruar e ka për diçka krejt tjetër! Pra, nuk mund të ketë strategji të mirëfilltë të energjisë nëse problemi kryesor me energji e që është energjia termike trajtohet ndaras strategjisë për energji”.

“Pra në vend se strategjia të propozojë zgjidhje afatgjate për këtë sektor dhe ti jap kahje zhvillimit të Kosovës drejt energjisë së ripërtëritshme, kjo qeveri vendosë të vazhdojë varësinë e furnizimit vetëm në thëngjill, pikërisht tani, në kohën kur thëngjilli po bëhet çdo ditë e më pak i pranueshëm në botë. Duhet të bëhet e qartë se termocentralet e thëngjillit nuk mund të jenë konkurruese me burimet e ripërtëritshme të energjisë nëse vendoset një taksë e karbonit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat