Lajçak: Teksti i marrëveshjes është i mbyllur

Aktuale

Lajçak: Teksti i marrëveshjes është i mbyllur

Më: 9 mars 2023 Në ora: 21:01
Miroslav Lajçak

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar se teksti i marrëveshjes së 27 shkurtit në Bruksel tashmë është i mbyllur.

Ai, ka deklaruar se nuk nevojiten diskutime të mëtutjeshme lidhur me tekstin e marrëveshjes, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Derisa, ka treguar edhe arsyen e vizitës në Prishtinë dhe Beograd.

“Kjo do të thotë se teksti është i mbyllur, ashtu siç është, ne e kemi publikuar tekstin në mënyrë që të gjithë ta dinë dhe ta lexojnë për vete se çfarë përmban teksti. Ashtu siç tani qëndrojnë gjërat, do të thosha se teksti është politikisht i detyrueshëm por jo ligjërisht i detyrueshëm sepse ajo çfarë mungon është mjaft e qartë: ne duhet të dimë se si do të zbatohet. Cilat do të jenë hapat, kush çka do të bëjë dhe kur, cilat janë afatet kohore, cilat janë mekanizmat për zbatim? Këto janë hapat në të cilët ne duhet të fokusohemi tani dhe kjo është arsyeja se pse jam në Prishtinë sot dhe nesër dhe pse do të jem në Beograd të hënën dhe të martën” është shprehur Lajçak.

Ai, thotë se kanë pyetur Kurtin dhe Vuçiqin për të përgatitur propozime reale dhe konstruktive sa i përket aneksit të tyre, dhe se pasi të gjithë të jenë pajtuar me këtë aneks të marrëveshjes atëherë do të dihet edhe se si do të zbatohet.

“Ne kemi prezantuar dhe përgatitur draftin e këtij dokumenti, udhërrëfyesin apo aneksin e implementimit, për të cilën neni 1 i këtij dokumenti thotë se është një pjesë e pandashme e dokumentit. Ne kemi pyetur partnerët tanë, kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, që të përgatisin propozime reale dhe konstruktive bazuar në aneksin tonë, dhe kjo është në qendër. Pasi të jemi pajtuar lidhur me këtë aneks, atëherë do të thotë se kemi të gjithë përbërësit në vendin e duhur dhe më pas e dimë se si do të zbatohet dhe më pas ky dokument do të jetë jo vetëm politikisht por edhe ligjërisht i detyrueshëm”, ka shtuar Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat