LDK: Na duhet marrëveshje për njohje, ndryshe s’ka normalizim me Serbinë

Aktuale

LDK: Na duhet marrëveshje për njohje, ndryshe s’ka normalizim me Serbinë

Më: 10 mars 2023 Në ora: 16:56
Foto nga takimi

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, ka zhvilluar sot një takim me ndërmjetësuesin e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas një njoftimi nga kjo parti, në takim është biseduar për ecurinë e procesit dialogues, me theks të veçantë për propozimin evropian në lidhje me normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi.

Kjo parti tha se mbështet zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.

“LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-së. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, thuhet në njoftim.

Qëndrimi i LDK-së është se vendit i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi

“Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”, u theksua në njoftimin e LDK-së.

Në takim, Abdixhiku thuhet të ketë kërkuar nga Lajçaku sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, “në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat