Latifi: Shqiptarët ia kanë pa hajrin vrasjes së Gjingjiqit

Aktuale

Latifi: Shqiptarët ia kanë pa hajrin vrasjes së Gjingjiqit

Më: 12 mars 2023 Në ora: 21:21
Analisti Blerim Latifi

Analisti Blerim Latifi ka reaguar pas postimit të kryeministrit, Albin Kurti ku përkujtoi ish-kryeministrin serb, Zoran Gjingjiq në 20 vjetorin e vrasjes.

Latifi ka thënë se shqiptarët ua kanë pa hajrin dy atentateve. Atij ndaj Aleksandrit të Parë dhe atentatit ndaj Zoran Gjingjiqit.

Sipas tij, nëse këta dy emra do të jetonin, shqiptarët do t’i kishin punët shumë më vështirë.

“Ideja se Gjingjiq mendonte për Kosovën jashtë skemave të nacionalizmit serb, është një mit të cilin e ushqeu edhe më shumë vrasja e tij. Sot e pamë se edhe kryeministri ynë po besojka në këtë mit.Fatkeqësisht”, ka shkruar Latifi.

Postimi i plotë:

Dy atentateve serbe ua kanë pa hajrin shqiptarët. Atentatit mbi mbretin Aleksandri i Parë, në vitin 1903, dhe, 100 vite më pas, atentatit mbi kryeministrin Gjingjiq.

Të dy këta kishin diçka të përbashkët: synimin për largimin e Serbisë nga ndikimi rus dhe afrimin e saj me Perëndimin. Nëse ata do të jetonin për t’i përmbushur synimet e tyre, shqiptarët do t’i kishin punët shumë më vështirë.

Vrasja e mbretit Aleksandër nga një fraksion prorus i ushtrisë serbe, bëri që Serbia t’i kthehet orientimit gjeopolitik prorus. Kjo i bindi përfundimisht austro-hungarezët që të fillonin punën për krjimin e një shteti shqiptar, për të mos lejuar që përmes Serbisë proruse, ndikimi rus të shtrihej deri në Adriatik. 28 Nëntori 1912 ishte rezultat logjik i kësaj gjeopolitike austro-hungareze.

Gjingjiq ndoqi qasjen e mbretit Aleksandër. Ai donte një Serbi të distancuar nga Rusia dhe të afruar me Perëndimin. Këtë politikë ai donte ta përdorte kundër aspiratave të Kosovës për pavarësi. Eleminimi i tij e varrosi këtë politikë bashkë me të. Ata që erdhën pas tij nuk dolën dot nga hija e rrymës proruse dhe kjo pati ndikim të rëndësishëm në krijimin e bindjes perëndimore për pavarësinë e Kosovës si opcion pa alternativë.

Ideja se Gjingjiq mendonte për Kosovën jashtë skemave të nacionalizmit serb, është një mit të cilin e ushqeu edhe më shumë vrasja e tij. Sot e pamë se edhe kryeministri ynë po besojka në këtë mit.Fatkeqësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat