Von Cramon: Shpresoj t’i shohë në marrëveshje nënshkrimet e Kurtit e Vuçiqit javën e ardhshme në Ohër

Aktuale

Von Cramon: Shpresoj t’i shohë në marrëveshje nënshkrimet e Kurtit e Vuçiqit javën e ardhshme në Ohër

Më: 13 mars 2023 Në ora: 08:34
Viola Von Cramon

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, shpreson për një marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit në Ohër, me 18 mars.

Cramon, e cila e ka shpërndarë shkrimin e ambasadorit gjerman, Jorn Rohde në Twitter ka thënë se arritja e një marrëveshjeje do të ishte një hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet.

“Shpresoj shumë që do të shohim të dyja nënshkrimet nën marrëveshje në fund të javës së ardhshme në Ohër. Do të ishte një hap i madh drejt integrimit evropian për të dy vendet,” shkroi Von Cramon.

Ndërkaq, Rohde ka deklaruar se mbështet plotësisht përpjekjet e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak për dialogun Kosovë-Serbi.

Rohde në një postim në Twitter ka shkruar se nuk duhet humbur “autobusi”, por të veprohet në konstruktivitet.

“Kosova do të fitojë shumë. Kosova duhet të zbatojë detyrimin e saj të gjatë dhe të përmbushë themelimin e Asociacionit tani. Apeli im për Kosovën dhe Serbinë për bisedimet e ardhshme në Ohër është: ‘Mos e humbisni autobusin”, ka shkruar ambasadori gjerman.

Ndërsa, kryeministri Kurti, gjatë të dielës, ka adresuar një video-mesazh për edicionin e 11-të të Forumit të Mannheim-it, organizuar nga iniciativa e studentëve të Universitetit Mannheim-it.

Gjatë kësaj, Kurti ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, dhe Propozimin evropian për normalizim të marrdhënieve.

“Në takimin trilateral në Bruksel unë ofrova të nënshkruaja një marrëveshje bazë në emër të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht presidenti i Serbisë refuzoi, dhe këtë refuzim ai e bëri publik doli nga takimi”, tha Kurti.

Kryeministri përmendi se gjatë javës së ardhshme do të takohen sërish në Ohër.

“Javën tjetër ne do të takohemi sërish në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe shpresoj që refuzimi i Serbisë që ta nënshkruaj propozimin në Bruksel nuk është indikacion që ata nuk pajtohen me përmbajtjen. Ne besojmë se marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë ndihmon në avancimin drejt njohjes reciproke”, tha Kurti.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian, të enjten në Bruksel gjatë një takimi me gazetarë, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit.

Ky zyrtar ka sqaruar edhe dilemat që kanë lindur rreth nënshkrimit apo jo të Marrëveshjes, dhe interpretimit të palëve.

“Kemi pasur dy pjesë të dokumentit unik. Propozimin dhe aneksin [planin] për implementim. Nuk u diskutua për propozimin, sepse palët u pajtuan se nuk ka më nevojë. Fokusi ishte në implementim. Do të ishte ideale sikur të kishte pajtim për të dyja dokumentet, por kjo nuk ishte reale. Skenari më i keq ishte sikur të mos pajtoheshin për asnjërin”, tha ai.

Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat