Krasniqi ia shpreh rezervat për marrëveshjen me Serbinë edhe shefes së UNMIK-ut

Aktuale

Krasniqi ia shpreh rezervat për marrëveshjen me Serbinë edhe shefes së UNMIK-ut

Më: 14 mars 2023 Në ora: 17:01
Memli Krasniqi dhe Caroline Ziadeh

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh.

Krasniqi përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se me Ziadeh kanë diskutur rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë, duke theksuar temën për dialogun Kosovë Serbi.

I pari i PDK-së, ashtu siç ka bërë në Kuvendin e Kosovës, e në takimin me ambasadorin amerikan Hovenier, ashtu edhe me shefen e UNMIK-ut, ka thënë se ka rezervat e tij, në lidhje me marrëveshjen për të cilën u dakordua Kurti në Bruksel.

Postimi i plotë i tij:

Në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pritur sot shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, me të cilën diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Shefes së UNMIK-ut i shpreha qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat që kemi në raport me këtë marrëveshje, e cila, sipas nesh, është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme.

Ne i kemi dhënë mbështetje të parezervë Kryeministrit Kurti në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë. Përkundër kësaj, neglizhenca e tij, mosdakordimi me partnerët ndërkombëtarë kur ka qenë e nevojshme, kokëfortësia e tij për të dëgjuar propozimet e opozitës, përfshirë pesë pikat tona të deklaruara edhe në Washington, Bruksel e Kuvend të Kosovës – janë arsyet kryesore që sot kemi një marrëveshje e cila nuk i realizon kërkesat, nevojat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës.

Sot, për fat të keq, kemi përpara një transformim të marrëveshjes së paralajmëruar dhe kërkuar nga ne dhe partnerët ndërkombëtarë për vite me radhë, nga një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, në marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat