Von der Leyen pret që Kosova dhe Serbia të jenë konstruktive në takimin e së shtunës në Ohër

Aktuale

Von der Leyen pret që Kosova dhe Serbia të jenë konstruktive në takimin e së shtunës në Ohër

Më: 14 mars 2023 Në ora: 20:20
Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

“Ekziston një plan i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, mendoj që është një mundësi që të dyja palët të përfitojnë nga momenti sepse normalizimi është çelësi për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit” tha Von der Leyen në një bisedë me korrespodentët e Agjencive të Lajmeve që janë pjesë e rrjetit Evropian të redaksive.

Von der Leyen shpreson që të dyja palët të jenë konstruktive në takimin e ardhshëm, i cili do të mbahet më 18 mars mirëpo ka refuzuar të flasë në lidhje me pasojat e mundshme në rast të dështimit të takimit.

Të shtunën, më 18 mars pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq të dakordohen rreth aneksit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve të të dyja vendeve.

Ky aneks përfshin modalitetet dhe afatet kohore për zbatimin e secilës pikë të planit kryesor.

Pala Evropiane insiston që nënshkrimi të vihet në të dy dokumentet duke konsideruar të rëndësishëm aneksin e zbatimit pa të cilin siç konsiderohet marrëveshja nuk do të kishte kurrëfarë peshe ligjore apo politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat