​Qëndrimi dy ditor në Strasburg/ Kurti: Plani i zbatimit i marrëveshjes bazë duhet të përmbajë detaje konkrete

Aktuale

​Qëndrimi dy ditor në Strasburg/ Kurti: Plani i zbatimit i marrëveshjes bazë duhet të përmbajë detaje konkrete

Më: 15 mars 2023 Në ora: 07:44 Përditësuar në ora: 16:22 më 15.03.2023
Foto nga vendi i ngjarjes

Kurti në Strasburg: Kosova po dëshmon se është shtet i ndërtuar me vlera evropiane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se Kosova po e dëshmon që është shtet i ndërtuar me vlera evropiane.

Ai ka folur rreth çështjes së liberalizimit të vizave, ku ka thënë se shpreson që më në fund qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza nga 1 janari 2024.

“Derisa presim hapat e ardhshëm, shpresojmë se qytetarët tanë kanë për të qenë në gjendje të udhëtojnë pa viza në Evropë nga 1 janari i vitit 2024”.

“Përveç liberalizimit të vizave, më 15 dhjetor kemi aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE. Kjo perspektivë është konfirmuar nga BE-ja”.

I pari i ekzekutivit, ka folur edhe për dialogun me Serbinë, ku ka theksuar se Kosova është duke u treguar konstruktive dhe kreative në këtë proces.

“Për sa i përket dialogut me Serbinë, jemi konstruktiv dhe kreativ. Besojmë se marrëveshja themelore përbën një avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.

“Sa i përket pakicave, besojmë se Kushtetuta jonë ofron kornizën e mirëfilltë për të siguruar të drejtat e pakicave”.

“Kosova është dëshmuar si shteti më demokratike në rajon. Kemi përjetuar një progres të jashtëzakonshëm në dy vjetët e fundit”.

“Kemi bërë shumë reforma të ndryshme. Kosova është vendi i dytë që ka ratifikuar tri marrëveshjet nga procesi i Berlinit”.

“Kosova po demonstron që është vend i ndërtuar me vlera evropiane – e ardhmja e së cilës është BE-ja”.

Presidentja e Parlamentit Evropian pret Kurtin në Strasburg

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka pritur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në selinë e PE-së në Strasburg.

Mediat lanë vetëm të marrin pamje nga takimi.

Kryeministri Kurti po merr pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me BE-në.

Ai ka zhvilluar edhe takime të tjera me zyrtarë të lartë.

Von Cramon: Implementimi i planit të BE-së do t’i hapte Kosovës rrugën për në BE

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është takuar sot në Strasburg me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Sipas saj, implementimi i planit të Bashkimit Evropian, do t’i hapte rrugën Kosovës drejt bllokut evropian.

“Diskutuam me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për dialogun me Serbinë dhe takimin e ardhshëm në Ohër”.

“Përsërita mbështetjen e plotë për planin e BE-së për Kosovën dhe Serbisë dhe e inkurajova të gjejë një mënyrë për të siguruar zbatimin, pasi me të vërtetë do të hapë rrugën përpara për  Kosovën në”.

​Kurti: Plani i zbatimit i marrëveshjes bazë duhet të përmbajë detaje konkrete

Qëndrimin në Strasburg, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e vijoi me takimin me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, eurodeputetin David McAllister.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti foli për përparimin demokratik të vendit, të njohur tashmë edhe në indekset ndërkombëtare në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsioni, lirinë e medias dhe të drejtave politike dhe lirive civile.

Sipas një komunikate të Qeverisë, krahas, indikatorëve demokratikë, në dy vitet e fundit, u shënua edhe rritje ekonomike, rritje e të hyrave buxhetore pa ndryshuar politikat fiskale, eksporteve, dhe te investimet e huaja direkte.

“Duke dhënë kështu shembullin dhe ofruar dëshminë që demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik mund të shkojnë krah për krah. Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përveçse orientim e synim i hershëm, erdhi edhe si rezultat i progresit në vend, që u njoh edhe nga Raporti i BE-së për vendin. Në takim, u diskutua pikërisht edhe për aplikimin e Kosovës dhe për rrugën përpara, dhe për finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti dhe eurodeputeti McAllister diskutuan edhe për procesin e dialogut të lehtësuar nga BE, për propozimin Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar në Bruksel më 27 shkurt, dhe për takimin që pritet të mbahet këtë fundjavë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Sa i përket planit të zbatimit të Marrëveshje Bazë sipas propozimin Evropian, kryeministri tha se ai duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar.

Në këtë takim, kryeministri Kurti shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti dhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jeta Statovci, anëtare e Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë. 

Kryeministri Kurti takoi eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian

Qëndrimin dyditor në Strasburg të Francës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e filloi me takimin me eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP) në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl nga Austria, Michael Gahler, Rainer Wieland dhe Niklas Herbst nga Gjermania, Karlo Ressler nga Kroacia, Franc Bogovic nga Sllovenia, Vladimir Bilcik nga Sllovakia. EPP përbën grupin më të madh politik në Parlamentin Evropian.

Bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, kryeministri Kurti i njoftoi deputetët evropianë për zhvillimet e fundit në vend, arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbushë plot dy vjet, sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, dhe për përmirësimet në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë, të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare. Së fundmi, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është renditur e para në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të madhe të të hyrave tatimore mes vitin 2020-2022, dëshmi e formalizimit të ekonomisë, mbledhjes së borxheve dhe e gatishmërisë së qytetarëve dhe bizneseve që të paguajnë tatime. Teksa është ngritur për 20 vende në dy vitet e fundit në indeksin e perceptimit të korrupsionit sipas Transparency International.

Në takim gjithashtu u diskutua edhe për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit të kaluar, dhe për aplikimin në Këshillin e Evropës, në maj të vitit të kaluar, dy organizata këto me të cilat shteti dhe populli i Kosovës ndajnë synime, vlera dhe bindje të përbashkëta. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e përkrahjes së Parlamentit Evropian në trajtimin sa më të shpejtë të aplikimeve të Kosovës dhe mbështetjes përgjatë gjithë rrugëtimit integrues. U folë edhe për takimin e 18 marsit në Ohër, mundësitë që paraqet dhe pritjet nga ai takim.

Eurodeputetët dhanë vlerësimin e tyre pozitiv dhe shprehen mbështetjen e plotë ndaj reformave të qeverisë, përparimit demokratik, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Kryeministri Kurti po qëndron në Strasburg për të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mimoza Kusari Lila, Fitore Pacolli Dalipi, Jeta Statovci, dhe Armend Muja.

Kurti udhëton për në Strasburg

Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, ka udhëtuar mbrëmë për në Strasburg.

Kryeministri do të marrë pjesë në takimin e 10-të të Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me BE-në.

Kështu njoftoi Zyra e Kryeministrit, teksa u tha se shefi i qeverisë do të qëndrojë dy ditë atje.

Gjatë qëndrimit dyditor, kryeministri Kurti do të takohet me deputetë dhe kryesues të grupeve kryesore politike të Parlamentit Evropian dhe Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola”, thuhet në komunikatën e ZKM-së

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat