Hovenier: Në rast marrëveshjeje në Ohër, Kosovën do ta mbështesim fuqishëm për anëtarësim në NATO

Aktuale

Hovenier: Në rast marrëveshjeje në Ohër, Kosovën do ta mbështesim fuqishëm për anëtarësim në NATO

Më: 15 mars 2023 Në ora: 13:50
Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në rast se Kosova arrin marrëveshje me Serbinë në Ohër më 18 mars, ajo do ta ketë një mbështetje të shtuar të ShBA-së për anëtarësim në NATO.

Sipas tij, me arritjen e kësaj marrëveshje, Kosova do të dëshmonte që suksesshëm ka arritur të kontribuojë në këtë drejtim.

“Disa elemente të kësaj marrëveshje funksionojnë vetëm nëse ka marrëveshje ndërmjet të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne besojmë se Kosova duhet ta zbatojë atë. Ne kemi folur shumë rreth Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ne besojmë se është një obligim i mëhershëm i Kosovës dhe ne besojmë se është i mirë për Kosovën, pasi që ajo do të ishte më e suksesshme në adresimin e shqetësimeve të komunitetit serb”.

“Fokusi ynë të shtunën është që të ketë një rezultat të suksesshëm dhe ajo që po bëjmë ne, është se po punojmë shumë me Prishtinën dhe Beogradin që të ndihmojmë të krijohen kushtet për të ndodhur marrëveshja”.

Ai ka shtuar se është duke parë mundësi reale për progres dhe se një marrëveshje është e mundshme në Ohër.

“Për vite me radhë, ShBA-ja e ka shprehur vizionin e saj dhe ai është që Kosova të zë vendin e saj në familjen evropiane dhe në NATO. Vizioni ynë është i qartë, që Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s dhe kjo është çështje se si të arrihet deri aty”.

“Në këtë ngjarje, ne arrijmë një marrëveshje në Ohër dhe Kosova shihet si një palë që suksesshëm ka kontribuuar që të arrihet kjo marrëveshje, unë mendoj se do ta shihni një aktivitet të ripërtërirë të ShBA-ve dhe do ta shihni realizimin e këtij vizioni”.

“Më duhet ta përmend edhe një pikë tjetër: NATO merr vendime me konsensus, të gjitha vendimet arrihen me konsensus. Nuk mund të premtoj se aspirata që populli i Kosovës ka mund të arrihet menjëherë, por atë që mund të them është se ju do ta shihni një aktivitet më të shtuar të ShBA-ve në mbështetje të këtij qëllimi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat