Hovenier: SHBA e ka të qartë se Kosova nuk duhet të pajtohet me çkado që është në kundërshtim me Kushtetutën

Aktuale

Hovenier: SHBA e ka të qartë se Kosova nuk duhet të pajtohet me çkado që është në kundërshtim me Kushtetutën

Më: 15 mars 2023 Në ora: 22:14
Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ka ende hapësirë për të themeluar asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin SHBA e ka prioritet dhe e ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që të lëvizë para me këtë, pa marrë parasysh se çfarë bën apo nuk bën Beogradi.

“Vizioni ynë është se ky është një obligim ekzistues por edhe do të ishte gjë e mirë për Kosovën. Këtu kam zhvilluar një takim me palët e interesuara më 31 janar dhe kam dëgjuar nga shumë aktorë të ndryshëm, nuk kishte asnjë përfaqësues serb në atë takim që nuk shprehu dëshirën që ta shohë themelimin asociacionit në një mënyrë apo tjetër. Ka shumë opsione se si do të dukej. Dua të përsëris atë që e ka thënë SHBA-ja në mënyrë të vazhdueshme, se ne i kuptojmë disa prej shqetësimeve që janë ngritur dhe ne besojmë se është shumë e rëndësishme se asociacioni të kontribuojë në funksionimin e duhur të shtetit dhe shoqërisë së Kosovës”, tha Hovenier.

Ai ka thënë se SHBA E ka të qartë dhe nuk beson se është e duhur për Kosovën që të pajtohet për çkado që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Ne nuk besojmë se është e përshtatshme për Kosovën të zbatojë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Këto janë disa nga udhëzimet. Por në këtë hapësirë ka mjaft opsione se çfarë do të jetë kjo gjë. Shpresa jonë është edhe nëpërmjet këtij procesi këtë fundjavë dhe veprimit pasues të qeverisë, kjo do të ecë para, sepse mendojmë se është një element shumë i rëndësishëm për ta ripozicionuar marrëdhënien Kosovë – Serbi, duke e pasur këtë status quo të re dhe më pozitive, por edhe i ndihmon Kosovës që të jetë më e suksesshme në atë që është: një shtet demokratik multi-etnik, që ka provizione dhe struktura për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë të qytetarëve nga komunitetet pakicë”, theksoi Hovenier.

Sipas tij, çfarëdo del nga ky proces duhet të jetë një lloj asociacioni, dhe duhet të përbëhet nga komunat që kanë një shumicë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat