E përmendi Borrell për marrëveshjen Kosovë-Serbi, çka është acquisi evropian?

Aktuale

E përmendi Borrell për marrëveshjen Kosovë-Serbi, çka është acquisi evropian?

Më: 16 mars 2023 Në ora: 11:42
Josep Borrell

“Tash është koha të përqendrohemi në tablon më të madhe dhe të mos lejojmë një dritare munndësie të mbyllet para syve tanë dhe njerëzve në rajon, siç kanë ndodhur në historinë e kohëve të fundit”, shkroi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, para takimit trilateral të Nivelit të Lartë në Ohër.

Borrell tha se “tash është koha” që Kosova dhe Serbia të pajtohen rreth Aneksit të Zbatimit të Plan-Propozimit të Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve.

“BE nuk është thjesht dikush që mban shënime në Dialog, ne jemi dhe mbesim lehtësuesit e Dialogut. BE është shtëpia eventuale e Serbisë dhe Kosovës”, ka shkruar Borrell.

Shefi i Diplomacisë evropiane shprehet i bindur se do të punojë drejt një marrëveshje gjithpërfshirëse “që është e pranueshme për shtetet anëtare të BE’së” derisa shton se “marrëveshja e cila është në tryezë është hap i rëndësishëm drejt këtij objektivi”.

“Do të punoj palodhshëm drejt arritjes eventuale të një marrëveshje gjithpërfshirëse që është e pranueshme për shtetet anëtare të BE’së, që është në linjë me të drejtën ndërkombëtare dhe acquis-in evropian*, që i kontribuon stabilitetit rajonal”.

“Është koha që liderët e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor të tregojnë guxim dhe të tregojnë përgjegjësi të përbashkët për suksesin e procesit të anëtarësimit në BE të rajonit”.

“Detyra e liderit është që t’i çojë njerëzit e tij/saj nga atje ku janë atje ku nuk kanë qenë”, tha një nga kolegët e mi me përvojë. Detyra e liderit është gjithashtu të ofrojë cilësinë e jetës që njerëzit duan, do të shtoja unë, cilësinë e jetës që sjell anëtarësimi në BE”.

* Acquis

Acquis e Bashkimit Evropian (BE) është koleksioni i të drejtave dhe detyrimeve të përbashkëta që përbëjnë trupin e ligjit të BE-së, dhe është inkorporuar në sistemet ligjore të shteteve anëtare të BE-së. Acquis e BE-së evoluon vazhdimisht me kalimin e kohës dhe përfshin:

përmbajtjen, parimet dhe objektivat politike të Traktateve të BE-së;

çdo legjislacion i miratuar për të zbatuar ato traktate dhe praktikën gjyqësore të zhvilluar nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian;

deklaratat dhe rezolutat që miratohen nga BE-ja;

masat në fushën e politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe drejtësisë dhe punëve të brendshme;

marrëveshjet ndërkombëtare që lidh BE-ja dhe marrëveshjet e lidhura ndërmjet vetë shteteve anëtare në lidhje me aktivitetet e BE-së.

Vendeve kandidate (aplikuese) u kërkohet të pranojnë acquis përpara se të anëtarësohen në BE. Derogimet (përjashtimet) nga acquis jepen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe janë të kufizuara në fushëveprim. Acquis duhet të përfshihet nga vendet kandidate në rendin e tyre juridik kombëtar deri në datën e anëtarësimit të tyre në BE, dhe ato janë të detyruara ta zbatojnë atë që nga ajo datë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat