Borrell: Marrëveshja është dakorduar, fokusi në zbatimin e saj

Aktuale

Borrell: Marrëveshja është dakorduar, fokusi në zbatimin e saj

Më: 16 mars 2023 Në ora: 14:46
Josep Borell

“Marrëveshja është e mbyllur, po punojmë me shtojcën për zbatimin e saj”, kështu tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme referuar dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin  shqiptar Edi Rama, Josep Borell tha se kjo marrëveshje do i vendosë Prishtinën dhe Beogradin në një bazë më të qëndrueshme dhe  të sigurt.

“Për sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, në 27 Shkurt patëm një mbledhje të nivelit të lartë në Bruksel që e organizova unë së bashku me presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti. Ramë dakord që nuk nevojiteshin diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian. Ne konsiderojmë se gjuha e kësaj marrëveshje është e mbyllur.

Kjo marrëveshje sjellë shumë shpresë për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. Por një gjë është marrëveshja dhe tjetër gjë është si dhe kur zbatohet kjo marrëveshje. Ka pasur marrëveshje në të shkuarën të cilat nuk janë zbatuar ndonjëherë. Aktualisht është rënë dakord për marrëveshjen por po punojmë për zbatimin e saj.

Ky zbatim është një shtojcë që është pjesë e vetë marrëveshjes e cila do të detyrojë palët të sigurojë dhe të kenë të njëjtin kuptim sa i takon afateve dhe modaliteteve. Kjo marrëveshje i vendos Kosovën dhe Serbinë, më afër në një bazë më të qëndrueshme dhe siguron që dialogu do të vazhdojë me dialogun e gjithëpërfshirjes dhe do të shkojë përtej menaxhimit të krizave”, tha përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian Josep Borell.

Për pritshmëritë nga takimi i Ohrit, ka folur sot edhe, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar nga Serbia ku ka pasur takime me krerët e shtetit, ka mbajtur një konferencë për mediat ku ka folur për pritshmëritë e tij nga takimi i Ohrit.

Escobar ka thënë se marrëveshja që tashmë ndodhet në tavolinë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara.

Escobar, tha sot se mendon se është plotësisht e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare për normalizimin këtë vit.

“Do të kisha dashur që këtë vit të arrihet, dhe mendoj se kjo është plotësisht e mundshme”, u shpreh ai.

Ai thekson se dëshiron që institucionet e Kosovës dhe Serbisë të jenë të lidhura me të gjitha strukturat evropiane.

“Kjo marrëveshje duhet të “hapë derën” sepse më në fund do të kemi normalizim”, vuri në dukje Escobar.

I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.

“Nuk pres që tani të ketë nënshkrime, por shpresoj për progres. Mundësitë do të ishin shumë pozitive për rajonin”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat