Pronat e sekuestruara nga Prokuroria, Rexhep Selimi mbikëqyrte procesin e dhurimit të tyre

Aktuale

Pronat e sekuestruara nga Prokuroria, Rexhep Selimi mbikëqyrte procesin e dhurimit të tyre

Më: 16 mars 2023 Në ora: 15:32
Rexhep Selimi

Prokuroria ka kërkuar që të sekuestrohen 80 parcela që ishin në emër të Agron Kelmendit, biznesmenit nga Peja.

Kjo ka ndodh pasi Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtor atë, vendim ky të cilin e ka vërtetuar edhe Apeli.

Vendimin për sekuestrimin e pronave, Prokuroria e ka mbështetur në faktin se Kelmendi  “s’ka pasur të ardhura për t’i blerë ato”.

Ndaj rastit ka reaguar Kelmendi, i cili ka treguar historinë e kësaj toke.

“Unë këtë tokë e kam blerë në vitin 2004, sepse unë prej vitit 1990 merrem me shitblerje. Ekzistojnë të gjitha fletët poseduese dhe kontratat që unë tokën e kam blerë”, ka thënë Kelmendi.

“Më vonë kam vendosur që atë ta dhurojë për ushtarë, veteran dhe familje të dëshmorëve, të gjitha parcelat janë në emër të atyre që janë dhuruar”, zbuloi ai.

Ai thotë se për këtë çështje as që është thirrur në intervistë nga Prokuroria.

Biznesmeni nga Peja reagon ndaj urdhrit për sekuestrimin e tokave të ushtarëve dhe veteranëve të UÇK-së

Rexhep Selimi e mbikëqyrte procesin e dhurimit të tokave të dhuruara nga Agron Kelmendi

Për dhurimin e këtyre parcelave nga Agron Kelmendi kishte folur edhe Rexhep Selimi, i cili konfirmonte se në këtë projekt ka qenë që nga fillimi dhe e falënderonte biznesmenin nga Peja për këtë “gjest human”.

“Fillimisht dua ta falënderoj zotri Agron Kelmendin i cili vërtetë ka treguar kurajo për t’i ndihmuar ata që i kemi borxh t’i ndihmojmë të gjithë, e sidomos shteti”, thoshte Selimi në një video me emrin “Agron Kelmendi” në YouTube, e cila në këtë rrjet ekziston nga 28 gushti i vitit 2012.

“Kemi punuar bashkë shumë gjatë për të dalë sa më mirë në këtë iniciativë të tij, e falënderoj sepse ai më ka besuar shumë duke kërkuar kontributin tim në përzgjedhjen, duke kërkuar kontributin tim në orientimin e këtij donacioni”.

Tutje Selimi shprehte mendimin e tij se kishin arritur ta orientonin mirë donacionin e dhënë nga Kelmendi.

“Unë menjëherë pas gatishmërisë së Agronit, i cili me një far forme ma ka lanë nën përgjegjësi të menaxhimit të orientimit të këtij donacioni – kam kontaktuar shumë kolegë të mi, shumë bashkëluftëtarë nëpër zona të ndryshme të Kosovës”, thoshte Selimi, i cili konfirmonte se përfitues të këtij donacioni janë ushtarë, veteranë, invalid të zonave të ndryshme dhe brigadave të ndryshme.

“Duke filluar nga Brigada 113 “Mujë Krasniqi”, pastaj nga brigadat tjera të zonës operative të Drenicës, të zonës operative të Dukagjinit dhe të Pashtrikut… ka të Brigadës 138 “Agim Ramadani” etj”.

Kelmendi kishte ndarë katër hektar tokë, ku nga parcelizimi kishin dalë më shumë se 90 troje me nga 3 ari e gjysmë.

Selimi thotë se ishin paraparë të ishin 100 parcela, por “saktësisht janë 93, sepse pjesa tjetër është paraparë të jetë pronë publike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat