Arrestimet e bujshme për barna – Biznesmeni Salihaj për të njëjtën vepër ishte dënuar me 1 mijë e 500 euro

Aktuale

Arrestimet e bujshme për barna – Biznesmeni Salihaj për të njëjtën vepër ishte dënuar me 1 mijë e 500 euro

Më: 17 mars 2023 Në ora: 00:24
Barnatorja Salihaj Pharm”

Policia e Kosovës ka zhvilluar sot një aksion ndaj 7 barnatoreve në kryeqytet nën dyshimin e veprës penale ‘kontrabandim i mallrave’ dhe “tregtia e ndaluar”. 

I arrestuar, siç ka mësuar media ka përfunduar biznesmeni Gzonit Salihaj pronari i barnatores private “Salihaj Pharm”, e cila ndodhet në lagjen Ulpiana.

Kjo nuk është hera e parë që biznesmeni Salihaj ka probleme me drejtësinë, emri veçse është i njohur për organet e rendit e drejtësisë.

Gzonit Salihaj ka qenë i dënuar për “prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore” në vitin 2017. Atë kohë ishte gjobitur me 1500 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Më 27 korrik 2016, gazeta Koha shkruante se si ampulat e dhuruara nga një organizatë amerikane për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës patën përfunduar në barnatore private. Ampulat që ishin gjetur në barnatoren e tij, ishin identifikuar përmes numrit serik.

Për këtë rast, një vit më pas, Gzonit Salihaj ishte dënuar me pesë muaj burgim, por dënimi i ishte zëvendësuar me gjobë.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ju njoftojmë se personi G.S ka qenë i akuzuar për veprën penale Prodhimi dhe Shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore nga Neni 266 par.2 të KPRK-së ku është dënuar nga Gjykata me 5 muaj burg, dënim i cili është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 1500 euro . Ju njoftojmë se ky rast është gjykuar nga një gjyqtare individuale e Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhej në përgjigjen e Gjykatës.

Lokacioni ku është zhvilluar aksioni shtrihet në disa prej lagjeve të njohura të Prishtinës si Kodra e Trimave, Ulpiana, Bregu i Diellit e pjesa tjetër e njohur si “Xhamia e Llapit”.

Përveç Gzonit Salihaj pronarit të “Salihaj Pharm” është arrestuar edhe Shkëlqim Isufi pronar i “Ivy Pharm”.

Siç mësohet cak i aksionit të policisë kanë qenë dy njësitet e “Ivy Pharm”, në lagjen Kodra e Trimave e Breg të Diellit, “Salihaj Pharm” e barnatorja “Rexall”  në Ulpianë si dhe “Duropharm” tek Xhamia e Llapit.

Të njëjtit dyshohet se kanë shitur produkte farmaceutike (barna), të cilat dyshohet se janë kontrabanduar dhe janë të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Siç bëhet me dije në njoftimin e policisë, gjithsej janë sekuestruar 598 lloje të produkteve.

Gjatë kontrollimit, Policia kishte kuptuar se barnat ilegale ishin vendosur në pjesë tjera të lokalit, sipas policisë në formë bunkeri.

“Sot, më 16.03.2023, hetuesit policorë në bashkëpunim me Inspektorët Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë kanë ndërmarrë veprime në teren ku janë kontrolluar shtatë (7) barnatore në kryeqytet. Gjatë kontrollimit në dy barnatore është zbuluar sasi e madhe e barnave pa banderola që dyshohet se janë kontrabanduar. Këto barna ishin të fshehura në pjesë shtesë të lokalit të rregulluar enkas për fshehjen e tyre (në formë të bunkerit)”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet me dije se gjatë këtij operacioni pas zbulimit të kësaj sasie të barnave, është njoftuar edhe Dogana e Kosovës të cilët kanë dalë në teren dhe janë bashkangjitur ekipeve nga institucionet e përfshira në këtë operacion.

“Ekipet policore, inspektorët farmaceutik dhe ekipet nga dogana kanë bërë numërimin e llojit të produkteve të barnave nga ku ka rezultuar se janë sekuestruar 598 lloje të produkteve, kurse sasia e barnave brenda një produkti është më e madhe dhe ka mbetur të numërohen dhe evidentohen nga njësitet përkatëse”

Dy të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Në polici, janë shoqëruar dy persona të dyshuar, pronarë të barnatoreve, të cilët janë intervistuar në prezencën e avokatit të tyre mbrojtës, ndaj tyre janë iniciuar rastet: ’prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’, ‘kontrabandim i mallrave’ dhe “tregtia e ndaluar” dhe me aktvendim nga prokuroi të njëjtit dërgohen në mbajtje deri në 48 orë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat