​Hajdari: Prioritet, mbrojtja e konsumatorëve

Aktuale

​Hajdari: Prioritet, mbrojtja e konsumatorëve

Më: 17 mars 2023 Në ora: 17:21
Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) , Rozeta Hajdari, në kuadër të Javës për Mbrojtjen e Konsumatorit, ka thënë se prioritet i tyre është fuqizimi dhe mbrojtja e konsumatorit.

Në konferencë për medie të premten, Hajdari tha se mbrojtja e interesave ekonomike të konsumatorëve, siguria, cilësia dhe çmimet janë kyçe për ministrinë që ajo drejton.

Hajdari: MINT si prioritet ka fuqizimin e konsumatorëve

"Në funksion të përmirësimit cilësor të shërbimeve, MINT si prioritet ka fuqizimin e konsumatorëve në Republikën e Kosovës, të mbrojë interesat ekonomike të tyre, çështjen e sigurisë, zgjedhjes, cilësisë, çmimit, larmisë, disponueshmërisë, etj., e të ofrojë për konsumatorët mbikëqyrje bashkëkohore dhe transparencë të tregut, si dhe të mbrojë ata efektivisht nga rreziqet të cilët ata nuk mund t’i trajtojnë e zgjidhin në mënyrë individuale. Fuqizimi i konsumatorëve nuk është vetëm një e drejtë, por ka të bëjë edhe me krijimin e një mjedisi të përgjithshëm që u mundëson atyre të shfrytëzojnë këto të drejta dhe të përfitojnë prej tyre, që do të thotë krijim i një sistemi në të cilin ata mund të mbështeten", tha ajo.

Ministrja përmendi edhe disa nga nismat që kanë ndërmarrë për fuqizimin e konsumatorëve.

Hajdari: Kemi miratuar një sërë ligjesh për konsumatorët

"Për fuqizim të së drejtës së konsumatorit, ne kemi miratuar një sërë ligjesh e udhëzimesh administrative, që kanë impakt direkt në mbrojtjen dhe kujdesin ndaj konsumatorëve. Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës, Ligji për Markat Tregtare, Ligji për Inspektimet, e disa ligje tjera të miratuara vitin e kaluar, kanë forcuar aspektin rregullativ juridik. MINT ka nxjerrë edhe disa udhëzime administrative, në kuadër të kujdesit ndaj konsumatorëve, në mesin e tyre edhe ai për Rregullimin e Çmimeve të Produkteve të Naftës dhe Karburanteve të Ripërtërishme dhe masat e tjera mbrojtëse, i cili rregullon çmimet tavan", shtoi ajo.

Ndërkaq, kryesuesja e Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit Safete Rexhepi, tha se është rritur besimi i konsumatorëve në institucione.

Ajo tha se vetëm vitin e kaluar 1237 ankesa janë deponuar nga konsumatorët, ku shumica prej tyre janë zgjidhur.

Rexhepi: Kemi zgjidhur shumicën e ankesave

"Këshilli është mbledhur në disa raste për të diskutuar për problemet qe konsumatori përballet. Nga aktivitetet tona kanë rezultuar zgjidhje dhe adresimin e tyre në mekanizma institucionale. Në vitin 2022, Inspektorati i Tregut ka pranuar mbi 1239 ankesa ku shumë prej tyre janë zgjidhur", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat