Profesori amerikan: Kurti i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen, Vuçiq heziton

Aktuale

Profesori amerikan: Kurti i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen, Vuçiq heziton

Më: 18 mars 2023 Në ora: 08:14
David Phillips

Profesori amerikan, David Phillips konsideron se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është baza e çdo progresi mes të dyjave palëve. Kësisoj, si e tillë, ajo duhej të përfshihej në planin franko-gjerman.

Deklarata e tij vjen pak orë para takimit të madh në Ohër, më 18 mars, ku kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq do të takohen siç thotë Bashkimi Evropian për të finalizuar Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes së Normalizimit.

Ujdia, e pa nënshkruar ende nga palët, nuk parasheh në asnjërin prej dhjetë neneve edhe njohjen e mëvetësisë mes shteteve.

Pa njohje reciproke, procesi i ndërmjetësimit është shumë pak i rëndësishëm. Është koha për një marrëveshje të plotë dhe përfundimtare që edhe Serbia edhe Kosova të jenë vende normale, me njohje ndërkombëtare dhe të integruara plotësisht në sistemin ndërkombëtar”, u shpreh David Phillips.

Phillips, i cili ka punuar si Këshilltar i Lartë dhe Ekspert i Çështjeve të Jashtme në Departamentin e Shtetit gjatë administratave të presidentëve të SHBA-ve, Clinton, Bush dhe Obama, thotë se zbatimi i ankesit do të jetë vështirë i zbatueshëm nga ana e Beogradit.

Andaj ky ka një ide.

“Nëse Vuçiq nënshkruan, Serbia do të gjejë arsye për të vonuar angazhimet e saj duke fajësuar Kosovën. Komuniteti ndërkombëtar duhet të krijojë një “Komision për Rishikimin e Zbatimit” për të matur pajtueshmërinë e të dyja palëve dhe ndëshkimin e saktë për pengimin”, pohoi Phillips.

Autori i librit “Liberating Kosovo”, David Phillips foli rreth pritshmërive që ka nga Prishtina e Beogradi në takimin e Ohrit.

“Besoj se Kosova është e gatshme të nënshkruajë, por Serbia heziton. Vuçiq është një nacionalist serb në thelbin e tij. Ai e sheh normalizimin me Kosovën si një lëshim që do të shkatërronte perspektivat për një Serbi të madhe, një projekt që ai e ka ndjekur gjatë gjithë karrierës së tij”, u shpreh David Phillips.

Sipas David Phillips, Asociacioni mund të nënshkruhet pos nëse ka kompetenca ekzekutive të kufizuara dhe po ashtu nëse të drejtat e ngjashme u përkasin shqiptarëve në Serbi.

Një nga pikat kyçe të planit franko-gjerman është e 10-ta, e cila i obligon Kosovën dhe Serbinë që t’i zbatojnë marrëveshjet e kaluara të dialogut.

E një të tillë Kosova e ka për asociacionin, çështja më e ndjeshme ndër vite.

“Asociacioni mund të nënshkruhet nëse kompetencat ekzekutive janë të kufizuara. Për më tepër, AKS në Kosovë duhet të përputhet me aranzhime të ngjashme për komunitetet etnike shqiptare në Serbi. Duhet të kërkohet simetri dhe reciprocitet”, përfundoi David Phillips.

Takimin në Ohër e thirri Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, ndërsa pjesëmarrjen e konfirmuan presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç thuhet në faqen zyrtare të BE-së.

Përfaqësuesi i lartë, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojë takime të ndara dypalëshe me Vuçiqin dhe Kurtin njëra pas tjetrës, të cilat do të pasohen nga një takim i përbashkët.

Në fund të serisë së takimeve, të cilat nisin në orën 10:00, është planifikuar që Borell t’i drejtohet mediave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat