VOA/ Kurti: Të dënohet refuzimi i Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit

Aktuale

VOA/ Kurti: Të dënohet refuzimi i Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit

Më: 21 mars 2023 Në ora: 20:18
Foto nga takimi në Ohër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën mbrëma se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka refuzuar një ofertë që ai e quajti “zemërgjerë” për vetmenaxhim të serbëve të Kosovës, në një asociacion që kryeministri Kurti tha se do ta hartonte dhe propozonte.

“Pas refuzimit për të nënshkruar marrëveshjen e 27 shkurtit dhe para se të refuzonte sërish të nënshkruante aneksin e zbatimit me 18 mars, presidenti serb refuzoi ofertën time zemërgjerë për vetmenaxhim të serbëve, në një asociacion që unë do ta hartoja dhe propozoja”, shkroi kryeministri Kurti në rrjetin social Twitter.

Më herët gjatë ditës zoti Kurti tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë sjelljen e Serbisë, e cila siç tha ai po refuzon të nënshkruaj pajtimin e arritur në Ohër për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

Ai i bëri këto komente pak ditë pas pajtimit që u arrit në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për planin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

“Edhe marrëveshjen bazë edhe planin e zbatimit tashmë i kemi të dakorduara, për neve kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë, ta dënojnë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë nuk nënshkruaj, e ndërmjet takimeve thotë nuk zbatoj gjë. Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara, nuk mund të flasë se si kurrë nuk do ta njohë Kosovën meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se qëndrimi i tij sa i përket marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nuk ka ndryshuar aspak, ndërsa theksoi se nuk do të zbatojë pjesët e saj që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk ka bisedime për anëtarësim në Kombet e Bashkuara dhe nuk ka njohje. Çdo gjë tjetër që nënkupton normalizim të vërtetë të marrëdhënieve, pa tensione e pa konflikte, Serbia do ta zbatojë”, tha ai në Beograd pas takimit me ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani.

Bashkimi Evropian nuk i është përgjigjur kërkesës së Zërit të Amerikës për të sqaruar qëndrimin e bllokut lidhur me këtë çështje deri në përgatitjen e këtij materjali.

Sipas marrëveshjes së Ohrit, Kosova është zotuar t’i jap një shkallë më të gjerë të “vetë-menaxhimit” komunitetit serb në Kosovë dhe të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit.

Kryeministri Kurti tha se formulimi ‘vetmenaxhim’ i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës.

“Me ndërmjetësit evropian do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, me partnerët tanë amerikanë që i falenderojmë për kontributin e vazhdueshëm, gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe do të duhej që në atë formulimin për vetmenaxhimin e komunitetit serb, të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u përmbushur”, tha ai.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën pasi njoftoi ministrat e Jashtëm të bllokut mbi marrëveshjen e Ohrit, se nënshkrim nuk ka pasur për arsye ligjore, por se palët janë pajtuar për të përmbushur plotësisht detyrimet që dalin nga marrëveshja.

Zoti Borrell e cilësoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si urgjente.

“Nuk niset ndërtimi i shtëpisë nga kulmi, niset nga disa gjëra që janë më urgjente dhe janë disa gjëra shumë, shumë urgjente. Aneksi thekson qartë se Kosova ka marrë obligim që menjëherë të nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne do të ndjekim nga afër se si palët i zbatojnë këto detyrime që janë pjesë integrale e integrimit të tyre evropian”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha të martën se tani çështja thelbësore është mosnënshkrimi i marrëveshjes nga Serbia dhe jo themelimi i Asociacionit.

“Topi është në anën e Serbisë, përse nuk po nënshkruan ajo? Pra në vend se të diskutohet përse nuk po nënshkruan Serbia, më thuhet kur do ta themelosh Asociacionin. Prandaj është e rëndësishme t’i qëndrojmë besnik interesave të Kosovës, shtetëore, të popullit tonë sepse ne kemi qenë konstruktiv e kreativ, të gjitha pyetjet duhet të jenë në Beograd tani”, tha ai.

Plani evropian për të cilin palët u pajtuan më 27 shkurt në Bruksel ndërsa me 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë.

Mosnënshkrimi i dokumentit në takimin e Ohrit ka nxitur mëdyshje nëse marrëveshja mund të trajtohet si ligjërisht e detyrueshme.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara thonë se pavarësisht që kjo marrëveshje nuk u nënshkrua nga palët, ajo është detyrim ligjor i tyre.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të hënën se diskutimi rreth nënshkrimit është “përqendrim ndaj diçkaje që nuk ka ndikim në faktin se ka një marrëveshje, që palët duhet të fillojnë vënien në jetë të saj”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat