Paçarizi: E çuditshme se si pala e Kosovës nuk e ka analizuar tekstin e ankesit

Aktuale

Paçarizi: E çuditshme se si pala e Kosovës nuk e ka analizuar tekstin e ankesit

Më: 22 mars 2023 Në ora: 22:18
Rrahman Paçarizi

Opinionisti Rrahman Paçarizi deklaroi se afatet dhe detyrimet për Kosovën nga komuniteti ndërkombëtar janë shumë të qarta, e nga ana tjetër për Serbinë janë shume relative.

Duke folur për Planin Evropian dhe aneksin e zbatimit të marrëveshjes, ai vlerëson se ajo siguresa që do të duhej të ishte për Serbinë, integrimi i zbatimit të marrëveshjes në kapitullin 35, në fakt nuk ndryshon asgjë te ky kapitull, sepse siç tha, ai i ka paraparë të njëjtat gjëra që parashihen edhe në këtë aneks të marrëveshjes, i cili gabimisht dhe me qëllim të keq po përpiqet të relativizohet si i tillë, dhe se ky aneks është në njëfarë mënyrë zbërthim dhe përcaktim i dinamikave të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit.

“Kurti e ka pranuar që Kosova nuk ka pasur qasje në draftimin e këtij dokumenti, i ka ardhur si dokument që duhet ta pranojnë ose ta lënë, dhe ajo çka ka ndodhur pastaj në Ohër për mua është shumë e çuditshme, se si palët, sidomos pala kosovare, nuk e ka analizuar – sepse s’kanë pasur punë tjetër përveçse ta analizojnë tekstin çka flitet, çka thuhet në tekst, muhabete të tjera janë muhabete”

“Ajo që thuhet në tekst nëse e shohim nenin 7 thotë të njëjtën gjë që ka ndodhur edhe përpara dhe kur ne jemi djegur”, deklaroi ai.

Sipas Paçarizit, palët nuk kanë qasje as për të përcaktuar se cili është modeli i marrëveshjes që do të zgjidhet dhe se i takon ndërmjetësuesit të BE-së që ta zgjedhë modelin dhe këta janë pajtuar që këtë punë ta bëjë përfaqësuesi i BE-së.

“Kjo është shumë e rrezikshme, është shumë e rrezikshme ne ta pranojmë zbatimin e asociacionit, e kemi pas, në anën tjetër të pranojmë diçka shumë më shumë se asociacionin, d.m.th një nivel i vetëmenaxhimit, dhe Kurti po luan me simbolika – deri tani ka thënë ‘nuk ka asociacion, është një vetëmenaxhim’ dhe njerëzit e kanë ngrënë këtë fore. Kurti është goxha mjeshtër me i bind pasuesit e vetë me këto simbolika, me lojëra me fjalë”, u shpreh Paçarizi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat