Tahiri: Zgjedhjet në veri mund të jenë një bombë e kurdisur për këtë marrëveshje

Aktuale

Tahiri: Zgjedhjet në veri mund të jenë një bombë e kurdisur për këtë marrëveshje

Më: 23 mars 2023 Në ora: 13:05
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka deklaruar sot se situata në vend është kritike dhe serioze. Sipas tij, kryeministri nuk duhet të humbasë cakun dhe të mos e shfrytëzojë këtë proces si diskutim mes pushtetit dhe opozitës. Në raportimin e kryeministrit për marrëveshjen e Ohrit, Tahiri ka theksuar se marrëveshja është përmbyllur në ditën kur është dakorduar dokumenti i parimeve. Po ashtu, shefi i deputetëve të AAK-së ka thënë se zgjedhjet në veri mund të jenë një bombë e kurdisur për këtë marrëveshje.

Ai ka potencuar se është jetike për vendin që përmbajtja dhe procesi i dialogut t’i shërbejë qëllimit madhor të vendit.

Tahiri: Gjendja në vend është shumë serioze, është kritike

“Gjendja në vend është shumë serioze, është kritike, si në aspektin e sigurisë po ashtu edhe në të gjitha arritjet që ky shtet i ka pasur tash e 20 vjet. Edhe pse qeveria dhe shumica mendon që nuk ka pasur arritje, mirëpo rrugëtimi i lirisë, i shtetit të Kosovës karakterizohet me një shtet-ndërtim dhe me shumë arritje”, ka thënë Tahiri.

Tahiri është shprehur se në trupën që duhet të themelohet në aneks, Kuvendi i Kosovës duhet të kërkojë përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tahiri: Marrëveshja është përmbyllur në ditën kur është dakorduar dokumenti i parimeve

Duhet të jemi të sinqertë me qytetarët e Kosovës, marrëveshja është përmbyllur në ditën kur është dakorduar dokumenti i parimeve. E dyta, aneksi i cili është dakorduar në Ohër është pjesë integrale e një marrëveshje, e cila u jep detyrimeve palëve, në këtë rast Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Me këtë marrëveshje, dialogu dhe diskutimi me BE do të vazhdojë me vite. Për ne kjo duhet të përdoret si mundësi e forcimit të shtetit të Kosovës, por në të njëtën kohë është një potencial për lëshime, gabime dhe për dështime”, ka shtuar Tahiri.

Çdo formulim i aneksit, siç ka thënë Tahiri, mund të flasë për negociim të palëve.

Tahiri: Është tepër e rëndësishme që kryeministri mos ta humbë cakun

“Është tepër e rëndësishme që kryeministri mos ta humbë cakun, mos ta humbë qëllimin, mos të merret dhe të mos shfrytëzojë këtë proces si diskutim mes pozitës dhe opozitës. Si luftë e pushtetit ndaj opozitës, por si mundësi që të mos i ikë asnjë detaj dhe të marrë kujdesin e veçantë dhe të përkushtohet për arritjen e njohjes reciproke. Ne e dimë që në këtë dokument nuk është njohja reciproke, mirëpo synimi përfundimtar i vendit tonë të jetë njohja reciproke. Në radhë të parë kërkohet një qasje, një sjellje prej burrështetasi, e dyta kërkohet pragmatizëm, energji dhe kapacitete”, ka vijuar Tahiri në seancën plenare.

Shefi i deputetëve të AAK-së ka kërkuar edhe vendosjen e rendit dhe ligjit në komunat veriore në mbajtjen e zgjedhjeve.

“Derisa na po flasim këtu, dihet saktësisht se ky proces, pra zgjedhjet në veri të Kosovës mund të jenë një bombë e kurdisur edhe për këtë marrëveshje. Reflektimi serioz i kryeministrit, i presidentes dhe i joni në kuvend në këtë gjendje është jetik”, ka thënë shkurt ai.

Tahiri ka theksuar tri elemente me rëndësi, të cilat sipas tij, duhet të trajtohen në kuadër të aneksit. Tahiri është shprehur se asociacioni është në marrëveshje. Ai ka shtuar se çështja e dytë është e Kishës Ortodokse, me ç’rast, ka thënë se nuk ka ekstra-territorialitet. Po ashtu, është shprehur se elementi i tretë me rëndësi është qëndrimi për benefitetet që merr Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat