​Krasniqi: Kurti në vilën e Titos i ka pranoi të gjitha ato që premtoi se nuk do t’i bënte

Aktuale

​Krasniqi: Kurti në vilën e Titos i ka pranoi të gjitha ato që premtoi se nuk do t’i bënte

Më: 23 mars 2023 Në ora: 13:23
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka bërë marrëveshje me Serbinë në vilën e kasapit të shqiptarëve, Titos. Ai teksa ka kritikuar ashpër Kurtin për marrëveshjen e Ohrit, tha se i njëjti ka përmbysur krejt jetën e tij politike. Në seancë plenare, ai shtoi se kryeministri i Kosovës ka pranuar mos-njohjen dhe që ky ndryshim është i turpshëm.

Në raportimin për marrëveshjen e së shtunës në Ohër, kryetari i PDK-së theksoi se dëmet potenciale të kësaj marrëveshje janë të shumta dhe ngrit pikëpyetje më shumë se që jep përgjigje.

Krasniqi shtoi se me deklaratën e mbrëmshme të Kurtit për asociacionin, ai përmbysi krejt jetën e tij politike.

Krasniqi: Në villen e kasapit të shqiptarëve i ka pranuar krejt ato që ka premtuar se nuk pranoj

“Sot jemi dëshmitarë të degradimit esencial të krejt procesit të dialogut dhe pyetja e parë që duhet t’ia bëjmë kryeministrit, që e kemi sot prezent është me pyet ‘kryeministër, çka ka, çka s’ka?’. A ka zajednicë, a ka asociacion, sepse me një fjali mbrëmë, kryeministri i Kosovës ka përmbys krejt jetën e tij politike, por unë së paku e uroj për sinqeritetin e tij, sepse po ka asociacion. Ashtu siç tha ky mbrëmë, ka asociacion edhe ka pasur asociacion sa herë që ky ka thënë që nuk ka asociacion. Por, loja me fjalë e ka afatin e skadimit. Fjalët skadojnë atëherë kur duhet me filluar me ndërmarrë veprime dhe kryeministri veprimet i ka marrë mbi vete për ironi të fatit të Kosovës, fatkeqësisht, se të tij nuk është shumë me rëndësi, në villën e Josip Broz Titos, të kasapit të shqiptarëve, i ka pranuar krejt ato që ka premtuar që nuk do i pranojë kurrë”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi shtoi se kapërcimin më të madh politik të shqiptarëve e ka bërë Albin Kurti, kur ka pranuar negociatat për serbët e Kosovës.

Krasniqi: Nga marrëveshje finale në autonomi në qendër

“Unë vërtetë mund të them se kryeministri ndoshta nuk ka bërë tradhti kombëtare, por tradhti ndaj ndjekësve të vet, ndaj votuesve të vet, ndaj militantëve të vet pa dyshim që ka bërë, sepse u ka premtuar gjithmonë se nuk do të ketë asociacion, nuk do të ketë zajednicë, ndërsa sot jo vetëm asociacion por ka rrezikuar t’u jap autonomi politike serbëve të Kosovës. Nuk ka mbetur pothuajse asgjë pa u thënë për këtë marrëveshje, por ato që tashmë janë fakte kokëforta por edhe fatkeqe për tërë këtë proces dihen. Nga marrëveshja finale, gjithëpërfshirëse, me njohjen ndërsjellë në qendër, ne sot jemi në marrëveshje të përkohshme, të pjesshme dhe me autonomi në qendër”, shtoi ai.

Ky degradim i procesit, siç e quajti Krasniqi, është përgjegjësi e kryeministrit Albin Kurti i cili ka pranuar mos-njohjen e vendit.

Krasniqi: Kryeministri e Kosovës e ka pranuar mos-njohjen

“Kryeministri e Kosovës e ka pranuar mos-njohjen. Ky është ndryshim i turpshëm, është dorëzim, është dorëzim me thënë që tekst më të mirë nuk kemi mujt me marrë në këtë situatë. Situatën para se gjithash e ka krijuar ky kryeministër, nuk ka pikë prej qiellit. Para një viti ka mundur me pas tekstin më të mirë. Tekst që së paku nuk e pranon mosnjohjen nga Serbia, sepse esenca e kësaj marrëveshje është se ka degraduar nga arritje e njohjes së ndërsjellë në pranimin formal të mosnjohjes së ndërsjellë”, deklaroi Krasniqi në seancë plenare.

Më tej, kryetari i PDK-së deklaroi se Kurti me arrogancën e tij dhe gabimet e njëpasnjëshme, ka ndikuar që edhe partnerët të humbasin ambicien për marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat