“A jeni serbofil z. Kryeministër?” Selmanaj ia citon Kurtit deklaratën e vitit 2015 për “Zajednicën”

Aktuale

“A jeni serbofil z. Kryeministër?” Selmanaj ia citon Kurtit deklaratën e vitit 2015 për “Zajednicën”

Më: 23 mars 2023 Në ora: 18:25
Driton Selmanaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se Kosova ka ardhur në një situatë të vështirë të dialogut me Serbisë pas sjelljeve të papërgjegjshme të Qeverisë Kurti në veri të Kosovës.

Ai ka cituar emisarin special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak i cili në një intervistë televizive në Kosovë u shpreh se s’mund të ketë marrëveshje finale në momente të krizave në veri.

Selmanaj ka komentuar deklarimet e Kurtit për Asociacion dhe vetmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Kryeministri mbrëmë e tha se do të ketë Asociacion, po sot po thotë diçka tjetër, vetmenaxhim, por as z. Blinken, as Escobar, as Hovenier, as Borrell e as Lajçak s’po e përmendin vetmenaxhimin, ata po flasin për Asociacion.”, tha Selmanaj.

Më tutje, Selmanaj është shprehur se Kurti u ka thënë ndërkombëtarëve të nxjerrin një përshkrim tjetër për Asociacionin.

“Kryeministri i ka thënë atyre, nxjerreni çfarëdo përkufizimi se s’po mund ta shes në popull, unë bëj çfarëdo që thoni ju…Prandaj, po të jeni më serioz do të ishte më mirë për vendin, është mirë të sqarohet se çfarë nënkupton ti me këtë lloj përkufizimi, ku do ta paketosh në sistemin tonë juridik, cili pushtet është, në cilin dollap do ta paketosh këtë çështje?.”, ka pyetur Selmanaj.

Selmanaj ka pyetur për statusin e Kishës Ortodokse Serbe derisa e ka pyetur Kurtin a do ta dërgojë në Kushtetuese për konsultim statutin e Asociacionit.

“Frika jonë është që po e kaloni edhe marrëveshjen e 2015-tës dhe më s’po flasim për të, çështja është krejtësisht tjetër, fatkeqësisht dhe tani do shkojmë drejt autonomisë regjionale… Uroj kurrë të mos ndodh, por kam filluar të dyshoj në agjendën tuaj dhe kjo e rrezikon rëndë edhe rendin juridik por edhe demokracinë kushtetuese në Kosovë”, tha Selmanaj.

Selamanaj tha se Kurti i ka bërë dëm vendit në tri drejtime.

“Dhe cilat janë përfundimet që unë i shoh? E keni betonuar mos fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, e keni betonuar statusin e Kosovës si vend me konflikt. Ja keni lënë barrë popullit të Kosovës edhe së paku 1 dekadë me u marrë me këtë temë sa delikate, aq edhe të vështirë.”, tha Selmanaj.

Krejt në fund, deputeti i LDK-së ia ka kujtuar Kurtit një deklaratë të tijën ku thotë se “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush që nuk është serbofil”.

“A jeni serbofil z. Kurti? Nëse e pranoni Asociacionin, a i bie që jeni serbofil? Dhe nëse kjo rrugë na çon drejt asaj, në konstatimin tuaj, jo timin, atëherë unë po bindem që fatkeqësisht që jeni kryeministër i këtij vendi e punoni kundër interesave të shqiptarëve?”, tha Selmanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat