Rasti “Ukë Rugova”, Prokuroria Speciale refuzon akuzën për njërin nga të akuzuarit

Aktuale

Rasti “Ukë Rugova”, Prokuroria Speciale refuzon akuzën për njërin nga të akuzuarit

Më: 27 mars 2023 Në ora: 16:15
Uke Rugova

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, në gjykimin ndaj ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit, është dhënë fjala përfundimtare, ku për të akuzuarin Petani, Prokuroria Speciale, ka kërkuar aktgjykim refuzues, me arsyetimin se për të njëjtin, Gjykata e Romës ka nxjerrë aktgjykim lirues.

Pesë të akuzuarit në këtë rast, ngarkohen se duke vepruar si grup kriminal, për qëllime të përfitimit material, i kanë pajisur qytetarët në mënyrë të jashtëligjshme me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja speciale Florije Shamolli, në fjalën e saj përfundimtare ka thënë se meqenëse i akuzuari Petani po akuzohej edhe në Itali për të njëjtat vepra penale, Prokuroria Speciale ka qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetin e Italisë si në fazën e hetimit ashtu edhe gjatë gjykimit, duke bashkëpunuar në të gjitha provat materiale të cilat janë administruar në qytetin e Romës.

Prokurorja speciale Shamolli i propozoi gjykatës që meqenëse Gjykata e Romës ka nxjerrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Petani, ndaj tij gjykata të nxjerrë aktgjykim refuzues, pasi që në bazë të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, askush nuk mund të gjykohet për të njëjtën vepër penale dy herë dhe askush nuk mund të dënohet për vepër për të cilën është liruar apo dënuar për të njëjtën çështje.

Kurse, sa i përket të akuzuarve të tjerë, Shamolli tha se qëndron pranë kualifikimit juridik, duke i propozuar gjykatës që të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Ukë Rugova, avokati Nexhat Shabani, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se në rastin konkret jo vetëm se nuk kemi të bëjmë me veprat penale të kryera nga i mbrojturi i tij, por që sipas tij këtu ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të njeriut, cenimin e privatësisë, privimit të kundërligjshëm nga liria si dhe shkelje të Konventës së Vienës.

Ai tha se shkeljet e të drejtave të njeriut kanë ndodhur edhe në raport me anëtarët e familjes së të akuzuarit Ukë Rugova, me sekuestrimin e pasurisë së tyre, e cila sipas tij fare nuk është përfshirë në aktakuzë për konfiskim.

Sipas avokatit Shabani, përshkrimi faktik se i akuzuari Rugova në mënyrë të kundërligjshme ka marrë viza për këta persona, ka mungesën e emërtimit të personave të korruptuar dhe shumën e korrupsionit.

Sipas tij, dispozitivi i aktakuzës së ndryshuar ka mbetur i përgjithësuar, pa precizime dhe konfuze sikurse e para, e cila kinse është rregulluar.

Avokati Shabani tha se nga dëshmitarët e dëgjuar rezulton se asnjëri nuk involvoi asnjë të akuzuar për marrjen e parave apo ndonjë shërbim nga të njëjtit dhe se ata nuk kualifikohen si migrantë, pasi që provat e siguruara nga bastisja sipas tij nuk paraqesin prova për vërtetimin e cilitdo element qenësor të veprave penale të përfshira në aktakuzë.

I njëjti ka kërkuar nga gjykata që të merret aktgjykim lirues dhe t’iu kthehen të gjitha sendet e sekuestruara pronarëve të tyre.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Izet Beqiri, avokati Besnik Berisha, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se beteja për drejtësi në këtë çështje penale ka marrë plot një dekadë dhe se sot para vetes do të donte të kishte ‘arkitektin’ e kësaj aktakuze.

“Po t’i vazhdohej mandati gjyqtarit të EULEX-it që mori për trajtim aktakuzën në shqyrtimin fillestar jam i bindur se ky proces nuk do të zgjaste asnjë ditë, për shkak se qysh atëherë në aktvendimin e këtij gjyqtari ishin dhënë vërejtje serioze të arsyetuara në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, vërejtje këto që asnjëherë nuk u korrigjuan nga Prokuroria”, tha Berisha.

Sipas tij, në këtë proces janë dëgjuar së paku 30 dëshmitarë nga lista e prokurorit fillestar, i cili tha se kishte selektuar në atë kohë dëshmitarët më relevantë për të akuzuarit këtu.

Të gjithë nën betim dhanë vetëm një arsyetim: ata asnjëherë nuk kishin paguar asnjë cent për vizat e siguruara, madje shumë nga ta as koston administrative e as sigurimin shëndetësor”, tha Berisha.

Ai tha se lista e këtyre dëshmitarëve për çudi nuk gjen vend në fjalën përfundimtare të Prokurorisë, jo për shkak se ata nuk thanë asgjë, por për shkak se nuk inkriminuan askënd.

Sipas avokatit Berisha, gjykata do të vërejë se asnjë provë, asnjë dëshmitar, asnjë masë e fshehtë e hetimit dhe vëzhgimit, nuk provuan veprën penale bazë të krimit të organizuar, trafikimit me migrantë.

Sipas tij, secili nga personat e proceduar si dëshmitarë, mohoi në mënyrë kategorike parregullsinë me dokumente personale, pohuan kalimin në pikat e rregullta kufitare dhe po ashtu respektimin e plotë të afatit të përcaktuar me vizë dhe kushteve që parashihte qëndrimi në shtetin respektiv.

Tutje, ai tha se aktgjykimi i Gjykatës në Itali nuk shfajësoi vetëm Florjan Petanin, por edhe ambasadorin Michael Giffon bashkë me konsulin Habib, duke rrëzuar pretendimin për krim të organizuar dhe duke rrëzuar pretendimin se vizat janë marrë me korrupsion, pasi që vizat ishin lëshuar nga Giffoni dhe po të kishte korrupsion ai do të mbahej përgjegjës.

“Edhe në Itali ishin pikërisht personat këtu, pra çështja u gjyku në themel edhe në Itali, atje u fol për Ukë Rugovën, atje u gjykua letra e Ukë Rugovës, atje u gjykua relacioni i familjes Rugova me Ambasadën Italiane dhe atje u konstatua se rekomandimi nuk përbën urdhër e aq më pak nuk mund të konsiderohet nxitje sepse ishte në diskrecionin e Ambasadës për t’i lëshuar kujtdo që kishte pasaportë valide, dy fotografi dhe aplikacion të mbushur me të dhënat e tij”, tha Berisha.

Sipas tij, Prokuroria nuk mund t’i mbyll sytë para këtij aktgjykimi, sepse sipas avokatit Berisha nëse diku ky aktgjykim ka sjellë liri, këtu vetëm e konfirmon se ndaj të akuzuarve kishte padrejtësi.

Ai tha se të mbrojturin e tij Prokuroria edhe më tutje padrejtësisht e ngarkon me veprën penale të armëmbajtjes, ndonëse janë dhe ishin në dijeni se arma që ishte sekuestruar në shtëpinë e tij ishte armë me leje e që bashkë me armën ishte sekuestruar edhe leja nga organet kompetente.

Në fund, avokati Berisha tha se aktakuza në kurriz të Izet Beqirit dhe të tjerëve u provua se ishte e padrejtë, e kundërligjshme, pa mbështetje në prova dhe këtë pjesërisht e ka konfirmuar tashmë edhe vendimi i Gjykatës në Itali, andaj kërkoi nga gjykata aktgjykim lirues, duke shtuar se do të riparonte sado pak pasojat për të akuzuarit.

Më pas, në fjalën e saj përfundimtare, mbrojtësja e të akuzuarit Qefser Baholli, avokatja Luljeta Jashari-Hertica ka thënë se për të mbrojturin e saj Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë dëshmi apo provë të pranueshme, për të mbështetur dyshimin mirë të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale të cilat i vihen në barrë.

Sipas saj, Prokuroria në aktakuzë nuk e ka bërë të qartë se cilat veprime i ka ndërmarrë i mbrojturi i saj, duke mos përcaktuar qartë pozitën e tij, duke vërtetuar faktin se aktakuza është e pa mbështetshme në gjendje faktike, prova dhe dëshmi të qëndrueshme.

Avokatja Jashari-Hertica tha se edhe sa i përket veprës penale armëmbajtje pa leje, nuk është vërtetuar me asnjë provë, se i akuzuari Baholli të ketë kryer këtë vepër pasi që tha se në shkresat e lëndës ndodhen edhe provat me të cilat vërtetohet se armën e ka pasur me leje dhe në kohën kur i është sekuestruar, ai ka pasur të paraqitur kërkesën për vazhdim të lejes.

E njëjta ka kërkuar nga gjykata që të nxjerret aktgjykim lirues, pasi që sipas saj nga aktakuza e Prokurorisë nuk është provuar dhe nuk është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar në të, as nga provat e marra nga masat e fshehta e as nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe dokumentet e konfiskuara në banesat e të pandehurve.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Astrit Haraqija, avokati Korab Bokshi, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se kjo procedurë penale që në fillet e saj ka pasur mangësi në një hetim të drejtë, për çka për pasojë ka pasur një proces të gjatë dhe të mundimshëm gjyqësor.

Ai tha se në pjesën e përshkrimit të veprimeve penale të të akuzuarit Haraqija, nuk janë dhënë të dhëna konkrete me anë të së cilave do të plotësohej mozaiku i figurës së veprave penale të cilat i vihen në barrë.

Sipas avokatit Bokshi, as nga dëgjimi i dëshmitarëve nuk është arritur të argumentohet se ndokush është pajisur me dokumente të udhëtimit të falsifikuara, pasaportë apo vizë.

Ai ka konsideruar se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor është vërtetuar përtej çdo mëdyshje se i akuzuari Haraqija nuk ka ndërmarrë asnjë veprim të ndaluar me ligj, aq më pak të ketë kryer veprat të cilat i vihen në barrë. Andaj, i propozoi gjykatës që të nxjerrë aktgjykim lirues.

Të akuzuarit, gjatë kësaj seance kanë mbështetur fjalët përfundimtare të mbrojtësve të tyre.

Paraprakisht, kjo seancë ka filluar rishtazi pasi që sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Fatime Dërmaku, kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga seanca e fundit, me arsyetimin se është pritur për aktgjykimin e Romës për të akuzuarin Florjan Petani dhe për shkak të ndërrimit të trupit gjykues, ashtu që në këtë seancë në vend të anëtarit të rregullt gjykues, gjykatësit Kushtrim Shyti, i cili tha se është në pushim mjekësor, ka qenë gjykatësi Eroll Gashi.

Po ashtu, në këtë seancë janë konsideruar si të lexuara të gjitha veprimet procedura dhe trupi gjykues sipas detyrës zyrtare ka administruar si provë aktgjykimin e Gjykatës së Romës.

Shpallja e aktgjykimit u caktua të bëhet më 30 mars 2023.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Kjo lëndë, më pas ishte caktuar te gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, e cila nuk kishte caktuar asnjë seancë në vitin 2018, me arsyen që ky rast nuk ishte prioritet për gjykatën.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendorë, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen. Të pafajshëm ishin deklaruar edhe në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014, ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i paautorizuar i armëve, ku në rezidencën e tij i ishin gjetur një pistoletë dhe dy karikatorë.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.

Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Në këtë rast, Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Florjan Petanit, Qefser Bahollit dhe Izet Beqirit janë duke u gjykuar ndaras, pas veçimit të procedurës ndaj tyre, pasi sipas ish-gjykatëses së rastit Naime Krasniqi-Jashanica, me këtë formë gjykimi do të jetë më efikas. Pra, rasti është ndarë në dy pjesë, ku pesë të akuzuarit e lartpërmendur po gjykohen veçmas nga 15 të akuzuarit tjerë.

Prokuroria pretendon se ky grup, siç e cilëson kriminal, kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat