Dëshmitari thotë se i akuzuari duhej t’ua jepte 100 mijë euro lidhur me autorizimin për ta punuar ¼ e pacelës

Aktuale

Dëshmitari thotë se i akuzuari duhej t’ua jepte 100 mijë euro lidhur me autorizimin për ta punuar ¼ e pacelës

Më: 29 mars 2023 Në ora: 17:03
Foto ilustrim

Dëshmitari Allmir Bilibani, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, tha se i akuzuari Rizman Sheqiri duhej t’ua jepte 100 mijë euro për autorizimin për ta punuar ¼ e parcelës.

Në këtë rast, i akuzuari Sheqiri ngarkohet se ka vënë në lajthitje të dëmtuarin Shemsedin Bilibani, duke i shkaktuar dëm mbi 90 mijë euro me rastin e lidhjes së një kontrate të shitblerjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, dëshmitari Bilibani tha se në vitin 2013 i akuzuari Sheqiri kishte shkuar në shtëpinë e tyre të bisedonin rreth dhënies së autorizimit për ¼  e asaj parcele, për të cilën i akuzuari do t’ua jepte 100 mijë euro, por ato para thotë se nuk ua kishte dhënë.

Ndërsa, ka thënë se ishin takuar edhe më pas me të akuzuarin për t’ia kërkuar të hollat që sipas tij, ai iu kishte premtuar t’ua jepte dhe kurrë nuk ua kishte dhënë. Ai tha se prona tani është në emër të të akuzuarit.

Kurse tha se pas takimit, i akuzuari kishte propozuar t’ua jepte pompën e derivateve, e cila gjendet në Skenderaj. por kishin refuzuar sepse siç ka thënë ai nuk iu duhej pompa, por paratë.

Fillimisht, në cilësinë e dëshmitarit është dëgjuar Bashkim Laloshi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Halim Borovci, ka deklaruar se me të dëmtuarin Bilibani dhe Raif Karaxhin, është takuar në Prizren.

Ai tha se më pas kanë shkruar në Skenderaj në lokalin e të akuzuarit Rizman Sheqiri, e që sipas tij, i dëmtuari Bilibani kishte thënë se ia kishte shitur një truall të akuzuarit, kurse ai kishte shkruar pasi i dëmtuari Shemsedin e kishte kërkuar një gjë të tillë, me arsyetimin se nuk kuptonte mirë gjuhën shqipe.

Dëshmitari Laloshi, tutje ka thënë se takimi  nuk kishte zgjatur shumë rreth 20 minuta, ndërsa në tavolinë ishin ai, i dëmtuari Bilibani, Karaxhi dhe i akuzuari Sheqiri.

Ndërsa, sa i përket pazarit rreth asaj prone, dëshmitari Laloshi tha se nuk ka qenë aty kur ishte bërë dhe sipas asaj që i kishte thënë i akuzuari Sheqiri, pagesën kishin për ta bërë me këste.

Dëshmitari Laloshi ka shtuar se ai nuk kishte parë para dhe as asgjë tjetër, vetëm e kishte përkthyer deklaratën mes Bilibanit dhe Sheqirit.

Ndërsa gjatës seancës, mbrojtësi i të akuzuarit Sheqiri, avokati Kadri Hysaj kërkoi që t’i dorëzohet deklarata e dhënë te avokati i Laloshit si dhe autorizimi për ¾ e pjesës së pronës.

Lidhur me këtë kërkesë, prokurori Borovci tha se duhet të konsultohet me prokuroren e rastit, Arbëresha Shala.

Pas tij, në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua Raif Karaxhi, i cili kishte thënë se ishte takuar me të dëmtuarin Bilibani dhe të akuzuarin Sheqiri para 10 viteve, por që për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk i kujtohej data, koha dhe muaji.

Tutje, dëshmitari Karaxhi sa i përket atij takimi, theksoi në pyetje kishte qenë një pllac apo objekt te “Grandi” në Prishtinë, e për të cilin ishte arritur një marrëveshje.

I njëjti, për marrëveshjen e lartcekur deklaroi se e di që ishin dhënë 2 mijë euro për shpenzime.

Tutje, dëshmitari Karaxhi ka thënë se shuma për të cilën kishin arritur marrëveshje i dëmtuari me të akuzuarin ishte 100 mijë euro, ndërsa deri në kohën kur ai kishte shkuar në Zvicër ajo shumë nuk ishte e paguar.

Ndërsa, ka thënë se ai nuk e kuptonte gjuhën shqipe, por e dinte që gojarisht kishin arritur një marrëveshje dhe se e njëjta nuk ishte respektuar.

“Po kam dëgjuar, por me shkrim unë nuk kuptoj gjuhën shqipe, gojarisht e di që kanë arritur një marrëveshje, por ajo marrëveshje nuk është respektuar”, tha dëshmitari Karaxhi.

Ndërsa, lidhur me këtë marrëveshje ka thënë se më vonë ka dëgjuar se kishte pasur kontratë, por ai nuk e kishte parë me sytë e tij atë.

I pyetur nga i akuzuari se a i kishte kërkuar bakshish për tokë, dëshmitari tha se nuk ishte e vërtetë.

Më pas, Karaxhi i pyetur nga përfaqësuesja e të dëmtuarit Allmira Mustafi, se para se të vinte në seancë, a kishte marrë ndonjë thirrje nga personi i tretë lidhur me këtë rast, tha se kishte marrë një thirrje nga Abaz Ademi, që i kishte thënë të thoshte “asgjë nuk ke parë, asgjë nuk ke ni ma mirë për ty”.

Sa i përket kësaj telefonate, dëshmitari Karaxhi ka thënë se duke e shikuar nga njëra anë, është ndjerë i kërcënuar, nga ana tjetër jo. Kurse, tha se në rast se do të përmbushej marrëveshja, nuk do të ishin sot aty.

Trupi gjykues refuzoi disa pyetje të bëra nga mbrojtësi i të akuzuari dhe përfaqësuesi i të dëmtuarit, me arsyetimin se ishin sugjestive dhe udhëzuese.

Në këto rrethana, meqenëse ishte koha e pauzës, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa për seancën e radhës palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe, ky rast fillimisht ishte tek gjykatësi Hanefi Jashari, por meqenëse kishte dalë në pension lënda ishte bartur tek gjykatësja Sulltane Hoti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 gusht 2016 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rizman Sheqiri akuzohet se më 20 shtator 2013, me qëllim të përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Shemsedin Bilibani.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri e ka nxitur të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke e shitur pronën e tij në sipërfaqe prej 120 m2 apo ¼ e sipërfaqes së përgjithshme prej 478 m2, me çmim prej 90 mijë e 950 euro dhe pas kësaj shitje edhe e ka nxitur të kryejë veprimin tjetër në dëm të pasurisë së tij, duke nënshkruar kontratën e përpiluar te noteri më 24 shtator 2013 për shitblerjen e paluajtshmërisë, ngastrës përkatëse kadastrale në vlerën e cekur më lartë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri edhe pse e ka ditur se i dëmtuari është i nacionalitetit boshnjak dhe nuk e ka kuptuar kontratën që e ka nënshkruar në gjuhën shqipe, të dëmtuarit Shemsedin Bilallit i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme material në vlerë prej 90 mijë e 950 euro.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim”, nga neni 335, paragrafi 5 lidhur me par.1 të  Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo për të cilën kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 10 vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat