Shtëpi, dyqan e tokë gati 800 mijë euro: Pasuria e njeriut që do të jetë në krye të BQK-së përkohësisht

Aktuale

Shtëpi, dyqan e tokë gati 800 mijë euro: Pasuria e njeriut që do të jetë në krye të BQK-së përkohësisht

Më: 29 mars 2023 Në ora: 19:06
Bashkim Nurboja

Pas përfundimit të mandatit të të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe mungesës së zëvendësuesve, këtë detyrë përkohësisht do ta marrë, Bashkim Nurboja, kryetar i bordit. 

Në deklarimin e tij, kryetari i tanishëm i bordit të BQK-së kishte treguar se përveç pozitës në BQK, ishte edhe ligjërues në një prej universiteteve private.

Megjithatë, ajo që bie në sy është pasuria e paluajtshme e deklaruar nga personi i afërt me LVV-në, ku tregonte se ka dy shtëpi, tokë dhe dyqan të cilat së bashku, arrijnë vlerën e 760 mijë euro.

Nurboja kishte deklaruar se ka një shtëpi 250 metra katrorë e cila arrin vlerën e 200 mijë eurove dhe është në pronësi të përbashkët. Te prejardhja e pasurisë, shkruan nga “prindërit”.

Veç kësaj, ai kishte treguar se ka edhe një tokë në sipërfaqe prej 4 mijë e 635 metrave katrorë, e cila arrin vlerën e 400 mijë eurove, dhe është në pronësi të vetë atij.

Po ashtu, ai para një viti deklaronte se ka edhe një shtëpi tjetër 110 metra katrorë, e cila ka vlerë prej 110 mijë eurove, dhe është në pronësi të përbashkët.

Veç kësaj, sipas asaj që shkruan në AKK, ai duket se ka edhe një dyqan 17 metra katrorë, i cili kushton po ashtu 50 mijë euro. Pronësia, edhe këtu është e përbashkët.

Ndërkohë, ai kishte raportuar si pasuri të luajtshme një veturë, e cila duket se i ka kushtuar nëntë mijë euro.

Nurboja deklaronte se ka mbi 2 mijë euro para të gatshme nëpër institucione financiare.

Të hyra vjetore, ai i kishte 1 mijë e 48 euro nga fakulteti privat ku është i punësuar, 136 euro nga qiramarrësi, ndërsa 439 si pagë të bashkëshortes, e cila duket se punon në Universitetin “Haxhi Zeka”.

Ai ka deklaruar si të hyra nga BQK-ja mbi 1 mijë e 500 euro.

“Unë jam në kontest gjyqësor me Universitetin HAxhi Zeka, nëse e fitoj kontestin atëherë mund të kompenzohem për dëmet e pretenduara. Qeraja si të ardhura paguhet me para të gatshme. Kompenzimi për Bord të BQK për muajin dhjetor 2021 ka qenë 1379.23 euro, për arsye se dekretin nga Presidentja e kam pranuar me 10 Dhjetor 2021, andaj kompenzimi nuk është llogaritur i plotë për muajin Dhjetor 2021. Në tabel kam paraqitur kompenzimin e Bordit të BQK që do ta marr nga Janari i 2022 e tutje. Në UBT marr pjesë në projekt të financuar nga ERASMUS+ të quajtur STEAM edu, pagesë qe do te behet nga ky projekt ende jane percaktuara, po nuk do te tejkaloj shumen 2500 euro. Kredi per veture në TEB bank e kam marrë nga data 08.04.2021 dhe kësti mujor e kam 136.65 euro.” – kishte shkruar Nurboja tek të dhënat e tjera, në deklarimin e tij në AKK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat