Vrasjet politike që tronditën Kosovën, Rudi rrëqeth me fotografitë: Ka një mesazh të fuqishëm para marshit për ‘Drejtësi’

Aktuale

Vrasjet politike që tronditën Kosovën, Rudi rrëqeth me fotografitë: Ka një mesazh të fuqishëm para marshit për ‘Drejtësi’

Nga: A.M Më: 2 prill 2023 Në ora: 12:02
Fotografia e Tahir Zemajt, ku shihet trupi i gjakosur nga plumbat.

Gazetari i gazetës “Bota sot”, njëherësh djali i ish-deputetit Fetah Rudi, Petrit Rudi ka reaguar ashpër pas thirrjes së anëtarëve të LDK-së për pjesëmarrjen në marshin për “Drejtësi”.

Rudi përmes një postimi në Facebook kritikoi ish-kryetarin e LDK-së, derisa tha se “më vjen për të qeshur, kur i shoh thirrjet e Isa Mustafës për mbrojtje të atyre, që vet ai i akuzonte për vrasjet politike që kanë ndodhur”.

Krahas kësaj, Petriti publikoi edhe disa fotografi, ndër të cilat ishte edhe ajo e babait të tij, Fetahut, i shtrirë në QKUK sa ishte në koma, pas atentatit që iu bë, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Për Isa Mustafën, Skënder Hysenin e të gjithë anëtarët e LDK-se që sot do të marshojnë për "Drejtësi", pres nga ju që në dorë ta bartni fotografinë e Fetah Rudit, i shtrirë në QKUK, dhe në gjendje kome pas atentatit të bërë ndaj tij, ku si pasojë e plumbave të shkrepur, tash e 22 vite ka mbetur i palëvizshëm.

Pres që ta bartni fotografinë e Beriane Mustafës e Besian Mustafës, që vajtojnë mbi kufomën e babait të vrarë, Xhemail Mustafës.

Pres që ta keni në duar fotografinë e Ahmet Krasniqit, ku shihet trupi i pajetë në Tiranë.

Pres që ta keni në dorë fotografinë e Tahir Zemajt, ku shihet trupi i gjakosur nga plumbat.

Pres që të gjithë ta keni nga një fotografi të çdo pjesëtari të LDK-së, të vrarë nga dora kriminale, e që nuk janë pak por më shumë se 100 anëtarë.

E kur më në fund, një Gjykatë e Kosovës ka marr; guximin që t'i trajtojë, dhe për ne familjarët është edhe shpresë për zbulimin e këtyre vrasjeve, sot marshohet për "Drejtesi".

23 vite në Kosovë askush nuk e ka marr; guximin që t'i trajtojë vrasjet politike.

Pse 23 vite nuk protestuat e nuk kërkuat drejtësi për Ahmet Krasniqin, Enver Malokun, Xhemail Mustafën, Shaban Manajn, Haki Imerin, Komandant Drinin, Smajl Hajdarajn, Ismet Racin, Ismajl Berbatovcin, Besim Dajakun, Bekim Kastratin, Bardhyl Ajetin, Tahir, Enis e Hasan Zemajn, Sebahate Tolajn, Jusuf Haklajn, Ramiz Hoxhen, Selman Binishin, e shumë anëtarë të tjerë që mbetën të vrarë nga dora kriminale.

Pse nuk kërkuat drejtësi për Fetah Rudin, Sabri Hamitin, Agim Veliun, Gani Gecin, Adem Salihajn, e Ejup Visoken e shumë të tjerë, të cilët ishin cak i atentateve, por zoti deshti e i shpëtoi.

E ne familjarët e viktimave politike, shpresonim që kur Isa Mustafa erdhi kryeministër e Skënder Hyseni Ministër i Brendshëm, do te zbardheshin vrasjet politike. Ahahaha. Sot më vjen për të qeshur, kur i shoh thirrjet e Isa Mustafës për mbrojtje të atyre, që vet ai i akuzonte për vrasjet politike që kanë ndodhur.

Po thonë "Liria ka emër". Çfarë emri pat Liria me tregon dikush? T'i shpëtosh plumbave të armikut në betejat e lavdishme të UÇK-së, të shkosh të bartësh armatim nga Shqipëria në Kosovë, e të mbetesh përjetë në karrocë nga plumbat e shqiptarëve, vetëm pse je me Ibrahim Rugovën atëherë kur erdhi Liria për të cilën sakrifikuan me vite e vite?

Të vritesh në sy të fëmijëve vetëm pse ishe me Ibrahim Rugovën e me LDK-në.

Për këtë Liri e keni fjalën? Mosni bre, aman mosni! Ne familjarët presim veç drejtësi, asgjë më shumë e as më pak. Drejtësia vonon, por nuk harron. Ajo vjen një ditë, nëse jo nga njeriu, atëherë patjetër që nga zoti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat