Shasha, pas fitores së Milatoviqit: Mali i Zi u bë me President i cili sheh me simpati Beogradin

Aktuale

Shasha, pas fitores së Milatoviqit: Mali i Zi u bë me President i cili sheh me simpati Beogradin

Më: 3 prill 2023 Në ora: 06:21
Demush Shasha

Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK), Demush Shasha, ka reaguar pas zgjedhjeve në Mal të Zi.

Kandidati serb Jakov Milatoviq ka fituar 60 për qind të votave në raport me presidentin e deritanishëm Milo Gjukanoviq.

Në një shkrim në Facebook, Shasha ka thënë se nga tani, shtylla më e parashikueshme dhe më e qëndrueshme e stabilitetit në rajon ka kolapsuar.

“Mali i Zi ka rënë. Shtylla më e parashikueshme dhe më e qëndrueshme e stabilitetit në rajon ka kolapsuar. Gjukanoviq për 30 vite ka udhëhequr vendin e tij drejt pavarësisë, NATO-së, BE-së dhe liberalizimit të vizave”.

“Por më e rëndësishmja ai ka ruajtur dhe promovuar me xhelozi marrëdhëniet ndëretnike në mes popujve të Ballkanit, duke qenë çdo herë digë e pathyeshme kundër shovinizmit serb. Këtë mirësi të Malit të Zi populli ynë ka përjetuar nga dora e parë kur Rozhaja, Ulqini apo Gucia hapën pragjet e shtëpisë për të na shpëtuar nga më e keqja”, ka thënë Shasha.

Tutje tha se nga kjo e diel, Mali i Zi u bë me President i cili sheh me simpati Beogradin.

“Deri sa lexoni këta rreshta, Vuçiq në Verona të Italisë pin verë me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Dodiku nga Republika Srpska sonte theu çdo rekord dhe u bë politikan i parë i cili uroj Presidentin e ri të Malit të Zi. Thënë ndryshe sot Serbia ka arritur diçka që nuk kishte arritur asnjëherë më parë në historinë e saj moderne – të këtë aleat të afërt në të gjitha shtetet e Ballkanit Perendimor, përveç Kosovës. Është kohë ogurzezë para nesh”, u shpreh ai.

Shasha thekson se përkundër ndikimit rus e serb në Mal të Zi, Gjukanoviq arriti të fitojë 40% të votive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat