Përfundon dita e parë e gjykimit e ish-pjestarëve të UÇK-së

Aktuale

Përfundon dita e parë e gjykimit e ish-pjestarëve të UÇK-së

Më: 3 prill 2023 Në ora: 07:51 Përditësuar në ora: 16:56 më 03.04.2023
Hagë, 3 prill 2023.

Përfundon dita e parë e gjykimit

Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mbrojtësi i viktimave: Për viktimat, nisja e gjykimit ishte e paimagjinueshme

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se për shumicën e viktimave, nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte diçka “e paimagjinueshme”.

“Ata [të akuzuarit] ishin persona të fortë. Në qoftë se ata kanë qenë duke i bërë këto krime, me siguri nuk kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”, tha ai.

Laws tha se pavarësisht dallimeve që kanë viktimat, “ata janë të bashkuar në dëmin që kanë pësuar”.

Pikëllimi, dhimbja, humbja dhe padrejtësia nuk njihini dallime”, tha ai.

Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”, theksoi ai.

Mbrojtësi i viktimave tha po ashtu se viktimat janë etiketuar si “tradhtarë” dhe kanë kërkuar që për secilin prej tyre, përmes fakteve, të dëshmohet e kundërta para kësaj gjykate.

“Ata e shohin veten se janë etiketuar si tradhtarë. Viktimat që ne përfaqësojmë i kundërshtojnë këto etiketime”, tha Laws.

Por, etiketimet të vrasin. Disa prej tyre janë të frikësuar për hakmarrje”, theksoi ai.

Prokuroria Speciale publikon fotografinë e Hashim Thaçit me armë afër një qendre të ndalimit

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vazhduar me prezantimin e fjalës së saj në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së.

Së fundmi, prokurori e ka publikuar një fotografi ku shihet Hashim Thaçi me armë, bashkë me disa luftëtarë të tjerë.

Sipas Prokurorisë, kjo fotografi ishte bërë afër një qendre ndalimi ku keqtrajtoheshin civilët.

Prokuroria pretendon se qendra të tilla ka pasur me dhjetëra, ku janë ndaluar qindra qytetarë.

Prokuroria: Të ndaluarit u mbajtën në kushte të rënda

Prokurori i specializuar, James Pace, tha se të ndaluarit në mënyrë të paligjshme, ishin mbajtur në “kushte të rënda”.

Kushtet e ndalimit në disa vende të ndalimit ishin aq të rënda saqë disa persona të caktuar të mbajtur aty mendonin që më mirë të kishin vdekur sesa të mbaheshin ashtu”, tha prokurori Pace.

Ai po ashtu tha se të ndaluarit në shumë qendra të pretenduara ndalimi në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, u ishin nënshtruar rrahjeve me shufra hekuri, shkop bejsbolli e gjësendeve të tjera.

Në Llapushnik, sipas Pace, disa të ndaluarve ua shkulën thonjtë me darë.

Në Llapushnik dyshemeja ishte prej betoni me fekale kafshësh të shpërndara përreth”, tregoi prokurori duke thënë se disa të ndaluar ishin të mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe flinin në vendin e njëjtë ku kryenin nevojat fiziologjike.

Sipas tij, në një prej qendrave të ndalimit “disa të ndaluar u detyruan të hapnin varrin e vet”, e në vende të tjera panë të tjerët teksa rriheshin e merreshin në pyetje.

Pas pauzës së dytë, rinis seanca gjyqësore

Prokurori i Specializuar, James Pace, ka vazhduar deklaratën hyrës të prokurorisë në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Ai foli për rastin e ndalimit të tre personave në një qendër ndalimi në Prizren, dhe ka inkriminuar drejtpërdrejt në zhdukjen e dy "kundërshtarëve" të UÇK-së nga një qendër e pretenduar e ndalimit në Drenoc.

"Padyshim do të vëmë re një praktikë që do të dalë në provat që do të paraqiten këtu, do të shikoni sesi të ndaluarit në këto qendra të ndalimit gjatë gjithë kohës janë marrë në pyetje. Marrja në pyetje paraqet qëllimin se pse ishin shënjestruar, pasi ata pretendoheshin se bashkëpunonin me forcat serbe apo se ishin të lidhur me të", tha ai.

Në Likoc, sipas tij, të ndaluarit u akuzuan se ishin "tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë", ngjashëm sikurse në Llapushnik dhe Jabllanicë, pretendoi Pace.

Sipas tij, Thaçi dhe Sabit Geci i cilësuan personat e ndaluar në Jabllanicë si "rugovistë" dhe kërkuar që ata të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova. Prokurori i specializuar tha se të ndaluarit u vlerësuan se ishin "kolaboracionistë".

Prokuroria Speciale në Hagë, e përshkruan si viktimë civile rektorin famëkeq të Universitetit të Prishtinës

Prokuroria e Specializuar në Hagë, gjatë shpalosjes së aktakuzës kundër katër krerëve të UÇK-së, në procesin gjyqësor që ka filluar sot në Hagë, ka përmendur sulmin ndaj rektorit serb të Universitetit të Prishtinës, Radivoje Papoviq.

“Ai nuk ishte objektiv legjitim ushtarak. Ishte civil dhe u vu në shënjestër për veprimtaritë e tij në sistemin arsimor”, deklaroi Prokuroria.

Sulmi ndaj Paoviq kishte ndodhur në vitin 1997, me ç’rast ai kishte mbetur i plagosur, dhe duket e çuditshme se si Prokuroria e Specializuar në Hagë e ka futur në narracionin e saj akuzues këtë përderisa aktakuza kundër katër krerëve të UÇK-së përfshin periudhën 1998-1999.

Radivoje Papoviq ishte emëruar si rektor i dhunshëm i Universitetit të Prishtinës pas masave dhe organeve të dhunshme që u imponuan në Universitetin e Prishtinës me vendim të Kuvendit të Serbisë më 27 qershor 1991 (publikuar në “Slluzhbeni gllasnik RS”). Me atë rast, nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtines ishte shkarkuar dhunshëm rektori shqiptar, Skënder Karahoda.

Radivoje Papoviqi ishte po ashtu anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të SPS-it, partisë së Slobodan Milosheviqit.

I mbështetur nga aparati shteteror i Milosheviqit, rektori Radivoje Papoviq deboi studentët dhe profesorët shqiptarë nga fakultetet, bibliotekat dhe konviktet e Universitetit të Prishtinës.

Në pozitën e rektorit, Papoviqi qëndroi deri në fillimin e luftës në Kosovë më 1998, kurse paraprakisht ishte organizuar atentati ndaj tij më 16 janar 1997, ku ai dhe shoferi i tij mbetën të palgosur pas shpërthimit të bombës së vendosur në veturën e tij.

Sipas nje versioni të lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, bomba ishte vendosur nga vetë regjimi i Milosheviqit, sepse Papoviqi e kishte kundërshtuar Marrëveshjen Milosheviq-Rugova per kthimin e studentëve shqiptarë në objektet shkolle të Universitetit të Prishtinës.

Në kohën sa ishte rektor, Papoviqi e emeroi Sheshelin si profesor në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë që studentët shqiptarë i quante “monstrumë armiqesorë”.

Racizmi i rektorit të dhuneshëm Papoviq do të dilte në pah edhe kur deklaroi se “shqiptarët janë një popull që kanë bërë alfabet vetëm në vitin 1915, prandaj nuk e meritojnë të mësojnë në gjuhën shqipe në Universitetin e Prishtinës”.

Kur ishte pyetur nga gazeta “Jedinstvo” për masat e dhunshme ndaj studentëve shqiptare, rektori Papoviq do të deklaronte se i vinte keq vetëm që nuk kishte zbatuar masa edhe me të dhunshme ndaj studentëve shqiptarë.

Në vitin 2004, ai u emerua nga Qeveria serbe si rektor i universitetit paralel serb që funksiononte në veri të lumit Ibër. Këtë pozitë e mbajti deri në vitin 2006.

ZPS: Mbi 400 të ndaluar nga UÇK-ja, të paktën 102 të vrarë

Në vazhdim të fjalës hyrëse të Prokurorisë së Specializuar në Hagë u përmendën rastet e ndalimit të individëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Anëtarët e UÇK-së u hoqën lirinë qindra individëve pa proces të rregullt gjyqësor. Ka të paktën 440 incidente sa i takon ndalimit të personave”, tha prokurori James Pace.

Sipas tij, viktimat përfshinin persona që punonin në pylltari, bujqësi, gazetarë, mësues e të tjera.

“Shumë ishin mbështetës të LDK-së ose thjesht nuk mbështesnin UÇK-në”, tha ai.

Sipas Prokurorisë pati shumë keqtrajtime të të ndaluarve dhe në rastet më të rënda, vrasje.

“Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kundërshtarë”, tha ai, duke shtuar se krerët e UÇK-së akuzohen se janë përgjegjës për këto vrasje.

Sipas tij, të paktën 20 persona janë ende të zhdukur.

Provat do të tregojnë se të akuzuarit janë përgjegjës për këto krime”, tha ai.

Shumica e vendndalimeve ishin, sipas Prokurorisë, selitë rajonale të zonave të UÇK-së.

Pace tha se në Jabllanicë, të akuzuarit se "kanë vrarë të paktën tre persona" dhe një person ende konsiderohet i zhdukur.

Tieger: UÇK paralajmëronte “kolaboracionistët” se do t’i vriste

Prokurori i specializuar, Alan Tieger, tha se përmes komunikatave të lëshuara, UÇK-ja synonte të paralajmëronte “kolaboracionistët” se do të vriteshin.

Ai këtë e mbështeti edhe te një intervistë që Krasniqi kishte dhënë për Spiegel, ku kishte deklaruar se “kolaboracionistët janë paralajmëruar se do të vriten” nëse nuk ndryshojnë qëndrim.

Sipas tij, Shtabi i Përgjithsëm kishte dhënbë urdhër që të merreshin masa ndaj kujto që punonte kundër UÇK-së.

Në këtë kuadër, ai përmendi disa qendra të pretenduara të ndalimit në Likoc e Drenoc. Sipas Tieger, emrat e disa personave që ishin ndaluar më 1998 në Drenoc dhe Likoc ishin shkruar “në bllok shënimet”.

Ai tha se provat e Prokurorisë do të dëshmojnë se vendimet e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” po zbatoheshin.

Prokurori: Thaçi e Selimi i keqtrajtuan 13 përfaqësues të LDK-së në Qirez, iu kërkua të hiqnin dorë nga Rugova

Prokurori i Speciales, Alan Tieger ka thënë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi në shtator të vitit 1998 kishin keqtrajtuar 13 përfaqësues të LDK-së se në Qirez të Skënderajt, pasi ata, sipas tij, po e zhvillonin një vizitë humanitare në atë zonë.

Tieger citoi një deklaratë për shtyp, që pretendoi se ishte e policisë ushtarake të UÇK-së dhe që fliste për arrestimin e 13 përfaqësuesve të një delegacioni parlamentar.

Përveç Thaçit e Selimit, sipas prokurorit, në keqtrajtimin e tyre kishin marrë pjesë edhe anëtarë tjerë të UÇK-së.

“Provat tregojnë gjithashtu që Hashim Thaçi iu tha anëtarëve të delegacionit të arrestuar se UÇK-ja nuk e njihte parlamentin e Kosovës, i pyeti ata dhe i bëri ata që të shkuajnë deklarata që hiqnin dorë nga Rugova dhe LDK-ja dhe iu kërkoi atyre që të jepnin dorëheqje nga postet parlamentare”, tha prokurori Tieger.

Prokuroria e përmend komunikatën kundër Gani Gecit: Paraqiten përplasjet Thaçi-Krasniqi-Selimi

Prokuroria e Specializuar në Hagë e ka përmendur në seancën e sotme komunikatën numër 59, e cila ishte lëshuar kundër Gani Gecit.

Prokurori i rastit duke komentuar këtë komunikatë, tha se ka pasur ndryshime të deklaratave nga Thaçi.

“Në një intervistë me TPNJ, Thaçi pranoi se komunikonin me komunikatat e UÇK-së. Gjatë intervistës së tij me ZPS-në, Thaçi deklaroi se nuk e dinte kush e shkroi komunikatën e 59 por nuk ishte komunikatë e UÇK-së”, tha prokurori.

Këtu u përmend intervista e Thaçit në RTK, ku ai kishte thënë se komunikata 59 nuk ishte shkruar nga UÇK-ja, e ku i kishte kërkuar falje Gecit.

U publikuan intervistat kur Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi i ishin përgjigjur Thaçit për këtë deklaratë.

“Jakup Krasniqi kishte reaguar ndaj intervistës së Thaçit, duke thënë se asnjë komunikatë nuk është shkruar nga Bahnofat. Dëgjojeni deklaratën e Selimit ku ai thotë se komunikata 59 është shkruar nga Hashim Thaçi”, tha prokurori.

“Zoti Selimi edhe në intervistën e ZPS-së ka pohuar fjalët e tij. Ai ka thënë se Thaçi e kishte lexuar komunikatën me synimin për të shkatërruar personin në fjalë. Pas lufte, çfarë bëri zoti Thaçi? Iu largua përgjegjësisë, por ja që e nxori zbuluar një prej të akuzuarve”, thotë Prokuroria

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat