Prokuroria e Speciales: Me urdhër të shtabit të UÇK-së, viktimat u maltretuan nëpër stalla kafshësh

Aktuale

Prokuroria e Speciales: Me urdhër të shtabit të UÇK-së, viktimat u maltretuan nëpër stalla kafshësh

Më: 3 prill 2023 Në ora: 15:16

Zyra e Prokurorisë së Gjykatës Speciale ka vazhduar me paraqitjen e provave që i përfshin të akuzuarit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në krime lufte.

Prokurori i specializuar, James Pace, ka thënë që me urdhër të shtabit të UÇK-së, viktimat u maltretuan nëpër stalla kafshësh.

Prokuroria përmendi para trupit gjykues siç tha ai lokacionet ku dyshohet se janë kryer disa nga krimet, me lejen dhe udhëheqjen e të akuzuarve.

“Viktimat u morën në pyetje, u rrahën dhe u abuzuan fizikisht apo psikologjikisht. Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kundërshtarë. Anëtarët e UÇK-së, nuk u dhanë informacion sa i përket vendndodhjes së tyre për të paktën 20 viktimave, duke i lënë kështu miqtë dhe të afërmit në agoni. Këto veprime përbënin veprën penale të përndjekjes për arsye politike, ose etnike”.

Prokurori tutje ka thënë që shtrirja gjeografike e akuzave është relativisht e gjerë “mbulon vende ndalimi në Kosovë dhe disa pjesë të Shqipërisë”.

“Ndonëse intensiteti ishte i ndryshëm, sidoqoftë krimet kryheshin në mënyrë të vazhdueshme. Provat tregojnë se krimet u kryen në praktika të ngjashme kohore dhe hapësinore; pra, ishin të zgjeruara, ishin pjesë e një sulmi që shënjestronte kundërshtarët. Ato u kryen për realizmin e krimit të përbashkët kriminal. Provat do të na tregojnë se të akuzuarit janë fajtorë”, u tha tutje.

Gjithashtu ZPS-ja, përmend transferimin dhe keqtrajtimin e disa personave në gushtin e 1998-s, nga fshati Bare i Mitrovicës drejt Bajgorës.

Sipas Prokurorisë, edhe në fshatin Llapushnik të Skenderajt u mbajtën me forcë disa persona, e në fund disa ishin liruar, ndërsa “dy viktimat që arritën të arratiseshin u kapën dhe u pushkatuan me pushkë”, u tha tutje.

“Mes fundit të prillit të 98-ës dhe 25-26 korrik 9 të paktën, 30 persona u mbajtën të ndaluar në Llapushnik pa proces të rregullt ligjor. Asokohe, shtabi i UÇK-së në Llapushnik ndodhej në një kompleks të rrethuar ku ishte një stallë lopësh, një garazh dhe kishte një pus të rumbullakët në oborr. Të burgosurit në Llapushnik u mbajtën në dy dhoma të ndara të njëjtit kompleks”, thuhet tutje nga Prokuroria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat