Lot, kundërakuza, dokumente e video, përfundon dita e dytë e gjyqit/ Nesër flasin avokatët e Jakup Krasniqit

Aktuale

Lot, kundërakuza, dokumente e video, përfundon dita e dytë e gjyqit/ Nesër flasin avokatët e Jakup Krasniqit

Më: 4 prill 2023 Në ora: 07:38 Përditësuar në ora: 14:05 më 04.04.2023
Ish - krerët e UÇK-së

Deklarimi i Thaçit para Gjykatës Speciale

Ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të gjykimit ndaj tij dhe ndaj tre ish-eprorëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se i vjen keq për të gjitha viktimat në luftë.

Por, ai theksoi se ky gjykim ka dëshmuar se nuk ka pasur Shtëpi të Verdhë e as trafikim organesh.

Siç pretendohej në një raport të vitit 2011 të Këshillit të Evropës, që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Seanca në pauzë

Për herë të dytë gjatë ditës së sotme, punimet e seancës gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë janë ndërprerë për një pauzë. Pas pauzës, ekipet e mbrojtjes të të akuzuarve të tjerë do të vazhdojnë me deklarimet e tyre hyrëse.

Por, më poshtë ne ju sjellim disa prej pikave kyçe të ditës së dytë të gjykimit:

Hashim Thaçi iu drejtua Dhomave të Specializuara përmes një fjale të shkurtër. Ai fillimisht kërkoi falje për të gjitha viktimat dhe shprehu sërish pafajësinë

Thaçi tha se ky gjykim ka dëshmuar se ai, as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk kanë kryer trafikim organesh, akuza të bëra në një raport të Këshillit të Evropës, që i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale

Sipas ish-presidentit të Kosovës, drejtësia për viktimat nuk mund të arrihet përmes ndjekjes së personave të pafajshëm. Ai shprehu bindjen se në fund të procesit do të dëshmohet se është i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës

Thaçi tha se synimi i rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur ishte i njëjtë, ai i lirisë së Kosovës

Para fjalimit të Thaçit, ekipi i mbrojtjes së tij tha se UÇK-ja nuk ka pasur politikë për shënjestrimin e kundërshtarëve, ashtu siç pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Thaçi i drejtohet Speciales

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu keqardhje për të gjitha viktimat gjatë konfliktit më 1998-99.

Ai iu drejtua Dhomave të Specializuara në Hagë në ditën e dytë të gjykimit ndaj tij dhe tre ish-eprorëve të tjerë të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lifte pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, apo politike”, tha Thaçi.

Thaçi hodhi të gjitha akuzat që ia ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Por, jam gati të përballen me këtë sfidë të re dhe të kem sukses për familjen time, popullin tim”, tha Thaçi.

Ai tha se ky gjykim është “rrugëtim drejt të vërtetës dhe drejtësisë”.

Sipas Thaçit, viktimat nuk marrin drejtësi përmes përndjekjes të të "pafajshmëve".

"Padrejtësia nuk ndreqet me një padrejtësi tjetër”, tha Thaçi.

Ai foli edhe për synimin e luftës së zhvilluar më 1998-99.

Si rezistenca paqësore ashtu edhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim: lirinë, shtetësinël dhe rendin demokratik të Kosovë”.

“Qytetarët e Kosovës nuk donin luftë, lufta iu imponua” atyre, theksoi Thaçi.

Mbrojtja e Thaçit thotë se s’ka pasur politikë për shënjestrimin e kundërshtarëve

Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, Lluka Mishetiq, ka vazhduar mbrojtjen duke thënë se Prokuroria e Specializuar tani po bie në kundërshtim me disa vendime të mëhershme që ishin marrë nga Tribunali i Hagës për krime lufte për ish-Jugosllavi.

Duke cituar disa ish-vendime shfajësuese të Tribunalit, Mishetiq tha se atëbotë ishte vërtetuar se nuk ka pasur sulm sistematik dhe të gjerë ndaj civilëve në Kosovë dhe se nuk ka pasur politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të shënjestruar kundërshtarët.

ZPS-ja duhet të thotë tani se të gjitha institucionet që i kanë trajtuar këto çështje më herët i kanë pasur konstatime të gabuara”, tha ai.

Tutje, sipas avokatit mbrojtës, në mënyrë që Prokuroria të vërtetojë akuzat për krime lufte, ata duhet të konstatojnë se lufta apo konflikti i armatosur ka vazhduar edhe pas qershorit të vitit 1999.

Thaçi flet nga Haga: Jam i pafajshëm, lufta na u imponua

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur gjatë seancës së gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Thaçi është deklaruar i pafajshëm teksa ka thënë se i vjen keq që për pafajësinë e tij nuk mund të dëshmojnë disa figura të larta si Ibrahim Rugova, Madeleine Albright, Fehmi Agani, Richard Hoolbroke, Adem Demaçi e të tjerë.

Ndër të tjera ai ka thënë se lufta u është imponuar dhe e kanë bërë këtë sikurse do ta bënte çdo popull liridashës.

“Sot po e nisim një rrugëtim së bashku drejt së vërtetës dhe drejtësisë. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat. Unë jam i pafajshëm, por i gatshëm të kem sukses në këtë rrugëtim. Isha student në Zvicër kur ndodhi masakra ndaj familjes Jashari. Unë, sikurse edhe shumë të tjerë, u kthyem nga atje në Kosovë. Lufta na u imponua dhe ne e bëmë atë që do ta bënte çdo popull liridashës. Më vie keq që këtu në këtë proces nuk mund të dëshmojnë Albright, Holdbrooke, Demelio, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Adem Demaçi. Ata do të dëshmonin në emrin tim”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe edhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm dje para trupit gjykues.

Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës që rëndojnë mbi ta.

Seanca në pauzë

Pas dy orësh të deklaratave hyrëse të mbrojtjes së Hashim Thaçit, punimet në Gjykatën Speciale kanë shkuar në një pauzë të shkurtër. Pas pauzës, pritet që edhe Thaçi të mbajë një fjalim të shkurtër

Më poshtë, ju sjellim të përmbledhur disa nga pikat kyçe të ditës së dytë të gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së:

Mbrojtja e Hashim Thaçit tha se ai nuk kishte pasur fuqi komande në Ushtrinë Çlimitare të Kosovës gjatë periudhës që flet aktakuza

"Thaçi nuk e kontrolluar UÇK-në", ashtu siç pretendon prokuroria, tha avokati mbrojtës, Gregory Kehoe

Mbrojtja e Thaçit tha se pushteti gjatë luftës ishte në duart e komandantëve të zonës e jo te Shtabi i Përgjithshëm, pjesë e së cilës ishte Thaçi

Mbrojtja tha se Thaçi disa herë pas luftës ka bërë thirrje që të ndalet dhuna ndaj serbëve lokalë dhe që ata të mos largohen nga Kosova

Sipas mbrojtjes, Thaçi nuk kishte fuqi reale as gjatë kohës kur ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme

Avokatët e Thaçit argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukurë funksionale komanduese

Prokuroria “s’ka prova se Thaçi ka dhënë urdhra për kryerjen e krimeve”

Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka paraqitur prova se klienti i tij u ka dhënë urdhra ushtarëve të UÇK-së për “kryerjen e krimeve”.

Mishetiq tha se ZPS nuk ka asnjë provë se ka pasur linja të raportimit mes Thaçit dhe njësive të UÇK-së.

Prokuroria nuk paraqet prova që Thaçi u ka dhënë urdhra ushtarëve të UÇK”, tha ai.

Ai po ashtu tha se gjatë Qeverisë së Përkohshme, Thaçi, pavarësisht se ishte kryeministër, ashtu siç u parapa me marrëveshjen në Rambuje, ai nuk kishte “pushtet ligjor dhe politik”, pasi ky pushtet ishte në duart të UNMIK-ut.

Nuk kishte pushtet real dhe asnjëherë nuk kishte kontroll efektiv”, tha Mishetiq.

Mishetiq citoi një raport të grupit të krizës nga nëntori i vitit 1999, që sipas tij, dëshmon që Hashim Thaçi nuk ka qenë i kënaqur me krimet që po kryheshin pas luftës.

Udhëheqësit e UÇK-së vazhdimisht u kanë bërë thirrje serbëve që të qëndrojnë në Kosovë”, tha avokati mbrojtës.

Mbrojtja publikoi edhe një deklaratë të vjetër të Thaçit ku dëgjohet duke thënë se ata nuk kanë luftuar për ta spastruar Kosovën etnikisht dhe se ai beson që “popullata serbe nuk i ka kryer krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë”.

Ne duhet të kuptojmë që edhe serbët duhet të jetojnë në Mitrovicë, ata që nuk kanë bërë krime ata që nuk kanë vrarë njerëz. Kosova është e kosovarëve”, dëgjohet duke thënë Thaçi në një incizim të 26 qershorit 1999.

Mbrojtja insiston në pafuqinë komanduese të Thaçit në UÇK-në

Në vazhdimin e fjalës hyrëse, mbrojtja e Hashim Thaçit ka folur për rolin e saktë të tij brenda UÇK-së, si udhëheqës i drejtorisë politike.

Ndër tjera, sipas tyre, Thaçi kishte për detyrë të mbante raporte me mediat për të mundësuar intervista me udhëheqës të tjerë të UÇK-së, të sigurojë material dhe armë nga Shqipëria dhe të bashkëpunojë me diplomatë në terren.

Si një dëshmi për pafuqinë e Thaçit, mbrojtja ka paraqitur faktin se 10 korrik 1998, komanda e nën-zonës së Drenicës brenda UÇK-së, kishte lëshuar një fletëarrestim për Thaçin.

Pra, këtij personi që mendohet që kishte këtë pushtet të jashtëzakonshëm brenda UÇK-së, i lëshohet fletëarrest”, tha avokati.

Kehoe po ashtu tha se ZPS-ja nuk përmendi fare Adem Demaçin që ishte një ndër personat kryesorë politikë të UÇK-së.

Ai tha se Demaçi kishte kundërshtuar praninë e UÇK-së në Rambuje dhe ai miratonte çdo marrëveshje.

Ky ishte personi që duhej të miratonte marrëveshjen. Por, ZPS nuk tha asnjë fjalë për të, për autoritetin e tij apo për veprimet që ka marrë”, tha avokati i Thaçit.

Mbrojtja e Thaçit citon Departamentin e Shtetit: UÇK s’kishte komandë dhe kontroll deri në maj të vitit 1999

Gregory Kehoe, avokat i Hashim Thaçit, deklaron se UÇK nuk ka pasur komandë dhe kontroll efektiv si dhe nuk ka pasur as përpjekje për të pasur komandë ose kontrollë.

Këtë e tha duke e cituar një letër të datës 4 maj 1999 nga Departamenti i Shtetit, një muaj para se të përfundonte fushata bombarduese.

“Departamenti i Shtetit (SHBA), thotë për aq kohë sa nuk ka strukturë politike në Kosovë apo komandë dhe kontroll efektiv të UCK-së do të duhen shumë muaj apo vite për t’i organizuar ose për të përdorur ndihmë ushtarake që do të ofrohet nga shtetet e Bahskuara”, citon ai letrën e DASH.

“Pra edhe njëherë nuk kemi kontrollë dhe komandë të UCK-së deri në majin e vitit 1999”, thotë avokati.

Gjatë fjalës së tij ai tha se plani serb ishte spastrimi etnik, “ta spastronin Kosovën nga shqiptarët e Kosovës”.

“UCK-ja ishte një forcë guerile, grup vullnetarësh që kishte qëllim t’i përgjigjen regjimit serb, t’i mbronin fshatrat e tyre”, vijon ai.

“Do ta rrëzojmë aeroplanin tuaj” – Avokati publikon video si Remi e kishte kërcënuar Thaçin për Rambujenë

Avokati i ish-presidentit të Kosovës, Gregory Keohe, ka zbuluar detaje interesante lidhur me strukturën e UÇK-së dhe rolin e Hashim Thaçit.

Ai ka publikuar një video të rrallë ku shihet duke folur Rrustem Mustafa, komandant i zonës së Llapit.

Aty, Remi kishte treguar se e kishte kërcënuar Thaçin dhe delegacionin në Rambuje nëse e nënshkruajnë marrëveshjen.

“Më kujtohet që i kemi kërcënuar nëse i nënshkruani. U kemi thënë se kemi raketahedhës dhe në momentin e parë do ta rrëzojmë aeroplanin tuaj”, dëgjohet teksa thotë Mustafa.

Me krejt këtë, avokati i Thaçit tentoi të bindë trupin gjykues se fuqia e Thaçit nuk ka qenë aq e madhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij, kjo dëshmon se komandantët e zonave kanë pasur fuqi mbi ish-presidentin Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat