Mbahet dëgjim publik për Projektligjin për Sëmundjet Ngjitëse, kritikohet nga opozita

Aktuale

Mbahet dëgjim publik për Projektligjin për Sëmundjet Ngjitëse, kritikohet nga opozita

Më: 4 prill 2023 Në ora: 15:42
Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Social

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur sot dëgjim publik për Projektligjin për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse. Deputetë të opozitës kanë shprehur kritikat e tyre në lidhje me këtë dokument, duke filluar nga emërtimi, gjobat dhe shfuqizimi i Ligjit për Pandeminë. Ndërkaq, profesionistët shëndetësorë kanë deklaruar se nuk është ligj perfekt, por që plotëson parakushtet.

Drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani ka thënë se ky projektligj ka qenë nevojë e kahershme dhe se do të ndihmojë të gjithë profesionistët shëndetësorë.

Ramadani: Nuk ka ligj perfekt, është ligj i kohës

“Me gjithë dëshirën edhe vullnetin edhe mundësinë, kapacitetin tonë që ta bëjmë një ligj perfekt, nuk mundemi. Nuk ka ligj perfekt, ky është ligj i kohës, aktual që ne mendojmë se i plotëson parakushtet, të cilat neve na kanë penguar në punë...(18:45) Për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse është bërë ky ligj, që mendojmë se është bërë në mënyrë bashkëkohore, duke u bazuar në direktivat e bashkësisë evropiane, në përvojat e shteteve të bashkësisë evropiane dhe të vendeve kandidate, në rekomandimet e CDC-së dhe OBSh-së dhe organizatat tjera të bashkësisë evropiane që merren me mbikëqyrjen dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse”, është shprehur Ramadani.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka pasur kritika për këtë ligj, me ç’rast, ka thënë se te pjesa e parandalimit duhet të rishikohet.

Zemaj: A jeni ju të parët që e shpallni të mbyllur pandeminë?

“Shfuqizimi i Ligjit për Pandeminë- ne akoma po përballemi me rastet e infeksionit, çdo ditë ka raporte nga IKShPK dhe si e shihni nëse ne e miratojmë ligjin, ky ligj hyn në fuqi. Çfarë masa t’i nënshtrohen dhe a do të jeni vendi i parë ju Ministria e Shëndetësisë, ose Republika e Kosovës që e shpall të mbyllur pandeminë?”, ka pyetur ai.

Edhe deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj ka shprehur kritika në lidhje me emërtimin e projektligjit, duke theksuar se nuk janë përfshirë as sëmundjet e udhëtarëve.

Dreshaj: Në këtë ligj mungojnë sëmundjet e udhëtarëve

"Unë e kam shpreh shqetësimin tim që ky ligj ka ardhur para Ligjit për Shëndetësi, që nuk është në rregull. Ligjet sektoriale dalin prej ligjeve bazike. Brengë e imja ka qenë prej titullit. ‘Ligji për Sëmundjet Ngjitëse’, nuk e gjen askund, Ligjin për Sëmundjet Infektive. Mendoj që ky koncept i sëmundjeve ngjitëse, një herë e përgjithmonë duhet të largohet. Ose të ja ndryshojmë emrin edhe Klinikës Infektive dhe ta bëjmë Klinika për Sëmundjet Ngjitëse...Pandemitë do të jenë pjesë e jetës sonë, kjo është kosto e globalizimit. Në këtë ligj mungojnë sëmundjet e udhëtarëve, sot kemi plot udhëtime. Procedurat ligjore që duhet t’i nënshtrohen sëmundjeve të udhëtarëve, më së shumti me këtë përballet Klinika Infektive", ka thënë Dreshaj.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha është shprehur se kjo nismë ligjore është ndër ligjet më të mira nga profesionistët e Klinikës Infektive dhe Institutit të Shëndetit Publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat