Thaçi: Akuzat e Dick Martyt ranë – më vjen keq për viktimat e luftës në Kosovë

Aktuale

Thaçi: Akuzat e Dick Martyt ranë – më vjen keq për viktimat e luftës në Kosovë

Më: 4 prill 2023 Në ora: 16:41
Hashim Thaçi

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se procesi gjyqësor kundër tij në Gjykatën e Posaçme në Hagë, e hoqi "renë e zezë" mbi Kosovën, sa u përket pretendimeve për trafikim organesh nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të ngritura nga ish senatori zviceran, Dick Marty.

Zoti Thaçi i bëri këto komente në ditën e dytë të procesit gjyqësor kundër tij dhe tre ish zyrtarëve të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria i ngarkon ata për veprat; përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Zoti Thaçi, tha se ndjen “keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë” pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike fetare apo politike.

“Viktima s’marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Jam i pafajshëm nga të gjitha këto akuza”, tha ai.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme.

Zoti Thaci tha se pas pretendimeve të Dick Martyt kishte kërkuar hetime të pavarura.

“Bashkësia Ndërkombëtare tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë për akuzat për trafikim organesh. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë që ne jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”, tha zoti Thaçi.

Avokatët e tij thanë të martën se zoti Thaçi nuk ushtronte kontroll mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën e përfshirë në akuzat e Prokurorisë së Posaçme për krime lufte kundër tij.

Prokuroria thotë se krimet e pretenduara janë kryer në periudhën nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa zonë anembanë Kosovës, si dhe në veri të Shqipërisë, Veriut. Prokuroria pretendon se viktimat, rreth 100 syresh, janë të etnive të ndryshme, por shumica janë shqiptarë.

Avokatët hodhën poshtë pohimet e prokurorëve se qëllimi i të akuzuarve ishte forcimi i pushtetit në Kosovë.

“Hashim Thaçi nuk e kontrollonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, komandantët e zonave e kontrollonin atë”, tha avokati Gregory Kehoe.

Ai theksoi se zoti Thaçi nuk kishte asnjë motiv të kryejë krimet për të cilat akuzohet sepse ishte i ndërgjegjshëm që suksesi i Ushtrisë Çlirimtare varej nga mbështetja ndërkombëtare, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të cilat i ofruan ndihmë Ushtrisë Çlirimtare me disa kushte, përfshirë shmangien e sulmeve ndaj civilëve.

“Hashim Thaçi nuk kishte motiv për t’i shkelur kushtet e Shteteve të Bashkuara, ai ishte shumë i ndërgjegjshëm që Kosova nuk mund të arrijë pavarësinë pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara apo fuqive të tjera perëndimore. Hashim Thaçi në fakt kishte çdo motiv të mos angazhohej në veprimtaritë që përshkruhen në aktakuzë, për të mos humbur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara”, tha avokati Gregory Kehoe.

Edhe avokatët e Kadri Veselit e Rexhep Selimit hodhën poshtë pretendimet e prokurorisë së posaçme. Zoti Selimi ritheksoi se ndjehet tërësisht i pafajshëm.

“Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi të gjithë. Unë besoj që në fund do të vërtetohet pafajësia ime. Të gjithë së bashku që jemi këtu, pavarësisht dallimeve politike që mund t’i kemi pasur, do ta nxjerrim të vërtetën e UÇK-së, se jemi të pafajshëm”, tha zoti Selimi.

Nga 11 prilli prokuroria pritet të paraqesë provat e saj në një proces që pritet të zgjasë deri në prill të vitit 2025 për t’i lënë vendin mbrojtjes së të akuzuarve të cilët në fjalën hapëse, që pritet të vazhdojë të mërkurën, theksuan rrethanat në të cilat u zhvillua lufta në Kosovë e cila përfundoi në qershor të vitit 1999 me ndërhyrjen e NATO-s.

Lufta la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, pjesa më e madhe të të cilëve shqiptarë të Kosovës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat