Si i shastisën Bekë Berisha e Galan Mehmetaj shqiptarët me “Zastavën” e policisë serbe?

Aktuale

Si i shastisën Bekë Berisha e Galan Mehmetaj shqiptarët me “Zastavën” e policisë serbe?

Më: 4 prill 2023 Në ora: 18:20
Foto ilustrim

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Galan Mehmetaj, ka kujtuar frikën që shqiptarët e kanë përjetuar nga vetura e milicisë serbe.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai e ka treguar një ngjarje të pas luftës, kur së bashku me Bekë Berishën e kanë gjetur një veturë të policisë serbe, më të cilën pa dashur i kanë frikuar shqiptarët, njofton Klan Kosova.

“Aq e tmerrshme ka qenë kjo veturë sa edhe në liri u tmerroheshin njerëzit prej saj. E patëm gjetur në gjendje funksionale një veturë të tillë me Bekë Berishën te lagjja ‘Ferati’ në Gjurakofc të Istogut, edhe e morëm për vete”.

“Populli po kthehej, e neve fare nuk na thërriste mendja së kjo paraqiste panik, por edhe rrezik për vetë neve”.

“Veç një rast po e tregoj: Ne të veshur me uniforma të UÇK-së mirë boll, por vetura e milicisë serbe. Po e shohim një turmë njerëzish duke zbritur prej një autobusi plot që ktheheshin nga Shqipëria”.

Mehmetaj thotë se janë gëzuar shumë kthimit të shqiptarëve për shkak se në atë kohë ishin frikuar që ata nuk do të kthehen më në Kosovë.

“Ne fluturim me kerr te autobusi, me ç’rast njerëzit kanë filluar të ikin, disa hynin në autobus, disa të tjerë u tremben e mësyn në disa rrethoja. Ndërsa ne t’u piskatë: Ooo mirë se erdhët, e plot fjalë të mira deri kur u qetësuan e u përqafuan me ne pastaj”.

Tutje, Mehmetaj e ka treguar edhe një rast tjetër me një kushëri të tij.

“Ndërsa një kushëri i imi në një rast tjetër e kapërceu gardhin, unë e ndala kerrin e po i thërras: Oooo Galani jam, Galan Mehmetaj. Ai nga gjysma e livadhit më thoshte serbisht: Nepoznajem Galan Mehmetaj. Deri kur u bind e gradualisht u afrua, e me lot ne sy u përqafuam”.

“Pushtues i poshtër ka qenë Serbi”, kujton ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat