“Na ka marrë dreqi përpara”, Çun Lajçi ka disa fjalë për gjykimin në Hagë dhe Edi Ramën

Aktuale

“Na ka marrë dreqi përpara”, Çun Lajçi ka disa fjalë për gjykimin në Hagë dhe Edi Ramën

Nga: A.Zh Më: 5 prill 2023 Në ora: 21:21
Çun Lajçi

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, ka komentuar situatën aktuale politike në Kosovë.

Ai ka përmendur edhe procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se “ata ndërtuan pallate e hotele, morën çka deshtën e n’fund shkuan n'Evropë me dëshmuar pafajësinë”.

Lajçi ka shkruar disa fjalë edhe për kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke thënë se ai e solli Aleksandar Vuçiqin në Tiranë.

Sipas aktorit, Kosovën e ka “marrë dreqi përpara”, por në fund të gjithë do të “ulen në një sofër”, përcjell Bota sot.

Reagimi i Lajçit në Facebook:

Kur dreqi t'merr përpara

Si jeni ju andej? - Ka kohë që s'jemi pa. Nji vit u banë që s'mora rrugë Fanit me kalin teknefes.

M'ka marrë malli me dalë n'Tiranë e me çua kryet përpjetë. Me vu dorën mbi vetullë e me kqyrë Sahatkullën. Me pa sa asht ora! Më thirrë t'madhe; - a janë çelë nallbanhanet për teknefesin tim? Hanet a i kanë hapë dyert për zotninë time? Mejhanet a kanë nisë me pjekë kafe, se m'ka ra huj me dredhë nji tarabosh e me iu ba tym mustaqeve!

Si jeni ju andej? - A po ju gjykon Evropa si neve? - apo ndoshta ju po e gjykoni vetvetën e s'po keni nevojë për gjykata speciale! Kjo asht mirë, nëse asht kështu! Keq asht nëse e vrisni vetvetën e kërkoni drejtësi n'Evropë, siç kërkuem neve!

Nejse!

Unë dua me ardhë të Sahatkulla e me pa njat Alibeun e me i thanë; - tash ndahu edhe nga vetvetja, se hija jote s'ka me t'lanë vend kurkund!

Edhe Edin dua me pa e me i thanë pikturoje vetën e vare pikturën n'mur të Ismailit, që të dihet; - cili asht baba e cili asht i biri! Cili e ngriti flamurin n’Vlonë e cili e pruni Vuçiqin n’Tiranë!

Neve këndej na ka marrë dreqi përpara, e po don me zor me na mbërthye kërrshave! Po mundohet me na ba bashkë tue na i thye brinat e tue na i varë trokaçat n'qafa! Na kanë shpërnda si pikat e shiut. Edhe trutë na i kanë shpërla me do marrëveshje.

- Deshtët s'deshtët, nënshkruet s'nënshkruet, iu pëlqeu s'iu pëlqeu, keni mu ulë në nji sofër e në nji sahan keni me i shti lugët, na thanë, dhe tash kemi mbetë me shtaga n'duer, tue lypë gu*** me futë n'birë!

Edhe ata, që na e sollën lirinë nga malet, t'gjitha gradat ia vunë vetës n'krah, t'gjitha lulet me aromë çmendurie i futën n'xhepat e tyne, ndërtuen pallate e hotele, morën çka deshtën e n’fund shkuen n'Evropë me dëshmua pafajsinë! Neve s'na mbeti tjetër pos me marrshua tue kërkua drejtësi për ta, e tani po e lusim zotin, që t'mos jetë ashtu siç po thonë ata t'gjykatoreve!

Nejse!

Mua m’ka marrë malli edhe për ata e edhe për juve, por kali m’ka qëllu teknefes e nuk po m’çon ma kurkund!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat