Miftaraj thotë se Prokurorisë në Hagë i ka rënë poshtë çështja kryesore

Aktuale

Miftaraj thotë se Prokurorisë në Hagë i ka rënë poshtë çështja kryesore

Më: 5 prill 2023 Në ora: 22:32
Ehat Miftaraj

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se pasi që ka rënë qëllimi kryesor i Gjykatës Speciale, që ka qenë hetimi i pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty për trafikim organesh dhe për ekzistimin e ‘shtëpisë së verdhë’, tashmë kjo gjykatë po merret vetëm me çështje periferike.

Miftaraj ka thënë se  Gjykata Speciale duke u marrë me çështje periferike do të përfundojë me gjykim maratonik që sipas tij, do të zgjasë së paku dy vite.

“Qëllimi i themelimit të Gjykatës Speciale ka qenë hetimi për pretendimet e Dick Martyt, ku na kujtohen ‘shtëpia e verdhë’ dhe për trafikimin e organeve. Thelbi për të cilën është themeluar kjo gjykatë do të thotë që veç ra. Siç duket Prokuroria duke rënë çështja kryesore, tani është duke u marrë me çështje krejt periferike dhe ne do të ballafaqohemi me gjykim maratonik që do zgjasë së paku dy vite dhe për dy vite prokuroria do të provojë që përmes dëshmitarëve, viktimave të na informojë për të gjitha ato masakra që kanë ndodhur në Kosovë”, ka thënë drejtori i IKD-së.

Miftaraj ka thënë se për gjatë dy viteve të gjykimit çdo seancë do të jetë e ndjeshme.

“Ne duhet të kemi respekt të jashtëzakonshëm për të gjitha viktimat e krimeve të luftës që kanë ndodhur në Kosovë e që në rastin konkretë 24, 25 vite pas përfundimit të luftës ne do të shohim për dy vite që do të bëhet lajm në mediat botërore çdo seancë, ku do të ketë seanca shumë të ndjeshme, sepse një viktimë e krimit a po një familjarë e viktimës së krimit si dëshmitarë kur ti tregon ato ngjarje që mund të jenë kryer nga kushdo e nuk duhet të harruar faktin që në një situatë kur në vitin ‘98, ‘99 në Kosovë ka qenë një territor ku nuk e ka kontrolluar as UÇK, e as ushtria jugosllave si duhet, mundësi që kjo të keqpërdoret nga shërbimi sekret serb apo nga shteti vetë serb kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha”, ka shtuar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat