Deputeti i VV-së: Ka potencial për eskalim në veri, KFOR-i nuk duhet vetëm të shikojë

Aktuale

Deputeti i VV-së: Ka potencial për eskalim në veri, KFOR-i nuk duhet vetëm të shikojë

Më: 5 prill 2023 Në ora: 23:46
Dimal Basha

Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha ka thënë se situata në veri të Kosovës, ka potencial për të eskaluar. Ai në DPT te Fidan Jupolli në T7, ka treguar se grupe civile të afërta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq po trajnohen për të gjuajtur me armë në Rashkë të Serbisë.

Basha ka thënë se Kosova duhet të jetë gati për çdo rast.

“Ka potencial të eskalimit të situatës atje. Nuk e dimë se a do t’i përdorë Vuçiqi këto grupe, të cilat po ushtrohen, por ne duhet të jemi gati”, ka thënë ai.

“Ata po përgatiten për ta destabilizuar Kosovën, ata nuk shkojnë në Vojvodinë”, ka shtuar Basha gjatë emisionit.

Deputeti ka deklaruar se forcat e KFOR-it nuk duhet që të monitorojnë, pa ndërmarrë veprime, nëse rivendosen barrikadat në veri.

“Kam pasur një postim ku kam kritikuar forcat e KFOR-it që veç i këqyrshin barrikadat në veri. Qytetarët në veri nuk janë të sigurt, ata nuk munden veç me këqyrë. KFOR-i nuk duhet të lejojë më që të vendosen barrikada”, ka thënë tutje ai.

Basha ka numëruar incidentet e fundit në veri. Sipas tij, incidentet e shkaktuara qëllimshëm, po frikësojnë qytetarët e asaj ane.

“Ka pasur 7 djegie të veturave. Kanë qenë qindra viktima që kanë pritur për t’i regjistruar në RKS, por këto djegiet, rrahjet, linçimet po shkaktojnë frikë në veri”, ka thënë deputeti Basha.

“Shtrirja e sovranitetit nuk është më temë, duhet të ndodh. Kosova është unitare, nuk ka diskutim më”, ka shtuar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat