Debate të ashpra, Haxhiu e Gërvalla ‘përplasen’ me deputetët e PDK-së - Konjufca merr vëmendje me këtë veprim

Aktuale

Debate të ashpra, Haxhiu e Gërvalla ‘përplasen’ me deputetët e PDK-së - Konjufca merr vëmendje me këtë veprim

Më: 6 prill 2023 Në ora: 07:14 Përditësuar në ora: 19:44 më 06.04.2023
Kuvendi i Kosovës

Përfundon seanca, diskutimi për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti vazhdon nesër

Ka përfunduar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku të enjten u diskutua për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë debatit, kryeministri Kurti u mburr para deputetëve për sukseset e arritura deri tani, ndërkaq, deputetët opozitarë e kritikuan shefin e qeverisë për dështim në qeverisje.

Gjatë seancës e morën fjalën edhe ministrat e kabinetit qeveritar, ku renditën para legjislativit, siç thanë të arriturat gjatë këtyre dy viteve.

Seanca do të vazhdojë nesër prej orës 13:00.

Nagavci: Kemi reflektim me rezultate për këto dy vjet qeverisje në arsim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka folur për punën dy vjeçare të Qeverisë Kurti në këtë dikaster.

Ajo, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë  se ata i kanë realizuar të gjitha premtimet e tyre që i kanë përmendur para se të vijnë në pushtet.

“Duke qenë si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë Kurti, arsimi jo vetëm se ka reflektuar me rezultate dhe politika konkrete që në fokus i kanë të vegjlit, nxënësit, studentët dhe mësimdhënësit. Por edhe me buxhetin për të gjitha këto çështje”.

“Buxheti i arsimit në dy vitet e fundit është rritur për 24 për qind, aktualisht kemi 83 milionë euro buxhet për ministrinë e Arsimit. Me të marrë drejtimin e realizuam premtimin tonë të parë për arsimin publik falas. 3890 studentë përfituan bursa për studime brenda dhe jashtë vendit, e realizuam plotësisht vendimin tonë për mbështetje të vajzave dhe grave në STEM”, ka thënë Nagavci.

Vitia, deputetes Krasniqi: Përditësoni të dhënat kur flitni për pagat e mjekëve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka debatuar sot në Kuvendin e Kosovës, me deputeten e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, derisa flitej për dy vjetorin e Qeverisë Kurti.

Ai i tha Krasniqit që duhet t’i përditësojë informacionet e saj sa i përket pagave të mantelbarëdhëve në Kosovë.

“Vetëm desha që deputetes t’i them që t’i bëjë update informacionet e saja. Ajo ka folur për një periudhë të kaluar, çdo herë pagat e mjekëve nuk kanë qenë ato që janë”.

“Ka një kohë që Ligji për Pagat ka kaluar, dhe pagat iu janë rritur mjekëve nuk e di sa jeni në dijeni, jane dyfishi i pagës që e kanë pasur më herët. Ju lutem sërish që para se të flitni t’i bëni update informacionet”, ka thënë Vitia.

Pas kësaj deklarate ka reaguar menjëherë deputetja Krasniqi, e cila i tha se” “Këtu jemi duke folur për dy vjet qeverisje dhe jo për dy javët e fundit”.

Deliu: Qeveria nuk ia paguan rrymën Bajram Qerkinajt por ia paguan 4 komunave në veri

Në diskutimin për punë dy-vjeçare të Qeverisë Kurti, deputetja e PDK-së i ka kritikuar se si nuk i paguajnë rrymën Bajram Qerkinajt, ndërsa katër komunave veriore po.

Blerta Deliu Kodra tha në Kuvendin e Kosovës se Kosova është hapur për Serbinë dhe mallrat serbe dhe është mbyllur për Shqipërinë.

“Rryma nuk i është paguar Bajram Qerkinajt që është babai i 19-vjeçarit të zhdukur në luftë dhe paguhet për 4 komunat në Veri. 

Kjo është Qeveri e shpresës”, tha ndër nga radhët e PDK-së.

Sveçla i bindur: Qasja destruktive e Serbisë ndaj Kosovës s’ka ndryshuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se qasja destruktive e Serbisë ndaj Kosovës ende nuk ka ndryshuar.

Në seancën e kuvendit ku po diskutohet për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, Sveçla i ka listuar disa nga aktivitetet të cilat ai i konsideron si suksese në veri të Kosovës.

“Qasja e Serbisë karshi Kosovës nuk ka ndryshuar. Përgjatë këtyre dy vjetëve, jemi ballafaquar si dy shtete me Serbinë. Në kontekst të kësaj, kemi ndaluar mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë. Kemi mundësuar regjistrimin me taksa RKS, ndërsa taksat e regjimit të Millosheviqit po dorëzohen e zëvendësohen”.

“Institucioneve të sigurisë iu nevojitet përkrahje më e madhe. Por, unë mund të ju garantoj që krimi dhe korrupsioni do të vazhdojnë të luftohet në çdo cep”.

Gërvalla: Janë bërë hapa të rëndësishëm për anëtarësim në KE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla deklaroi se janë bërë hapa të rëndësishëm për anëtarësim në Këshill të Evropës. 

Ajo në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për dyvjeçarin e punës së Qeverisë së Kosovës, tha se tashmë Kosova ka një vend të respektuar në arenën ndërkombëtare. 

Gërvalla: Janë bërë hapa të rëndësishëm për anëtarësim në Këshill të Evropës 

“Në maj të vitit të kaluar, më pak se një vit më parë kemi dorëzuar kërkesën tonë për anëtarësim në Këshill të Evropës. Gjatë këtij viti janë bërë hapa të rëndësishëm drejt këtij anëtarësimi”, tha ajo. 

Por, kryediplomates kosovare i reagoi deputetja opozitare e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila tha se Gërvalla është e paditur dhe nuk ka njohuri në diplomaci.

Madje, sipas saj, ministren Gërvalla tashmë po e shpërfill edhe kryeministri Albin Kurti. 

Musliu-Shoshi: Jeni e paditur dhe nuk merrni erë në diplomaci 

“Në krye të diplomacisë jeni jashtëzakonisht e paditur dhe nuk merr erë në këtë punë. Përpos përçarjes brenda ministrisë nuk ke bërë asgjë, bash asgjë. Kosova që nga ardhja juaj në pushtet, shërbim të jashtëm nuk ka, lobim edhe më hiç, njohje të reja as në shprehje nuk vijnë. Ndërsa, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është vetëm në formë dëshirore”, tha ajo. 

Në anën tjetër, ministrja Gërvalla këto pretendime të deputetes Musliu i konsideroi si shpifje. 

Gërvalla: Nuk po keni për çka me u kap, prandaj shpikni situata

“Nuk po keni për çka me u kap, prandaj shpikni situata të tilla që janë tërësisht qesharake”, u shpreh ajo.

Deputetja e PDK-së-Gërvallës: Albini të ka përjashtu prej kabineti, s’po të merr askund

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka replikuar me kryediplomaten Donika Gërvalla, në dy vjetorin e Qeverisë Kurti.

Shoshi ka thënë se shihet qartë që kryeministri Kurti e ka “përjashtuar” Gërvallën nga kabineti qeveritar dhe se kompetencat tashmë i ka marrë zv.ministri Kreshik Ahmeti.

“Zonja Gërvalla më vjen keq që s’je pjesë e kësaj mrekullie që ka ndodhë. Sepse po shihet që Albini të ka përjashtua nga kabineti qeveritar. Kompetencat po shihet që i ke dorëzua te zv.ministri Kreshniku. Ti përveç që merresh me punët e brendshme të MPJ-së asgjë tjetër s’ke. Edhe ato punë me të cilat merresh brenda ministrisë i ke të jashtëligjshme. Instancat gjyqësore çdo ditë po të kthejnë vendime që je në kundërshtim me ligjin”, ka thënë deputetja Musliu-Shoshi.

Ajo tutje i ka thënë Gërvallës se “je e paditur” dhe se “s’merr erë në këtë punë [diplomaci]”

“Në krye të diplomacisë je ti që je jashtëzakonisht e paditur dhe s’merr erë në këtë punë. Përpos përçarjes brenda MPJ s’ke bërë bash asgjë. Kosova s’ka shërbim të jashtëm, as lobim, e njohjet e reja as në shprehje nuk vijnë. Anëtarësimet në institucionet ndërkombëtare janë vetëm në mënyrë dëshirore”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Ndaj këtyre deklarimeve të deputetes, ka reaguar Donika Gërvalla duke thënë se shumica e ankesave që janë bërë nuk janë miratuar as 1% e tyre dhe se janë konfirmuar të gjitha vendimet e saj si ministre.

“Sa i përket shpërndarjes së kompetencave te zv.ministrat sinqerisht s’po iu kuptoj. Si organizohet puna në institucion, pa pajisur me kompetenca edhe zëvëndsit që të jenë në gjendje të verpojnë në mungesë të ministrit, që sipas detyrës kohën më të madhe e kalon jashtë vendit”, ka thënë Gërvalla kur i ka kthyer përgjigje për delegim të kompetencave tek zv.ministri Kreshnik Ahmeti.

Ndaj Gërvallës ka reaguar përsëri deputetja e PDK-së, duke i thënë Gërvallës se Kurti e ka përjashtuar nga çdo aktivitet, përfshirë forumet ndërkombëtare, procesin e dialogut e takime bilaterale e multilaterale.

“Ministre të paktën të ka hije me qenë e sinqertë. E shkel ligjin në baza ditore, në çdo vendim që e nënshkruan. Ti politikën e jashtme nuk e njeh. Për këtë arsye të ka përjashtu Albini, nuk je kërkun, asnjëherë. Në asnjë forum ndërkombëtar nuk je, nuk je në dialog, s’je në takime bilaterale, as multilaterale,  ti s’ke agjendë të politikës së jashtme” ka përfunduar deputetja e PDK-së.

Gërvalla thotë se të huajt po ia adhurojnë punën: Një ministër nordik më tha ‘jeni yll i ndritshëm në Ballkan’

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz tha se disa prej politikanëve të huaj i kanë thënë fjalë të mira për punën e Qeverisë, megjithëse, nuk ka përmendur me emra.

Gërvalla në një fjalim të rrallë në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se një politikan i tha se po flasin vetëm për zhvillimin pozitiv të një vendi.

“Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të politikës evropianë na thotë: Rrallë me ndodhë që gjatë takimit të flas vetëm për zhvillim pozitiv të një vendi.” – tha ajo.

Për një homolog tjetër, Gërvalla po thotë se i ka thënë që “është yll i ndritshëm i demokracisë në rajon”.

“Një homolog i imi nordik në një prej takimeve në thotë “you are the shining star of the democracy in the region”, që do të thotë “jeni yll i ndritshëm i demokracisë në rajon.” – tha ajo.

Tutje në fjalimin e saj, Gërvalla u shpreh si vijon: “Të pamunumërta janë bisedat me homologë të kontinenteve të ndryshme të cilët shprehin admirim për sukseset dhe për caktimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës për shtet ligjor e demokraci të mirëfilltë”.

Pra kryediplomatja, pretendoi se shumë shtete po i adhurojnë institucionet e Kosovës.

“Asnjëherë Kosova nuk ka pasur kaq shumë vizita të ndërkombëtarëve, kurrë nuk kemi pasur kaq shumë miq të fortë, jo vetëm duke na treguar se çfarë duhet të bëjmë, bashkë me ne punojnë.” – tha ajo.

Batuta epike e Konjufcës: Pal, ‘tokë’ na ke bo, s’di a me ta dhënë edhe një minutë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, as në seancën e sotme nuk e ka ndalur humorin me deputetët.

Derisa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, kritikonte Qeverinë Kurti, ai kërkoi një minutë shtesë për fjalimin e tij nga kryeprlamenatri Konjufca.

Ky i fundit, është tallur pak me deputetin e AAK-së.

“Pal, tokë na ke bo, se di a me ti dhanë edhe një minutë a jo”, ka thënë Konjfuca.

Kjo ka bërë qe deputetët e Kuvendit të Kosovës të shpërthejnë në të qeshura.

Në adresimin e tij, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se Qeveria Kurti ua ka humbur shpresën qytetareve të Kosovës.

“Kjo qeveri për dy vite të qeverisjes, nga qeveria e shpesës lirisht mund te quhet qeveria e pa shpresë. Kjo qeveri nuk po dinë, nuk po mundet dhe nuk po do të punojë për mirëqenien e qytetareve dhe forcimin e shtetit”, ka thënë Lekaj.

“Ti s’din me fol për drejtësi, me ty mund të flasim për vajin në tepsi”, përplasje mes Tahirit dhe Haxhiut në Kuvend

Një përplasje e ashpër ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës në mes ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut dhe deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri i tha Haxhiut se “ajo nuk dinë për drejtësi”.

“Albulenë me fol për drejtësi me ty është problem se sdin. E ke dëshmu shumë herë se sdin, me ty mudemi me fol për vajin tepsih, me fol për grun e frizerit, me fol lookun tënd, me fol për punësime, me fol për higjienën Ministrinë e Drejtësisë që shpesh e poston në Facebook, por për drejtësi jo”, ka thënë Tahiri.

“Ku ke pa në vend në botë që një gjyqtar me u shkarku për shkelje disiplinore. Ky cenim shkelje e pavarësisë së gjyqësorit”.

“Me ta shpall antikushtetues ligjin për këshillin prokurorial, ligjin për konfiskim të pasurisë, me t’i shpallë antikushtetuese amendamentet për vetting”, ka kritikuar ashpër Tahiri.

Por më pas ka reaguar Albulena Haxhiu, duke thënë se “nuk merret me Abelard Tahirin sepse nuk pret asgjë nga ai”.

“Me Abelard Tahirin nuk merrem për gjuhën seksiste sepse nuk pres më shumë nga ai. Ti nuk mbahesh mend për asgjë. Mbahesh mend se qysh ti si ministër i drejtësisë e ke mbyllë institutin për krime të luftës, e ke konfromentu komplet procesin e provimit të noterisë, për atë revolën e plumave që nuk dëgjohet. Kështu që ti me mua nuk mundesh me u shty kurrë për sa i përket reformave”, ka thënë Haxhiu.

Ajo po ashtu ka thënë se “nuk di të kërcënojë gjyqtarë e prokurorë”, duke aluduar te pushtetet e kaluara.

Në këtë debat ndërhyri edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, duke i thënë Tahirit se “është seksiste të merret me pamjen e grave”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat