Bislimi flet rreth Asociacionit, kjo është brenga e tij për veriun, paralajmëron këtë gjë!

Aktuale

Bislimi flet rreth Asociacionit, kjo është brenga e tij për veriun, paralajmëron këtë gjë!

Më: 6 prill 2023 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 10:55 më 06.04.2023
Besnik Bislimi para Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë.

​Bislimi: Vetmenaxhimi nuk ka asgjë të bëjë me Zajednicën

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se në dokumentin për personat e zhdukur me dhunë, është hequr një gjysmë fjali me kërkesë të palës kosovare. Ai para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme deklaroi se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të palës serbe.

"Në propozimin e fundit për dokumentin për personat e zhdukur me dhunë, është larguar vetëm një gjysmë fjali me kërkesë të palës kosovare. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje të palës serbe. Dokumenti do të bëhet publik, ne momentin kur dy liderët e aprovojnë", ka shtuar ai.

Bislimi tha se nuk ka garanca që Serbia të ndalojë lobimin kundër Kosovës, por që kjo nënkupton shkelje të marrëveshjes.

Ai ka folur edhe për çështjen e asociacinit, për çka përsëriti që nuk ka të bëjë me Zajednicën.

"Vetmenaxhimi nuk ka asgjë të bëjë me atë që ne e kemi quajtur Zajednicë”, tha ai.

Bislimi ka njoftuar se gjatë muajit mars, mbi 700 vetura janë shndërruar në targa RKS.

"722 vetura në muajin prill nuk ka pasur shumë. Numri i tërësishëm nuk e kalon muajin 800", ka njoftuar ai.

Sa i përket faturës së rrymës në veri, ai tha se energjia e shpenzuar në veri që nga viti 1999, ka një faturë prej 320 milionë euro.

"Ka tendencë që çdo gjë të përdoret për eskalim të situatës. Energjia e shpenzuar në veri, ka një faturë prej 320 milionë euro. Elektroserveri ka pasur një gatishmëri që disa muaj ta nënshkruaj kontratën, por nuk është lejuar nga politika serbe", ka thënë ai në Komisionin për Punë të Jashtme.

Bislimi: Ekziston brenga se Serbia mund ta destabilizojë situatën në veri për çështjen e targave

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka bërë të ditur se vetëm në muajin mars në targa RKS kanë qenë të regjistruara diku 722 vetura, ndërkaq në muajin prill  ka pasur më pak.

Bislimi tha se nga këto 722, shumica kanë qenë në 10 ditëshin e fundit të muajit mars.

Por Bislimi ka thënë se ekziston brenga se Serbia mund ta destabilizojë situatën në Veri për çështjen e targave.

“Ekziston në brengë që ka potencial nga ana e Serbisë që ta destabilizojë situatën, gjithmonë duke keqpërdorur temën e targave. Ju e keni parë javën e kaluar aktivitetin e shtuar të strukturave ilegale dhe kriminale në veri në djegien e veturave të qytetarëve serbë”, tha Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme ku po raporton.

Dhjetë vetura janë djegur në javët e fundit në veri, ndërsa një qytetar serb është arrestuar si i dyshuar.

Djegia e veturave është parë si paralajmërim për tensione në prag të zgjedhjeve të 23 prillit në katë komunat në veri.

Këto akte i dënuan ashpër SHBA-ja dhe BE-ja. 

Bislimi mohon se u hoq termi “persona të zhdukur me forcë”: As Serbia s’i beson Petkoviqit

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi dha disa detaje para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme lidhur me deklaratën për personat e zhdukur.

Bislimi tha se pala kosovare dhe ajo serbe janë marrë vesh për këtë dhe se deklarata pret aprovimin e dy krerëve të shteteve.

Sipas tij, për të ka pasur vetëm një vërejtje, nga pala kosovare, dhe më pas është pranuar.

Por mohoi se nuk do të përdoret më termi “persona të zhdukur me forcë”, por “persona të zhdukur”.

“As Serbia nuk i beson Petkoviqit”, tha Bislimi.

Takimi mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq u pasua me deklarata kontradiktore në Prishtinë dhe Beograd.

Bislimi: Ka pesë kritere mbi të cilat shihet se sa i përshtatshëm është Asociacioni

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është duke raportuar lidhur me procesin e dialogut në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë.

Bislimi, gjatë raportimit, tregoi se ka pesë kritere mbi të cilat nuk do të zbatohet Asociacioni për çka tha se ka dakordim të plotë në Bruksel,

“Ka dakordim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere përmes të cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti që propozohet nga ekipi menaxhues”.

Mes tjerash, Bislimi tha se në njërën prej pikave është edhe themelimi i Asociacionit.

“1. A kërkon ky draft a sugjeron dhe parasheh një shtresë të re të qeverisjes, në rast se parasheh këtë atëherë nuk konsiderohet si i pranueshëm për diskutime shtesë, 2. A nënkupton të drejta kolektive, nëse parasheh këtë e merr epitetin e një drafti të papranueshëm, 3. Në ç’masë është në harmoni me marrëveshjet e dakorduara më 2013 dhe 2015, 4. Në ç’masë është në harmoni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, 5. Në ç’masë është në harmoni me letrën Mogherini i ka dërguar Qeverisë së Kosovës ku tregon se cfarë kompetencash mund të ketë apo jo Asociacioni” tha Bislimi.

Mes tjerash, Bislimi tha se të gjitha këto kritere e bëjnë Asocacionin të ndryshëm nga ajo çka partia ku bënë pjesë, Lëvizja Vetëvendosje, e quante “Zajdenicë”.

Bislimi raporton sot për dialogun para Komsionit për Politikë të Jashtme

Raportim do të ketë edhe zëvendësi i Albin Kurtit, Besnik Bislimi.

Bislimi do të raportojë për procesin e dialogut, takimet e mbajtura në Bruksel të martën.

Se çka është biseduar, ai do të tregojë në Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Diasporë.

Raportimi i numrit dy të qeverisë nis nga ora 09:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat