Tha se u sulmua fizikisht pas namazit të Teravive, çfarë thotë policia për rastin e hoxhës nga F.Kosova

Aktuale

Tha se u sulmua fizikisht pas namazit të Teravive, çfarë thotë policia për rastin e hoxhës nga F.Kosova

Më: 6 prill 2023 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Ali Ismaili, imam në xhaminë e fshatit Miradi e Epërme të Fushë Kosovës pretendon se është sulmuar fizikisht nga persona të panjohur, të shtunën pas faljes së namazit të Teravive. Sipas tij të panjohurit lëviznin me një veturë “pikap” pa tabela. Hoxha pretendon se edhe më parë ka marrë kërcënime. Por çfarë thotë policia për këtë rast?

Hoxha u ka bërë thirrje organeve të rendit që ta zbulojnë këtë rast në mënyrë që të parandalohet “diçka më e keqe”.

Zyra për Informim e Prishtinës në Policinë e Kosovës tha se informatat për pretendimet rreth sulmit janë duke u trajtuar dhe me rekomandim të prokurorit “gjithçka ka ngelur në suazat e shënimit zyrtar”.

“Policia po vijon me trajtimin e të gjitha informacioneve që ndërlidhen me ngjarjen, respektivisht pretendimeve të paraqitura nga ana e ankuesit. Andaj aktualisht me rekomandimin e prokurorit të shtetit, gjithçka ka ngelur në suazat e shënimit zyrtar”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Për këtë rast, përgjigje nuk ka kthyer Prokuroria e Prishtinës, si dhe as vetë Hoxha nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Ahmet Sadriu, tha se për këtë rast nuk kanë pranuar asnjë raport.

“S’na ka ardhë neve asnjë raport në lidhje me këtë, nuk mundem me të thënë kurgjë. Diku e kanë përmend, por nuk kam ndonjë raport”, tha Sadriu.

Image
Postimi i hoxhës
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat