Kushtetuesja ia shpalli të pavlefshëm ligjin, Haxhiu akuza ndaj PDK’së: E keni ndrydhur e shtrydhur drejtësinë

Aktuale

Kushtetuesja ia shpalli të pavlefshëm ligjin, Haxhiu akuza ndaj PDK’së: E keni ndrydhur e shtrydhur drejtësinë

Më: 6 prill 2023 Në ora: 11:50
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha në Kuvend se nuk do ta tolerojnë korporatizmin (kontrollin e një grupi),  brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke paralajmëruar se ligjin për KPK-në do ta sjellë sërish në Kuvend me ndryshimet e bëra.

Sipas saj, grupe të interesit ia kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë.

“Çështjen e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në raport me Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, së pari vendimi apo aktgjykimi për KPK-në nuk është lajm i mirë për drejtësinë, është i mirë vetëm për juve si parti opozitare dhe për grupet e interesit brenda sistemit të drejtësisë që ja kanë zënë frymën sistemit të drejtësisë”, tha ajo.

“Keni edhe ju përgjegjësi që e keni ndrydhur dhe shtrydhur sistemin e drejtësisë për inetersat e juaja personale”, shtoi ajo duke iu përgjigjur deputetës së PDK’së Blerta Deliut.

“Unë do të komentoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sidomos kur për të njëjtin projektligj kemi pasur dy opinione pozitive në Komisionin e Venecias….Më duhet të ju deshpëroj se në asnjë moment nuk do ta tolerojmë korporatizmin brenda KPK-së”, tha ajo.

Ajo pati kritika për Gjykatën Kushtetuese duke thënë se morën 9 muaj kohë deri në nxjerrjen e vendimit dhe e vonuan edhe publikimin e tij.

“Dhe menjëherë pa humbur kohe do të bëjmë ndryshimet dhe do të sjellim në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, paralajmëroi ajo.

“Korporatizmin nuk do ta tolerojmë brenda KPK-së”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat