Hisen Berisha: Në Hagë po gjykohet UÇK-ja dhe krerët e saj – jemi kundër zhbërjes së Speciales

Aktuale

Hisen Berisha: Në Hagë po gjykohet UÇK-ja dhe krerët e saj – jemi kundër zhbërjes së Speciales

Më: 6 prill 2023 Në ora: 17:16
Hisen Berisha

Të hënën e 3 prillit, në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Lidhur me gjykimin e tyre, ka folur deputeti i PDK-së, Hisen Berisha.

Ai thotë se në ekspozenë hyrëse u pa se pretendimet e Hagës shkojnë përtej raportit të Dick Martyt, i cili më nuk paraqet as burim faktesh për të ngritur aktakuza dhe se tendenca është penalizimi gjeneralizues e gjithë veprimtarisë politike dhe ushtarake e shqiptarëve.

“Në ekspozenë hyrëse u pa se pretendimet e Hagës shkojnë përtej asaj që paraqet raporti i Dick Martyt. Në fakt, raporti më nuk paraqet bazë apo burim faktesh për të ngritur aktakuza. Hapur po lexohet se është tendencë e një penalizimi gjeneralizues të gjithë veprimtarisë politike dhe ushtarake të shqiptarëve ndër vite. Edhe në kohën e regjimit jugosllav, edhe në kohën e regjimit të Millosheviqit”, thotë ai.

Sipas deputetit, aktakuza ka tendenca të njollosjes së UÇK-së dhe luftës së saj, andaj barra e provës tani bie mbi prokurorinë që të dëshmojë se viktimat a ishin civilë apo pjesë e aparatit shtetëror të dhunës së Serbisë.

“Tendenca apo pretendimet që paraqiten në ekspozenë e aktakuzës, apo tendenca për të personalizuar veprat ndaj palëve që mbahen atje në Hagë, liderëve të luftës po edhe të shtetit të Kosovës në paqe, janë thjesht me qëllim të njollosjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse UÇK gjatë gjithë kohës dhe veprimtarisë së saj edhe nëse nuk ka arritur ta ndërtojë një hirearki vertikale të komandimit, në formën horizontale të shtrirjes ka qenë shumë e zhvilluar për shkak se ka qenë vullnetit i qytetarëve për të luftuar për lirinë e tyre, andaj barra e provës tani do të bie mbi prokurorinë që të dëshmojë se këta persona që po mundohet t’i nxjerrë si viktima të asaj lufte a ishin pjesë e aparatit shtetëror të dhunës së Serbisë, pra ushtarë, policorë, paramilitarë e të tjerë, që kanë kryer krime në Kosovë. Duhet të na dëshmojë se personat, qofshin ata edhe të komunitetit shqiptar që tani janë në Serbi, a ishin edhe ata palë ndërvepruese kundër UÇK-së dhe tani duhet dëshmuar se kush ishin vërtetë ato viktima, a ishin palë ndërvepruese apo ishin civilë. Pra, kjo barrë prove duhet të bie mbi prokurorinë dhe unë besoj se pala mbrojtëse ka mjaftueshëm dëshmi për të treguar se kush ishin ata”, thekson Berisha.

Ai shton se në Hagë po gjykohet UÇK-ja, lidershipi i saj dje se kjo është e rrezikshme për të ardhmen e stabilitetit të Kosovës.

“Dhe, thjesht tendenca për të penalizuar lidershipin e UÇK-së që po mbahet në Hagë, në emër të zinxhirit komandues, është më shumë tendencë për ta njollosur luftën e UÇK-së, se sa mundësinë për të dëshmuar krime individuale. Atje po gjykohet Ushtria Çlirimtare të Kosovës, lidershipi i saj, me këtë edhe vetë qëllimi i saj kundër luftës që është një rrezik i madh për të ardhmen e stabilitetit tonë dhe të pavarësisë, edhe në njëfarë forme i hapet shtegu Serbisë për të gjykuar edhe vetë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për drejtën në shpalljen e pavarësisë”, vlerëson deputeti i PDK-së.

Ndërsa, lidhur me zërat për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ai thotë se janë joserioze, pasi ish presidenti Thaçi ka sqaruar qëllimin politik të formimit të saj dhe se marshet për drejtësi në Prishtinë e Hagë kanë qenë mesazhe të paqes për drejtësi.

Unë i konsideroj jo serioze, jo të pjekura, sepse Gjykata Speciale është krijuar me një pretekst të arsyeshëm, besoj në ekspozenë e tij mbrojtëse, e sqaroi edhe presidenti Thaçi. Dëmi më i madh që i është bërë ndonjëherë Kosovës është raporti i Dick Martyt dhe pretendimet e tij për krimet në trafikim të organeve, krimi më monstruoz në luftëra dhe dhunimi. Kështu që, arsyeja e krijimit është sqaruar nga presidenti Thaçi në aspektin politik dhe është dashur të bëhet dhe ajo që duhet të bëjmë, edhe marshi në Prishtinë edhe ai në Hagë ishin mesazhe të paqes për drejtësi. Pra, të vendoset drejtësi”, shton ai.

Berisha thekson se nuk janë pro zhbërjes, as ndaljes të procesit juridik dhe as pengimit të këtij procesi, por realizim të përshpejtuar të tij.

“Ne nuk jemi as për zhbërje, as ndalje të procesit juridik dhe as pengim, por zhvillim të këtij procesi juridik brenda standardeve ndërkombëtare të drejtësisë dhe të drejtës vendore, sepse ai është produkt i Kuvendit të Kosovës edhe mos pengim i tij, por realizimi në proces më të përshpejtuar. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është të kërkojmë amandamentimin e bazës ligjore të kësaj baze dhe në këtë amandamentim të konsistojmë në moslejimin më të përdorimit për dëshmi dhe fakte për të ngritur aktakuza deponime të prokurorisë serbe dhe shërbimit sekret serb”, deklaron Hisen Berisha.

Sipas tij, edhe Qeveria e Shqipërisë duhet ta dërgojë për shfuqizim në Këshill të Evropës raportin e Martyt.

“Kjo duhet të jetë konsistencë e jona, ashtu siç duhet të jetë e qeverisë së Shqipërisë, e cila duhet që raportin e Dick Martyt ta kthejë në Këshill të Evropës dhe të iniciojë procedurën për shfuqizimin e tij”.

Deputeti vlerëson se edhe presidentja e kryeministri i Kosovës duhet të garantojnë mundësinë që ish krerët e UÇK-së të mbrohen në liri në një shtet të tretë, pasi është e panevojshme që ata të mbahen në burg, dhe se ata nuk janë ordinerë që të bëjnë presion mbi drejtësinë apo dëshmitarët.

Kjo do të ishte, dhe po ashtu edhe përkushtimi i institucioneve të vendit, Presidenca e kryeministri për të garantuar edhe me mundësinë e mbrojtjes në liri në një shtet të tretë. për palët që mbahen atje është jo korrekte njerëz që kanë identitet që kanë përfaqësuar institucionet më të larta të shtetit tani të mbahen në burg është e panevojshme. Ata janë njerëz me identitet, me adresa dhe nuk janë ordienerë e nuk janë që bëjnë presion mbi drejtësinë apo mbi dëshmitarët, sepse u pa që në start se dëshmitë do të jenë vetëm djerrje kohe dhe në fund nuk mund t’iu faturohet asnjë individëve që po mbahen atje”, thotë ai.

Berisha krejt në fund thotë se “tendenca për ta shpallur lëvizjen tonë si ndërmarrje e përbashkët kriminale është e padrejtë, pasi është penalizim i historisë së shqiptarëve, sepse rezistenca jonë ka lindur si pasojë e dhunës e regjimit të Millosheviqit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat