Dhjetëra serbë duan të kthehen në institucionet e Kosovës, akuzojnë Listën Serbe për terror në veri

Aktuale

Dhjetëra serbë duan të kthehen në institucionet e Kosovës, akuzojnë Listën Serbe për terror në veri

Më: 7 prill 2023 Në ora: 00:16
Foto ilustrim

Partia e Serbëve të Kosovës (PKS), e cila do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës më 23 prill, ka njoftuar se rreth dhjetë anëtarë të saj të cilët janë larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, nuk e kanë marrë pagën e fundit që u është paguar nga buxheti i Serbisë.

Në një komunikatë për media, kjo parti, e cila drejtohet nga Aleksandar Jabllanoviq, ka hedhur akuza ndaj Listës Serbe dhe ndaj kreut të Zyrës për Kosovën, por edhe ndaj vetë shtetit serb që i ka lënë pa paga.

Ata thonë se nuk janë paguar pagat për qytetarët e Leposaviqit familjarët e të cilëve ose ata personalisht janë në listën e PKS-së për zgjedhjet e 23 prillit.

“Me ftesë të vendit tonë, Serbisë, në nëntor të vitit 2022, të gjithë kemi dhënë dorëheqje nga vendet tona të punës në sistemin e Kosovës dhe jemi transferuar në sistemin serb, pra Republika e Serbisë ka filluar të na paguajë pagat. Atë pagë e kemi marrë deri dje, kur të gjithë kolegët tanë e kanë marrë pagën, përveç neve rreth dhjetë veta”.

“Ditët e fundit kemi pasur rastin të dëgjojmë nga përfaqësuesit e Listës Serbe se duhet të jetojmë në një shoqëri demokratike dhe të garantohen të drejtat themelore të njeriut dhe të drejtat e lirisë për të gjithë qytetarët në veri të Kosovës, kështu që tani po i pyesim publikisht se këto të drejta të punës dhe të drejtën e jetës, a po na i marrin shqiptarët apo përfaqësuesit e Listës Serbe dhe vendi ynë Serbia?”, thuhet në komunikatën e PKS-së.

Kjo parti ka pyetur edhe presidentin serb Vuçiq se pse u janë pezulluar pagat me të cilat thonë se ushqejnë fëmijët e tyre.

“Pra, tani i pyesim publikisht të gjitha institucionet kompetente, kryetarin e Komunës së Leposaviqit dhe drejtorin e Zyrës për Kosovë, pasi që ata tashmë e dinë këtë dhe qëndrojnë drejtpërdrejt pas këtij vendimi të kundërligjshëm, dhe po ashtu e pyesim edhe presidentin Vuçiq se pse na është pezulluar paga nga e cila ne mbajmë dhe ushqejmë fëmijët tanë dhe jo vetëm që na është pezulluar paga, por edhe na është hequr e drejta për të punuar dhe e drejta për një jetë normale dhe e vetmja gjë që na duhet të bëjmë tani është të largohemi nga Kosova jonë me familjet tona”.

Në fund, PKS-ja ka thënë se për zgjidhje ndaj kësaj situate, ata do t’u drejtohen edhe institucioneve të Kosovës për t’u rikthyer në vendet e tyre të punës ku kanë qenë më herët.

“Përveç institucioneve të Republikës së Serbisë dhe Presidentit Vuçiq, do të detyrohemi t’u drejtohemi institucioneve të Prishtinës për të na kthyer në vendet tona të punës ku kemi qenë edhe para nëntorit 2022, pasi siç janë gjërat tani, institucionet në Serbi nuk kanë nevojë për ne dhe jemi mashtruar rëndë nga shteti ynë për shkak të thirrjes për dorëheqjet që dhamë”.

“Do të kontaktojmë me të gjitha autoritetet, si institucionet shtetërore ashtu edhe ato ndërkombëtare, sepse kjo që po ndodh këtu në veri të Kosovës është terror nga përfaqësuesit e Listës Serbe, kjo nuk ndodhë as në Korenë e Veriut”, përfundoi reagimi i kësaj partie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat