Akuzat e Sadri Ramabajës: Thaçi e Veseli s’janë krerë të UÇK-së

Aktuale

Akuzat e Sadri Ramabajës: Thaçi e Veseli s’janë krerë të UÇK-së

Më: 7 prill 2023 Në ora: 12:21
Sadri Ramabaja

Sadri Ramabaja, analist dhe aktivist i VV-së, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë në një television të Shqipërisë rreth nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në intervistën e tij, Ramabaja ka bërë shumë akuza në drejtim të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, duke refuzuar t’i quajë “krerë të UÇK-së”.

Në këtë intervistë, Ramabaja ka bërë edhe një akuzë të rëndë, duke thënë se përmes kumtesave të shkruara nga Thaçi e Veseli, de facto ka pasur të “përndjekur e të vrarë”. Në këtë kontekst, ai përdori aktakuzën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë, duke e sjellur si fakt të kryer akuzën e Prokurorisë.

“Çka të mbjellës korr, thotë urtësia popullore. Në gusht të vitit 2015, pikërisht 3 të akuzuarve atje, natyrisht të prirë nga presidenti i atërhershëm Thaçi, kishin imponuar deputetëve për herë të dytë të votonin për themelimin e Gjykatës Speciale.” – e nis intervistën e tij 18-minutëshe analisti Ramabaja.

Në pikëpamjen e Ramabajës, përveç faktorit të jashtëm, kishte edhe një “sebep” të brendshëm që solli Gjykatën Speciale. Sipas tij, Specialja erdhi për shkak të dështimit të drejtësisë dhe kapjes së saj.

“Gjykata erdhi si rezultat i dështimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ne jemi dëshmitar që drejtësia në Kosovë ka qenë krejtësisht e kapur dhe vazhdon për fat të keq të jetë ende e kapur”, konkludon Ramabaja.

“Kjo është më shumë si rezultat i luftës speciale të Serbisë dhe Rusisë për të devalvuar kryevlerën që ka prodhuar Kosova, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës përmes individëve që i kishte si të thuash nën presion të vazhdueshëm. Natyrisht, në këtë kuadër do të ketë edhe individë krejtësisht të pafajshëm, krejtësisht viktima, siç unë besoj kemi të bëjmë me rastin e Jakup Krasniqit dhe ndonjë tjetri”, deklaroi Ramabaja.

Këtu ndërhyri moderatorja e emisionit, e cila e habitur nga mendimet e Ramabajës bëri një deklaratë në formë pyetjeje.

“Nuk keni qëndrim të njëjtë për të katërtit, me sa kuptoj?” – pyeti moderatorja nga Shqipëria.

E Ramabaja e kristalizoi mendimin e tij, duke e përmendur me emër Thaçin e Kadri Veselin.

“Jo, jo, natyrisht që jo, sepse së paku Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli janë ata që e kanë themeluar këtë Gjykatë me insistim, janë 82 deputetë që kanë votuar dhe janë ata që janë përgjegjës për kapjen e drejtësisë në Kosovë”, deklaroi Ramabaja.

Aktivisti e kritikoi edhe Marshin për Drejtësi, duke e quajtur si të vonuar dhe të keqpërdorur nga PDK-ja për të dëshmuar se ajo nuk është shkërmoqur pas arrestimit të ish-krerëve të saj.

Pasi e vendosi në pozicione të dyshimta Thaçin e Veselin, Ramabaja deklaroi se do të dëshironte të që ish-krerët e UÇK-së të shpalleshin ata të pafajshëm.

“Natyrisht gjithë do të donim që ata të dilnin të pafajshëm”, deklaroi ai.

Pasi e bëri këtë deklaratë, Ramabaja iu kthye sërish sulmeve ndaj Thaçit, duke refuzuar ta quante themelues të UÇK-së.

“Sepse njëri prej themeluesve të UÇK-së ishte Adem Jashari dhe jo Hashim Thaçi.” – theksoi ai, duke insistuar se katërshja në Hagë nuk kanë qenë krerë të UÇK-së.

Ramabaja tha se nga katërshja në Hagë, vetëm Thaçi e Veseli nuk janë ish-krerë të UÇK-së. Madje këta dy të fundit, Ramabaja i akuzoi edhe për kumtesa, përmes të cilave janë përndjekur e vrarë kundërshtarë politikë.

“Kjo trup, e ashtuquajtur krerë të UÇK-së, respektivisht Hashimi me Kadriun, janë ardhur deri në pozicionin të mos i pranojnë as kumtesat që i kanë shkruar vetë, sepse përmes atyre kumtesave, de facto kanë prodhuar kundërefekte politike. Për shkak të disa prej kumtesave, janë përndjekur dhe vrarë kundërshtarët politikë realisht, oponentët real politikë, duke filluar nga udhëheqësi politik i LPK-së e deri te zyrtarë të LDK-së për të cilët u dëshmua se janë malltretuar 12 sosh në Drenicë”, deklaroi ai, teksa e përmendi edhe komunikatën 59.

Në lidhje me komunikatën 59, Ramabaj deklaroi se Thaçi kishte synuar që t’ia hedh fajin së pari Rexhep Selimit, ish-deputet i VV-së, e pastaj edhe vetë Ramabajës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat