Avokati Halilaj thotë se organizatorët e “Marshit për drejtësi”, ua kanë imponuar qytetarëve pjesëmarrjen

Aktuale

Avokati Halilaj thotë se organizatorët e “Marshit për drejtësi”, ua kanë imponuar qytetarëve pjesëmarrjen

Më: 11 prill 2023 Në ora: 12:50
Gazmend Halilaj

Për Marshin për Drejtësi të organizuar me 2 prill në Prishtinë nga platforma “Liria ka Emër”, ku morën pjesë mbi 70 mijë persona, avokati Gazmend Halilaj në Debat Plus ka thënë se për pjesëmarrjen në “protestë” janë kërcënuar njerëzit.

“ O zotëri, ju kanë shku nëpër Drenas e Skenderaj, ju kanë thënë nëse nuk dilni në protestë kemi me jav hek statusin e veteranit, kem me jav ndalë ndihmat sociale, kem me jau hek fëminë prej konvikteve atje që janë tu i marrë bursat”, ka thënë Halilaj.

Pas këtij, organizatori i marshit, Ismail Tasholli në një linjë direkte në emision, ka thënë se “avokati paska nevojë për psikolog e jo për studio televizive”.

Moderatori i emisionit Ermal Panduri ka thënë se pretendimet e Halilit janë se ka pasur shantazh me marrje të certifikatës së veteranit.

Tasholli ka thënë se “kjo është budallaki e llojit të vet, se nuk mundesh t’i shantazhosh në atë mënyrë qytetarët e Kosovës”.

Mirëpo, edhe nga panelistët në studio i është kërkuar avokatit Halilaj që të tregoj se kush i ka ftuar dhe kush u ka bërë presion qytetarëve për të dalin në marsh, por ai nuk ka pranuar të flasë më tutje.

Zotri Halilaj a mundesh veç pak me na e sqaru se kënd e kanë thirr, kush ka thirrë, tek ka thirr, çfarë presioni iu ka ba, se po aludoni në një presion që iu ka bë njerëzve me marrë pjesë në protestë?, ka pyetur Kreshnik Gashi nga BIRN, i cili nuk morri përgjigje nga avokati Halilaj.

“Mas pari nuk janë kanë 72 mijë hiq. Nuk janë kanw as 30 mijë. Po e zam janë kanë 72 mijë. Në dy milion banorë sa po i bjen…0.7% e popullit kanë dalë. Numrin prej 60 mijë veteranëve e që s’jemi kanë as 7 mijë, ti mos e ngjeh që u kanë një javë e i ka bo dy fotografi e ka ec në Gjermani, ata mos i njeh, llogarit veç ata që kanë qenë deri në fund të luftës. Numrin prej tyre e ka ba veç për këto situata; për kohë të zgjedhjeve, për kohë me u mundu me e minu procesin e gjykimit atje që është tu u bë dhe në rrethana tjera që qe ne çka bëjmë, jemi në gjendje me kall nëse na prek neve. Për ndryshe nuk të kishin dal as 500. Ka pas kanosje që kem me ja marr statusin e veteranit, ka pas kanosje që s’kemi me ju dhënë social ma njerëzve të varfër”, ka thënë ai.

Lidhur me pretendimet e Halilajt, në një linjë direkte në emision, Enver Hajdari, kryetar i OVL-UÇK-së në Drenas e ka demantuar Halilajn lidhur me pretendimet e tij.

“… kur e dëgjova për Marshin… me keqardhje e dëgjova sepse Marshi për Drejtësi, Gazi [Gazmend Halilaj] e din fort mirë që asnjë njeri, asnjë veteran të luftës, asnjë invalid apo qoftë familjar të dëshmorëve nuk e kam shantazhuar dhe nuk i kam thënë ose format qysh i tha Gazi. Por, një po ta them të drejtën nuk kemi pas as autobusa me i mbush sa ka pas vullnet populli sidomos në komunë të Drenasit e mos të flas për Drenicë”, ka thënë Hajdari nga OVL e UÇK-së.

Halilaj ka reaguar menjëherë duke thënë se “nuk tha askush për juve”.

“Me gjithë respektin Enver, nuk ju akuzoi juve askush… me shoqatën që është në Drenas ne krenohemi secili, nuk ka ndodh ju me shantazhu askënd, mirëpo mos u ndiej i akuzuar e mos u ndiej i shqetësuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat