Alija për seancën e mbyllur në Hagë: Gjykata ta ketë parasysh edhe interesin e publikut

Aktuale

Alija për seancën e mbyllur në Hagë: Gjykata ta ketë parasysh edhe interesin e publikut

Më: 11 prill 2023 Në ora: 19:35
Amer Alija

“Trupi gjykues duhet të ketë kujdes që të mos mbyllë tërësisht seancat, mbetet të shihet si do të veprojë gjykata me dëshmitarët tjerë, por duhet të respektohet edhe interesi i publikut”, ka thënë koordinatori për mbikëqyrjen e gjykimeve të krimeve të luftës, Amer Alija

Kështu ka deklaruar Amer Alija, koordinator në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë për mbikëqyrjen e gjykimeve të krimeve të luftës në lidhje me procesin e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së që ka filluar nga tre prilli në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në RTV Dukagjini, Alija ka thënë se kryesuesi i trupit gjykues duhet të kujdeset që ky gjykim të përfundohet brenda një kohe të arsyeshme.

“40 orë të dëgjohet një dëshmitar, duhet të kufizohen mbrojtja dhe prokuroria në procedurat e tyre, pra ndonjëherë gjërat duhet të sqarohen më shpejtë dhe të mos ketë detaje shumë nëse të gjitha janë thënë më herët”, ka thënë Alija.

Ndërsa se sa kjo gjykatë po e respekton parimin e publicitetit dhe transparencës me anë të seancave të mbyllura, Alija ka thënë se në këtë proces do të ketë shumë seanca private sepse ka dëshmitarë të mbrojtur dhe anonim, prandaj edhe trupi gjykues duhet të kujdeset që identiteti i tyre të mos shpaloset për publikun.

“Palët në procedurë, mbrojtja, prokuroria, avokati kanë qasje të plotë në dëshminë e paredaktuar të dëshmitarit, ndërsa tek ne te monitoruesit vjen e redaktuar. Trupi gjykues duhet të ketë kujdes që të mos mbyllë tërësisht seancat, mbetet të shihet si do të veprojë gjykata me dëshmitarët tjerë, por duhet që kjo gjykatë të ketë parasysh edhe interesin e publikut”, ka vijuar ai.

Ai shpreson se për qindra dëshmitarët e tjerë në këtë proces seancat nuk do të jenë të mbyllura sikurse e para.

“Rastet fillojnë me dëshmitarët për rastet që kërkojnë më shumë, palët mund të pajtohen që disa deklarata paraprake të dhëna nga dëshmitarët të miratohen si të lexuara. Nuk duhet të çuditemi nëse ka paraqitje të provave të reja, e kemi parë një kundërshtim të mbrojtjes së disa provave që ka paraqitur prokuroria, ne nuk mund të kuptojmë për cka bëhet fjalë, mund të jenë disa prej provave që lidhen me dëshmitarët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat