Në Koshare ranë 112 dëshmorë, mosha mesatare 27.5 vjeçare

Aktuale

Në Koshare ranë 112 dëshmorë, mosha mesatare 27.5 vjeçare

Më: 11 prill 2023 Në ora: 20:40
Agim Ramadani

Në ditën e dëshmorëve të betejës së Koshares që përkon me 24 vjetorin e rënies së komandantit Agim Ramadani – Katana dhe shokëve tjerë të UÇK-së, përmes shqyrtimit shkencor, “Feniksët e Lirisë”, pjesëmarrës të luftës tash profesor, prezantuan të dhëna e hulumtimit që tregojnë gjithçka në shifra për luftën e Koshares. 112 dëshmorët që ranë për thyerjen e kufirit Kosovë-Shqipëri u tha se moshën mesatare e kishin 27.5 vjeçare, ndërsa vinin nga të gjitha trojet shqipfolëse, madje edhe shqiptare nga Beogradi, e po ashtu edhe shtetas të huaj nga Franca, Italia dhe Algjeria

Beteja zgjati 69 ditë, vija e frontit mbi 15 kilometra e gjatë, misioni thyerja e kufirit Kosovë-Shqipëri, 112 dëshmorë u flijuan që të hiqet kufiri që padrejtësisht ishte vendosur një shekull më pare, nga shteti të cilin po e luftonin djemtë e UÇK-së.

Këto janë disa nga të dhënat që u prezantuan në shqyrtimin shkencor “Feniksë e Lirisë”, i organizuar nga Shoqata e ish-Brigadës 138, “Agim Ramadani”.

“Agim Ramadani, është jo vetëm ushtarak, por Agim Ramadani ka qenë artist, ka qenë poet, Agim Ramadani ka qenë piktor, ka qenë strateg luftarak, ka qenë figurë akademike”, ka deklaruar Sefer Isufi, Gjenaral, këshilltar ushtarak i Presidentes.

4 profesorë pjesëmarrës në luftën e UÇK-së, prezantuan të dhënat nga hulumtimit për të cilat thanë se tregojnë që të gjitha trevat ku flitet shqip ishin pjesë e luftës në Koshare, madje edhe shqiptar nga Beogradi.

“Shqipërija, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Kosova Lindore, sikurse flijimet nga vende të huaja, si Franca, Italia, dhe Algjeria”, ka thënë Bari Gashi, Profesor (Ish-luftëtar në Koshare).

“19.6%, të martuar, 76 pasardhës janë. Shkollimi 31.5% fillor…”, ka deklaruar Shiqer Maloku, Profesor – Ish-luftëtar në Koshare.

“Mosha meshatare 27.5 vjet, janë 112 dëshmorë. Deri në 20 vjeç ishin 15 dëshmorë. 17 vjeç ishte dëshmori më i ri, më i vjetri 48, të gjithë janë meshkuj, por ka pasur edhe femra. Relacioni më 9 maj ishte 1/1 ose baraz me fuqi”, ka thënë Ibish Mazreku, profesor – ish-luftëtar në Koshare.

“Shkaktarët kryesor të palgëve vdekjeprurëse të dëshmrooëve në Koshare ishin, armët e lehta luftarake dhe pushkët automatike 63% apo 71 dëshmorë. Nga predhat e artilerisë duke përfshirë edhe predhën e tankut ishin 23%”, ka deklaruar Miftar Zeneli, mjek i luftës në Koshare.

Pos që u fol me statistika për luftën që shkundi themelet e Serbisë në kufirin shqiptaro-shqiptar, njëri ndër komandantët kryesor shprehi admirim, për shokun e luftës,  ikonë e Koshares.

“Ne kemi qenë të betuar pas rënies së Agim Ramadanit se aty ku ka është derdhë gjaku i tij më këmba e armikut nuk do të shkelë, edhe ashtu ka ndodhur”, ka thënë Rrustem Berisha, ish-Komandant i Brigadës “138 Agim Ramadani”.

Beteja e Koshares nisi më 9 prill ndërkaq zgjati deri më 16 qershor. Ky organizim përkon me datën e rënies së Komandantit Agim Ramadani – Katanas, njëri ndër përpiluesit e operacionit ushtarak për thyerjen e kufirit në kohën e luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat